Krijimtaria ku dhimbja dhe dashuria qëndrojnë bashkë…

J L

Shënime mbi poezinë dhe dramat e shkrimtarit Bashkim D. Kozeli

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Asnjë mjet dhe zeje tjetër nuk arrin ta ruajë kohën ashtu “taze”, siç thotë populli për një diçka të re, siç mund ta ruajë krijimtaria artistike. Gjërat që ruan krijimtaria artistike, duket se e mbajnë kohën brenda vetes, moshën e krijuesit, historitë dhe emocionet që e prodhojnë atë dhe shumë gjëra të tjera. Ndoshta kjo aftësi dhe “fat” që kohët i kanë dhënë krijimtarisë artistike, na bëjnë fatlumë, që ne arrijmë të ruajmë gjendjet emocionale, dhimbjet, kujtesën, dashurinë, pra ato ndjesi që krijuesi i merr para, gjatë dhe pas krijimit, për t’ua dhënë dhe të tjerëve në kohët e mëvonshme. Në krijimtarinë e poetit dhe dramaturgut Bashkim D. Kozeli ka gjithmonë diçka nga këto ndjesi, ku duket se aroma  e 60 viteve më parë kundërmon këndshëm ende. Bashkim D. Kozeli është një nga krijuesit që shkroi dhe afroi emocione publike gjithë jetën.

Poeti dhe dramaturgu Bashkim D. Kozeli ka lindur në Ersekë në vitin 1942, i shkolluar për sinoptikë, ndoshta me sytë e një fëmije që sapo ka marrë këmbët të ecë ka mundur të ruajë pamjet nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, por ai ka parë me sytë e tij një nga periudhat më të gjata dhe më të vrullshme të atdheut, nxënës, student, puna e pedagogut në Shkollën e Aviacionit (Vlorë), puna me kulturën në ushtri, profesioni i lirë si shkrimtar, por dhe heqja e të drejtës së botimit, për një dënim të vëllait me burg, përbëjnë një shkollë të rëndësishme për punën, frymëzimet, motivet e një shkrimtari dhe një krijuesi si Kozeli. Në jetën e tij ka ngjarje të shumta, tipa dhe karaktere interesante, të cilët përbëjnë fondamentin e rëndësishëm të personazheve që ai ka sjellë për letërsinë dhe për publikun që në krye të herës.

Në profilin e shkrimtarit dhe të dramaturgut Kozeli ka një prodhimtari të begatë artistike, e cila shtrihet në të gjithë hapësirën kohore, që kur ai iu shfaq për herë të parë lexuesit shqiptar si poet dhe si dramaturg. Ai ka shkruar dhe botuar vëllimet poetike si: “Në qiellin e Atdheut” (1967), vëllimin poetik “Kuvendim me birin” (1975), vëllimin poetik “Nëna dhe refugjati” (2002,- botuar dhe në Itali 2005), vëllimin poetik “Ne skënderbegasit” (2005), po ashtu nga Shtëpia Botuese e Ushtrisë ka botuar dhe librat si: “Ju prezantohet Shqipëria” (shqip  – anglisht 1995), “Ditari i oficerit” (2000) dhe libri “Edukimi qytetar dhe Etika në Forcat e armatosura” (2000).

Bashkim D. Kozeli ka qenë dhe mbetet një krijues, kryesisht një poet, i cili ka lidhje të fortë me realitetin, me njeriun dhe ngjarjet që ai i përjeton përditësisht, duke i bërë objekt Të frymëzimit të tij. Siç dhe mund të shihet nga librat poetikë të botuar, lidhja e tij me kohën është përjetuar poetikisht në mënyrë të mrekullueshme. Aftësia për të krijuar një lidhje të tillë e bën krijimtarinë e tij shumë komunikuese.

Detyra e njeriut që është i lidhur me mësimdhënien dhe komunikimin me nxënës, studentë dhe njerëz, një mundësi që nuk i vjen kujtdo, ka bërë që në krijimtarinë e Kozelit të ketë një gjendje socialiteti, një marrëdhënie, e cila në historinë sociale është shumë  e rëndësishme dhe fondamentale. Në një fragment të poemës së titulluar “Ne skënderbegasit”, një poemë e mrekullueshme dhe mjaft komunikuese për disa qindra apo mijëra ish- skenderbegas (njëra nga shkollat më të mira në Shqipëri gjatë kohës së sistemit totalitarë), poeti Bashkim Kozeli i drejtohet “institucionit” të dashur të mësuesit, me të cilin është i lidhur me një dashuri të përjetshme jeta e çdo djali apo vajze.

