Krerët politikë urojnë vendin për Krishtlindje

redaktor

Krerët politikë në vend kanë uruar të mërkurën qytetarët shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve, duke bërë thirrje për sa më shumë solidaritet mes tyre.

“Kjo është festë e të gjithëve, sikurse të gjitha festat e besimeve fetare ne Shqiperi. Në këtë ditë fryma e solidaritetit për të gjithë ata që kanë nevojë duhet të kulmojë”, deklaroi kryeministri Edi Rama.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, në një prononcim të shkurtër për gazetarët.

“Në këtë ditë rilindin e forcohen shpresat për një Shqipëri më të mirë për ne dhe brezat. Kjo ditë na fton të jemi më të bashkuar dhe më solidarë me njëri-tjetrin”, deklaroi Meta.

Nuk ka munguar edhe urimi i kryetarit të bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, i cili është shprehur “krenar që drejton bashkinë kryesore të një vendi që feston festat fetare në harmoni”.

Festimet e Krishtlindjes në Shqipëri nisën që në mesnatë, me mijëra besimtarë katolikë që u mblodhën në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian.

Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi Metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës, i cili uroi të gjithë besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin.

“Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fortë te njerëzit që, sipas logjikës së botës, janë të dobtit, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita.

Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uroi përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Krishtlindjes.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *