Kreu i Këshillit Bashkiak të Tiranës Aldrin Dalipi, deklaroi se në mbledhjen e radhës të Këshillit më 30 prill, këshilltarët e mazhorancës do të propozojnë të paraqitet serish në rendin e ditës diskutimi i buxhetit 2014 për Tiranën.
Dalipi theksoi se përpjekja për të bllokuar këtë buxhet duke krijuar një situatë konflikti, është thjesht politike.
“Buxheti i 2014 është votuar me konsensus. I ka kaluar për konfirmim prefektit. Kam shpresuar në zgjidhjen e situatës, dhe bashkëpunimin me bashkinë për ndryshimin e situatës. Por deri më sot kemi dëgjuar vetëm ankesa, dhe përpjekja për ta kthyer situatën në një situatë konflikti. Ata që e vuajnë janë qytetarët e Tiranës, pasi jetojnë në një qytet pa buxhet për ta”, tha ai.
Në emër të këshillit bashkiak të Tiranës, Dalipi nënvizoi se “mazhoranca që kryeson votimin në këtë Këshill, do të propozojë që në 30 prill të paraqitet në rendin e ditës dhe diskutohet serish buxheti 2014 dhe kryesisht reflektimet e kërkuara nga institucioni i Prefektit. Do të përpiqemi të gjejmë zgjidhje që për buxhetin e qytetarëve, që kërkojnë zgjidhe, qytetarët preken nga konfliktet e sajuara politike”.
Më tej, Dalipi theksoi se “votimi i buxhetit ka qenë i konsideruar historik dhe është mbështetur në daljet e tyre publike edhe nga kryeministri, edhe nga kreu i parlamentit. Dëshira e anëtareve ka qenë që Tirana në çdo çast të kishte buxhetin e vet. Duam t’i kthejmë buxhetin qytetarëve të Tiranës larg konflikteve të buxhetit”.