Pasi poeti e vizatin me ndjesi interesante, gati prej nxënësi mjedisin e shkollës, aty ku gjithçka ishte rinore dhe e freskët, e bukur dhe pastër, e ëmbël dhe e vullnetshme, aty ku projektoheshin qindra mendje të ndritura shkencëtarësh ushtarakë dhe drejtuesish, aty ku ëndrrat rinore nuk bënin gjumë për asnjë minutë, raporti dhe lidhja e fortë e poetit me mësuesit, merr një formë dhe forcë edukuese, një metaforë, të cilën na e kanë prurë krijimet më të përbotshme që nga antikiteti deri në këto kohë, ku e vërteta mbi lëvizjen e njerëzive është e qartë dhe e vështruar nga sytë e botës. Ai shkruan:”Ju na mësuar të Drejtën e Lirisë,/ Për çka i duhet njeriut të gëzojë…/Ju na mësuar shkëllën e hierarkisë:/”Kush nuk urdhërohet, nuk din të urdhërojë…”, apo “Ju na mësuar Shqipërinë ta duam,/ Jo vetëm për fushat, malet, shtigjet/ Porse si sytë e ballit Asaj t’i ruajmë/ Jetën, kulturën, traditën, ligjet…”.

E gjithë poema siç kuptohet lidhet me një moral të thellë, me një edukatë dhe një raport të rëndësishëm që poeti ka me jetën, njerëzit, historinë, me dijet, me atdheun, të sotmen dhe të ardhmen. Duket sikur ai është gatuar dhe është përgatitur për jetën pikërisht në këtë shkollë, nën kujdesin e mësuesve për të cilët ka nderim dhe dashuri të përjetshme.

Interesant dhe e shkruar me një ndjesi të epërme është vëllimthi i poetit Bashkim Kozeli, i titulluar “Nëna dhe refugjati”, e ndërtuar mbi një lloj dialogu të nënës së refugjatit dhe refugjatit me nënën. Letra e shkurtër e nënës, e cila përshkohet nga dhimbja, malli, ankthi, pritja dhe drama e thellë e mungesës së djalit, sublimohet në vargjet e strofës :”Qysh ike, o bir, nga dheu e nëna/ Dhe m’u trete udhëve të botës?/ Si s’u hap kjo tokë, t’më merrte brenda,/ Ç’perëndi më mbajti mënd e kokës?…” Siç kuptohet është një histori e përsëritur pas shumë vitesh, por që krijon të njëjtat plagë dhe vuajtje njerëzore.

Ndërsa refugjati,  biri i nënës që vajton dhe pret në ankth e bën dramën mes nënës dhe vetes epike, një rrëfim për dhimbjen, mallin, ikjen dhe një sëmbim të thellë për atdheun në ashtin e tij të thellë, pasi mërgimi ka krijuar drama, tragjedi por probleme të thella në familje dhe në shoqëri. Emigrantët janë gjendur para sfidave jetësore atje ku ata kanë shkuar. Diku, në përgjigjen e refugjatit, që i shkruan letër nënës thuhet:”Donim liri, u bëmë argatë,/ Të pandershmit u bënë bosë./Më mirë të jesh lypsar i ngratë/ Apo vjedhës e kodosh/”, apo “Vrer këtu, terr në shtëpi,/ S’dimë hallin kujt t’ja qajmë./Këtu breshër, atje shi…/ Nga t’ja mbajmë?...”

Në poezinë e Bashkim Kozelit ka dhe një cikël kushtuar aviatorëve, zogjve të qiellit, njerëzve të kurajës dhe të guximit. Poezitë e këtij cikli u janë kushtuar aviatorëve Sali Dibra: “Tej ai shkodran në krye të fushës,/ Marrin leje aviatorët për fluturim./Herë i qetë si rrjedha e Bunës,/ Herë i shqetësuar si lumi Drin..., aviatorit Kaso Petoshati: “Të gjithë e ndërprenë ison,/ E Dulja heshti hijerëndë./ “Mos qaj, i tha vajzës së vogël,/ Për Kason do të ngre një këngë…”, pikotit Flamur Micko, Bilal Sina e ndonjë tjetër.  Ndërsa “Kënga himariote” është poezia më e bukur e Kozelit, pasi në të shkrihet dhe pleksen bukur historia, bukuria, ngjarjet, njerëzit, trimëria dhe aktualiteti.Poeti shkruan ndër të tjera: “Kur ia merr ti për kurbetin,/ Nur i zi iu bie reve,/ Nxihet mali, nxihet deti,/ Si shami e kallogreve” dhe “Djemt’ e Tu, ngado që vanë,/ Të morën në shpirt më vete./ Çave dete, oqeanë/ Dhe s’u lige, nuk u tretë...”

