Kreu i skuadrës së Forcave Speciale në Rumani i ka bërë të gjitha forcat e policisë të ndihen ca në siklet pas publikimit të disa fotove nudo të tij gjatë një trajnimi. Kreu i forcës speciale Emanoil Moraru ka dalë i zhveshur por me një parukë të zezë dhe me një automatik lodër që mbulonte “veten”, ndërsa oficerët ndodheshin rrotull tij në gjendje gatishmërie.
Fotot kanë shkaktuar një gjendje jo të mirë, por vetë kreu i skuadrës është shprehur i papenduar. Duke refuzuar të kërkojë falje ai ka deklaruar: “Në skuadrën time ka gladiatorë dhe ne jemi thjesht pak më të çmendur”.
“Fotot janë bërë pas një seance trajnimi. Nuk kemi pse turpërohemi. Kemi punuar shumë dhe jemi trajnuar prapë shumë dhe ndonjëherë thjesht i kalojmë gjërat në shaka. Arma është thjesht lodër dhe parukja ishte e një prej kukllave që përdoren në trajnim. Në fakt unë kam veshur të mbathura, por ju thjesht nuk mund t’i shihni në foto”, shtoi ai.
Por kjo s’është hera e parë që Moraru, i trajnuar nga FBI-ja për rastet e ndërmjetësimit në pengmarrjet terroriste, ka shkaktuar rrëmujë mes kolegëve të tij. Një herë ai shkoi në punë i veshur si punëtor plehrash dhe në një tjetër rast i maskuar si pemë. Ai u ul në një cep qetësisht derisa dikush e zbuloi. Një mësim në maskim.
Një koleg i tij tha: “Ai është një profesionist i mirë që i pëlqen të bëjë gallatë. Ti nuk bëhesh kreu i forcave speciale për asgjë. Por duhet të pranoj se ndonjëherë sjelljet e tij të habisin.
“Kur erdhi i veshur si pemë ishte vërtet e çuditshme, sidomos për faktin se u ul thjesht në cep të dhomës duke pritur nëse dikush do ta kuptonte apo jo”.
Pavarësisht sjelljes së çuditshme Moraru ka një reputacion të frikshëm mes kriminelëve dhe kolegët e tij shprehen se ai është i pamëshirshëm për drejtësinë.
“Kur vihet në gjurmët e një krimineli, ai nuk ndalet derisa ta çojë pas hekurave”, thotë një oficer. “I pëlqen të punojë shumë, por dhe luan fort. Kjo është mënyra si është gatuar”, shtoi një koleg.
Moraru është gjithashtu president i Trupës Kombëtare të Policisë Rumune dhe mban titullin Qytetar Nderi i Konstancës për punën e tij në komunitet.