Estonia është bërë një nga vendet e para në BE që etiketon veprimet e Rusisë në Ukrainë si gjenocid. Euronews shkruan se Parlamenti i vendit, Riigikogu, votoi pro të enjten për njohjen e luftës së Rusisë si një gjenocid kundër popullit ukrainas, duke u bërë thirrje qeverive të tjera dhe organizatave ndërkombëtare që të bëjnë të njëjtën gjë.
Në një postim në Twitter, ambasadorja e Estonisë në Ukrainë, Mariana Betsa, e përshkroi masën si një vendim historik.
“Rusia duhet të mbajë përgjegjësinë e plotë për krimet e saj të tmerrshme”, tha ajo.
Gjenocidi përkufizohet në të drejtën ndërkombëtare si vrasja e qëllimshme e njerëzve nga një grup i caktuar kombëtar, etnik, racor ose fetar, me qëllim të shkatërrimit të atij grupi. Forcat ukrainase thonë se kanë gjetur varre masive dhe prova të civilëve që janë qëlluar me këmbë dhe duar të lidhura, ndërsa hetuesit pretendojnë se kanë prova të asaj që duket të jetë vrasja e qëllimshme e civilëve në Bucha, një qytet në periferi të Kievit.
Rusia i kundërshton këto pretendime dhe mohon në mënyrë të përsëritur se nuk ka shënjestruar civilët në Ukrainë. Letonia i bëri jehonë deklaratës së Estonisë të mërkurën pasdite, duke njohur gjithashtu veprimet e Rusisë në Ukrainë si një “gjenocid”.
Në një deklaratë, Jüri Ratas, president i parlamentit të Estonisë, tha se krime sistematike dhe masive të luftës janë kryer kundër popullit të Ukrainës nga Forcat e Armatosura të Federatës Ruse.
“Këto krime janë nxitur ideologjikisht nga udhëheqja politike dhe ushtarake e Federatës Ruse dhe autoritetet e saj kombëtare të propagandës. Këto kanë konsistuar në vrasje, zhdukje me forcë, dëbime, burgosje, tortura, përdhunime dhe përdhosje të kufomave,” tha ai.
a.m/dita