Në poezinë e Bashkim Kozeli ka një koherencë të vazhdueshme, ku dhe historia nuk ka munguar kurrë, ka portrete njerëzish, histori njerëzore të cilët poeti i ka zbuluar me një lloj lirizmi të hollë dhe gjithsesi njerëzor.

Pjesën më të madhe të krijimtarisë së Bashkim D. Kozelit e zë drama. Drama duke qenë një nga llojet më komunikuese në historinë e letërsisë së shkruar, për shkakun se mes shkrimit dhe leximit të saj hyn skena, aktori dhe elementë të tjerë, është pikërisht kjo krijimtari, që dhe në frymëzimin e Kozelit ka më shumë peshë dhe zë gati gjithë kohën e tij si krijues. Bashkim D. Kozeli mbetet një nga dramaturgët më prodhimtarë në shkrimin e dramës shqiptare dhe të dramave të vëna në skenë në teatrot e Shqipërisë. Kozeli ka shkruar dhe vënë në skenë:

Teatrin e Vlorës dramat: “Shokët”, 1968 (regjisor Leka Bungo), “Sinjali i kuq”, 1971 (regjisor Pirro Sava), -“Lidhur si fishekë gjerdani”, 1980 (regjisor Pjetër Gjoka), “Buzëqeshjet e një mbrëmje” komedi, 1985 (regjisor Vladimir Balla), “Pavdeksi” dramë, 1987 (regjisor Kadri Roshi, Drita Pelingu),

Në Teatrin Kombëtar në Tiranë: Drama “Shokët”, 1969 (regjisor Pandi Stillu), Drama “Sinjali i kuq” 1973 (regjisor Pirro Mani), Drama “Rufjanët”, 1974 (regjisor Pirro Mani), Drama “Ëndrra e Ismail Qemalit”1912, (regjisor Spiro Duni.

Në Teatrin e Fierit: Drama “Ustai” 1995 (regjisor Aleksandër Pogaçe), Komedia “Ora  mbetur” 2007 (regjisor Guri Koco),

Në Teatrin e Gjirokastrës: Drama “shokët” 1969 (regjisor Bernard Kokalari), Drama “Pyesni malet” 1981 (regjisor Pjetër Gjika, Bernard Kokalari),

Në Teatrin e Korçës: Drama “Troket historia” 1982 (regjisor Dhimitër Orgocka),

Në Teatrin e Shkodrës: Drama “Nënë Tereza kur ishte Gonxhe” 2016 (regjia Merita Smaja)

Veprat dramaturgjike të Bashkim D. Kozelit thuajse janë vënë në skenë në trupat teatrore më të njohura në vend. Siç dhe mund të kuptohet, krijimtaria dramaturgjike e Kozelit është e lidhur fort me historinë dhe me kohën, pasi në të shpalosen momente të rëndësishme të jetë sonë kombëtare, që nga Ismail Qemali, një figurë e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, me të cilën lidhen fatet dramatike të Pavarësisë së Shqipërisë, një nga arritjet më madhore ne jetën e Shqipërisë, por dhe të kombit, por dhe temat e mëvonshme historike, të cilat referojnë ngjarje dhe zhvillime bazike të kombit dhe të Shqipërisë.

Dramat e Kozelit mbartin në themel ashtin dhe tharmin historik kombëtar, lëvizjet njerëzore, të cilat kanë krijuar lëvizjet e njohura historike, ashtu siç në dramat me karakter social, dramaturgu, zbulon pamje të zhvillimit social të vendit. Personazhet e dramës së Kozelit janë referues të rëndësishëm të kohës, ata mbartin vlerat qenësore të shoqërisë në rastet e personazheve pozitivë, ndërsa personazhet e qortueshëm, njohur ndryshe si personazhe negative, dramaturgu arrin të ngrejë shqetësimet dhe problemet e kohës në shoqëri dhe në familje.

Ndoshta njëri nga treguesit esencial, të cilët dëshmojnë për punën, talentin dhe nivelin e dramave të Bashkim D. Kozelit është dhe gama e madhe e aktorëve të njohur të teatrit shqiptar, të cilët kanë materializuar dhe u kanë dhënë jetë në skenë personazheve dhe ngjarjeve jetësore që autori ka sjellë përmes dramave të tij, duke i shtuar historisë së tetarit kombëtarë një vlerë të çmuar. Aktorë të tillë si:  Liza Laska, Agim Shuke, Andon Qesari, Adem Gjyzeli, Vangjel Panozaqi, Viktor Zhusti, Niko Dhoska, Zhaneta Papamihali, Hiqmet Shtino, Bukuroshe Kokalari, Sandër Prosi, Drita Pelinku, Marika Kallamata, Luan Qerimi, Lazër Filipi, Mario Ashiku, Qenan Toro, Guljelm Radoja, Llazi Serbo, Xhemil Tagani, Antoneta Papapavli, Luiza Maliqi, Naim Frashëri, Pjetër Gjoka,   Luftar Paja, Vaso Godo, Ndrek Luca, Luan QerFadil Kujovskaimi, Roland Trebicka, Mimika Luca, Ahmet  Pasha, Sulejman Pitarka, Prokop Mima, Pavlina Mani, Robert Ndrenika, Reshat Arbana, Agim Qiriaqi Kadri Roshi, Albert Vërria, Vasillaq Godo, Roland Trebicka, Bujar Asqeriu, Albert Verria, Leka Kruta, Liza Laska, Kastriot Çaushi, Resmie Ruçi, Hatiqete Bendo, Xhulieta Kulla, Aleksandër Pogaçe, i kanë bërë dhe i bëjnë nder skenës, dramës dhe historisë së dramës shqipe.

Kjo gamë e ndritur aktorësh është treguesi fondamental i punës prej dramaturgu të Bashkim D. Kozelit, i cili ka vënë një gurë të rëndë në murin e kujtesës së drmaturgjisë shqiptare, e cila është një bashkudhëtuese e rëndësishme jo vetëm e zhvillimit kulturologjik të vendit, por shkollës së artit modern bashkëkohorë.

Në punën prej krijuesi dhe dramaturgu, në jëtëshkrimin e Bashkim D. Kozelit zë vend dhe zhanri i kinemasë, filmat artistik të realizuar nga Kinostudio “Shqipëria e Re’, ku shquajnë skenarët “Në emër të lirisë” 1987, me regji të Fehmi Hoshafit, filmi “Pas takimit të fundit” 1989, me regji të Fehmi Hoshavit, filmi “Pleqtë e hashashit” 2010, me regji të Ylli Pepos dhe filmi televiziv me 10 seri “Dhimbja e dashurisë’ 2009 me regji po të Ylli Pepos, dy filmat e fundit janë prodhimi i Radoi Televizionit Shqiptar.

Për krijimtarinë poetike e dramatike të Bashkim Kozelit kanë shfaqur mendimin e tyre kritik e letrar një varg personalitetesh të artit e kulturës shqiptare si: Dritëro Agolli, Fatos Arapi, Mexhit Prençi, Kudret Velça, Piro Mani, Abaz T. Hoxha, Drita Pelingu, Pjetër Gjoka, Kadri Roshi, Pëllumb Kulla, Harallamb Fandi etj., të cilët vënë në dukje, sa ashtu si në krijimtarinë poetike edhe në drama, ai spikat për realizmin dhe frymën e përgjithshme poetike, duke shpalosur dashurinë dhe fatin dramatik të shqiptarit.

Bashkim D. Kozeli është një krijues dhe personalitet i rëndësishëm në jetën krijuese dhe kulturore shqiptare, i cili me forcë, vullnet, dije dhe talent ka kapërcyer vështirësi jo të vogla të censurës, por dhe konkurrencën e madhe të dramës shqipe, e cila është shkruar nga shumë dramaturgë të njohur. Puna me regjisorë të njohur e ka bërë atë një vlerë të shtuar në dramaturgjinë shqiptare.

 

Tiranë – Vlorë, shkurt 2022     

Share This Article
1 Comment
  • respekte e mirnjohje per pr,dr Bardhosh Gace,me eshte dhene rasti ta njoh nga afer, me nje bagazh te pakufi dijesh,i “gjalle” dhe dinamik,i rrepte dhe i “pakompromis”me delitantizmin,respekti e vlersimi qe tregon me kete shkrim per shkrimtarin B. kozeli eshte karakteristike e njerzeve me shpirte te madh,te psh e te uroj pune te mbare pr,dr Bardhosh Gace

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *