Krimea, e shkuara dhe e ardhmja e saj

anazapta

Ka kohë që Krimea është bërë kryelajm për gjithë botën. Të dielën atje u bë një referendum dhe nëe një shumicë dërrmuese u votua që ky gadishull i Krimesë të bashkohet me Rusinë. Deklaratat e pafundme të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, lideri i Kremlinit u vuri kapak duke thënë se do respektojmë vullnetin e popullit të Krimesë, thënë ndryshe, Krimea do bashkohet me Rusinë.

Ditën që mbahej referendumi, një nga personalitetet më të mëdhenj të Rusisë moderne, Mikhail Gorbaçov përmendi mundësinë e një luftë të tretë botërore, shkak i së cilës mund të ishte Krimea. Sidoqoftë, pa asnjë dyshim, mund të themi se situata në Krime që pasoi zhvillimet e përgjakshme të disa muajve në Ukrainë, është një nga zhvillimet më dramatike ku është fokusuar vëmendja e gjithë botës në këtë fillim të shekullit të 21-të.

Po çfarë e bën kaq të rëndësishme Krimenë dhe pse ajo është shndërruar në çështjen kryesore të politikës botërore aktualisht. Këtu, në vijim po sjell disa të dhëna përmbledhtazi për historinë dhe rëndësinë gjeostrategjike të këtij gadishulli në Detin e Zi.

 

Historia e pushtimeve

Anije luftarake ruse, në bazën e Sevastopolit
Anije luftarake ruse, në bazën e Sevastopolit

Gjatë Luftës Civile Ruse që pasoi rënien e Perandorisë Ruse, Krimea ndryshoi disa herë orientimin dhe ishte një bastion i fuqishëm i Ushtrisë së Bardhë anti-bolshevike. Ishte pikërisht Krimeea ku Rusët e Bardhë të udhëhequr nga Gjenerali Vrangel bënë qëndresën e fundit kundër forcave anarkiste të Nestor Maknos dhe Ushtrisë së Kuqe në vitin 1920. Rreth 50 mijë rusë të bardhë, të burgosur dhe civilë u ekzekutuan ose u varën pas disfatës së Gjeneral Vrangelit në fund të vitit 1920. Kjo është konsideruar si nja nga masakrat më të mëdha të Luftës Civile.

Krimea është një gadishull në pjesën veriore të Detit të Zi dhe republikë autonome rusisht-folëse, në territorin e Ukrainës. Ajo u bë rajon ukrainas në vitin 1954, kur udhëheqësi sovjetik Nikita Hrushov transferoi juridiksionin e saj nga Republika Sovjetike e Rusisë tek ajo e Ukrainës, një masë që atëherë ishte thjesht një formalitet brenda kufijve të Bashkimit Sovjetik. Por, pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Krimea mbeti pjesë e Ukrainës së pavarur.

Në historinë e saj të hershme, ajo është kolonizuar dhe pushtuar në mënyrë të vazhdueshme nga grekët, romakët, Perandoria Bizantine, etj. Në shekullin e 13-të, Krimea u pushtua nga tatarët, një popullatë myslimane turqisht-folëse, që ishte pjesë e Hordhisë së Artë, degë e Perandorisë mongole të themeluar nga një nip i Xhinghis Khanit. Krimea ka qenë e pushtuar edhe nga bullgarët për rreth katër shekuj, nga shekulli i 4-t në të 8-in.

Kështjella ku u mbajt Konferenca e Jaltës. Ajo u ndërtua me 1911 dhe quhet ndryshe "Kështjella e Dashurisë". Sot është një restorant italian
Kështjella ku u mbajt Konferenca e Jaltës. Ajo u ndërtua me 1911 dhe quhet ndryshe “Kështjella e Dashurisë”. Sot është një restorant italian

Krimea u bë një shtet vasal i Perandorisë Osmane në shekullin e 15, por ishte njëkohësisht dhe një fuqi rajonale më vete, duke kërkuar zotërim të territorit që sot përbën rajonin e Vollgës kaspike, në Rusi. Krimea u pushtua nga Perandoria Ruse në vitin 1783.

Lufta e Krimesë në shekullin e 19-të (1853-1856), e cila vuri Rusinë përballë një aleance mes Britanisë së Madhe, Francës, Sardenjës dhe Turqisë, u zhvillua kryesisht në këtë gadishull. Pas një rrethimi të gjatë, forcat aleate morën nën kontroll qytetin e Sevastopolit, ku ishte baza e Flotës së Detit të Zi të Carit. Në fund të luftës, Krimea ishte kthyer pothuajse në gërmadhë.

Gjatë luftës civile në prag të Revolucionit rus të vitit 1917, Krimea u bë skenë luftimesh brutale mes forcave cariste, bolshevike dhe anarkiste. Pas fitores së bolshevikëve, gadishulli i Krimesë u bë pjesë e Republikës Sovjetike të Rusisë.

Në vitin 1944, diktatori sovjetik Josif Stalin dëboi të gjithë popullsinë tatare të Krimesë në Azinë qendrore dhe pjesë të tjera të Bashkimit Sovjetik, nën akuza për bashkëpunim me nazistët.

Në vitin 1954, Bashkimi Sovjetik – në atë kohë nën drejtimin e Nikita Hrushovit – e transferoi Krimenë nga Republika e Rusisë tek Republika Sovjetike e Ukrainës.

Pas rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, Krimea u bë pjesë e Ukrainës së pavarur, ndërkohë që Moska dhe Kievi ranë dakord që të ndanin mes tyre Flotën ish-sovjetike të Detit të Zi. Qyteti port Sevastopoli në Krime vazhdon të jetë baza e Flotës ruse të Detit të Zi.

Rusët etnikë përbëjnë 58 përqind të popullsisë së Krimesë, ndërsa ukrainasit përbëjnë 24 për qind. Tatarët e Krimesë, të cilët filluan të kthehen në gadishull pas rënies së Bashkimit Sovjetik, përbëjnë 12 për qind të popullsisë së saj.

 

Sevastopoli

Vendndodhja e këtij qyteti port strategjik e bën atë një nga pikat më të rëndësishme strategjike detare. Sevastopoli është një nga bazat më të rëndësishme ushtarake detare të Rusisë.

Sipas traktatit të vitit 1997, një baze detare ruse dhe një mumër pajisjesh detare do të vazhdonin të ishin të vendosura në Sevastopol dhe në Krime me qira të rinovueshme për 20 vjet, pas një debati të gjatë diplomatik dhe politik midis Rusisë dhe Ukrainës së shpallur rishtazi e pavarur.

Pas shkëputjes nga Bashkimi Sovjetik, Moska refuzoi njohjen e sovranitetit të Ukrainës mbi Sevastopolin dhe rrethinat e tij në Krime, duke argumentuar se qyteti nuk ka qenë kurrë praktikisht i integruar në Republikën Socialiste Sovjetike të Ukrainës për shkak të statusit të tij ushtarak. Kjo donte të thoshte mospranim i Traktatit të Paqes dhe Miqësisë të vitit 1997, i cili sanksiononte që Krimea dhe Sevastopoli i përkisnin Ukrainës. Një marrëveshje e njëanshme i ka dhënë mundësi të pakufizuara Rusisë për shfrytëzimin e tokës, pajisjeve dhe burimeve të tjera në Sevastopol dhe në Krime.

Deri më tani flota ish-sovjetike e Detit të Zi dhe gjithë ato që përbëjnë bazën ishin ndarë midis Flotës Ruse të Detit të Zi dhe Forcave Detare të Ukrainës. Të dyja këto shfrytëzonin gjiret dhe strehimet ushtrake të qytetit. Sevastopoli mbeti bazë e shtabit të Flotës Ruse të Detit të Zi, ndërkohë që në të njëjtën kohë aty ishte dhe shtabi i forcave detare të Ukrainës.

Më 27 prill 2010, Rusia dhe Ukraina ratifikuan traktatin e Bazës Detare Ruso-Ukrainase për gaz, duke e zgjatur përdorimin nga rusët të bazës detare ukrainase për 25 vjet pas vitit 2017 (pra deri në vitin 2042) me një opsion për zgjatjen e përdorimit nga rusët.

 

Konferenca e Jaltës

Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore një nga ngjarjet më të mëdha ishte padyshim takimi i Tre të mëdhenjve të botës në Jaltë. Aty, në shkurt të vitit 1945, ndërsa ishte parë tatëpjeta e pakthyeshme e Hitlerit, Stalini, Çërçilli dhe Rusvelti, ndanë hartën e botës sipas këtij konfiguracioni që kemi edhe sot e kësaj dite. Konferenca e Jaltës ishte një takim diplomatik i krerëve aleatë Franklin D. Rusvelt (Shtetet e Bashkuara të Amerikës), Uinston Çërçill (Mbretëria e Bashkuar) dhe Josif Stalin (BRSS) e cila gjendet në vendpushimin Crimean të Jaltës, 4 në 11 Shkurt 1945. Ky ishte takimi i dytë i tre aleatëve të mëdhenj gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), pas atij në Teheran. Temat e konferencës ishin kryesisht ndarjen e Gjermanisë dhe shpërndarjen e energjisë në Evropë pas përfundimit të luftës.

Çërçill, Rusvelt dhe Stalini në Konferencën e Jaltës, shkurt 1945
Çërçill, Rusvelt dhe Stalini në Konferencën e Jaltës, shkurt 1945

Ajo që u quajt konferenca e Krimesë, u mbajt në pallatin e vjetër veror të Carit Nikola II, në periferi të Jaltës. Ndërsa duheshin edhe rreth tre muaj nga fitorja përfundimtare mbi gjermanët, Çërçilli dhe Stalini u përqendruan më shumë në ndarjen e Europës në zona të influencës politike, se sa mbi çështjet ushtarake të luftës. Gjermania do të ndahej në katër zona të okupuara, që do të administroheshin prej tre fuqive të mëdha (përfshi dhe Francën), si dhe do të çmilitarizohej, ndërsa kriminelët e luftës do i dorëzoheshin gjykatës. Britania dhe Amerika do të mbikëqyrnin tranzicionin demokratik në vende të tilla si Italia, Austria dhe Greqia.Plane definitive u bënë për themelimin e OKB-së, dhe një konferencë inaugurimi u vendos të mbahej në prill në San Francisco (SHBA).

Presidenti Rusvelt, në gjendje të dobet shëndetësore (vetëm dy muaj para se të vdiste) i përqëndroi përpjekjet e tij në marrjen e mbështetjes sovjetike për luftën amerikane kundër Japonisë. Shumë prej marrëveshjeve të Jaltes mbetën sekret deri pas përfundimit të Luftës II Botërore, ndërsa ato që u publikuan, të tilla si plani i Aleatëve për Gjermaninë dhe për krijimin e OKB-së, u përshëndetën gjerësisht. Rusvelti u kthye ne SHBA shumë i sëmurë, dhe kur ai shkoi në Kongresin amerikan për të komunikuar rezultatet e Jaltës, nuk mundi të qendrojë dot as në këmbë. Në fjalën e tij, ai e quajti konferencën “një pike kthese, unë shpresoj, në historinë tonë, dhe gjithashtu në historinë e botës”. Ai nuk do të jetonte më gjatë, që të shihte “perden e hekurt” të ndarjes së Luftës së Ftohtë që u vendos në Jalte. Më 12 prill ai vdiq nga një hemorragji cerebrale.

 

Disa të dhëna për Krimenë:

Kryeqyteti dhe qyteti më i madh në vend: Simferopol

Gjuha zyrtare: Rusishtja

Përbërja etnike (2001):  58.32% Rusë; 4.32% Ukrainas;  12.10% krimean tatars.

Pavarësia nga Perandoia ruse: 13 dhjetor 1917

Pushtimi sovjetik: Janar 1918

Protektorati gjerman: Prill 1918

Pushtimi i dytë sovjetik: Prill 1919

Rajon i Rusisë Jugore: Qershor 1919

Autonomia e Rusisë Sovjetike: Tetor 1921

Okupimi nazist gjerman: 1941-1943

Autonomi e cunguar: Qershor 1945

Kalimi me Ukrainën: Shkurt 1954

Ukraina rivendos autonominë: Shkurt 1991

Referendumi për t’u ribashkuar me Rusinë: 16 mars 2014

Sipërfaqja 26,100 km2

Populsia: në vitin 2007 llogaritej 1,973,185 banorë

Sipas censusit të vitit  2001: 2,033,700 banorë

Share This Article
6 Comments
  • Nje shjkrim me informacionin qe na mungon te gjitheve, se ne diskutojme me zell kur eshte fjlaa per luftra e konfliket e luftra dhe duket sikur ne i dime mire se ku shkon bota por jo s’eshte dhe aq e lehte dhe sidomos kjo vlen per analistet e gjithologet tane flasin dhe gjykojne pa patur infromacionin e plote. Le te falenderojme Z. Xhevdet Shehu per kete tablo te plote dhe te sakte te historise qe lidhet me te djeshmen dhe te sotmen e Krimese, Rusise, por dhe superfuqive te kohes Amerikes dhe Evropes qe ende’ sot s’merret dot vesh me Rusine e madhe…….!!!!!!!!!

  • Xhotë? Për këtë shkrim ke një dopjo raki nga jotja por që do të ta jap unë? Bukur e ke shkruar! Por mendoj se duhet edhe një shkrim tjetër me idenë kush ka me shume te drejtë ta ketë Krimene,- Ukraina apo Rusia? Shumë gjera janë thënë por prapë e kemi te vështirë të përcaktojmë: kujt i takon? Historikisht,politikisht,ushtarakisht dhe sidomos juridikisht? Nderime xhotë!

  • VR !!! Xhotë? Për këtë shkrim ke një dopjo raki nga jotja por që do të ta jap unë? Bukur e ke shkruar! Por mendoj se duhet edhe një shkrim tjetër me idenë kush ka me shume te drejtë ta ketë Krimene,- Ukraina apo Rusia? Shumë gjera janë thënë por prapë e kemi te vështirë të përcaktojmë: kujt i takon? Historikisht,politikisht,ushtarakisht dhe sidomos juridikisht? Nderime xhotë!

  • Edhe ne hekaljotët kemi luftuar në krime. Na takon neve,as ukrainës,as putinit? Komandanti i pare i krimesë ka qenë Rrapo Hekali !

  • Krimeja na takon neve re ? Mbreti i pare i krimese ka qené “lala i parë”. O po këta hekaljotet tërë jetën pushtues te historisë mbeten. Mbreti i parë i krimesë ka qënë “lala i parë” dhe pikë! Ne i kemi mbjellë kallëmat në krime!?

  • Krimea eshte e Rusise ashtu sic California, Texas, etj jane te Meksikes.
    Shume akuzojne Rusine por askush nuk e ngre zerin per faktin qe Amerika i ka marre tokat Meksikes gjate luftes Meksike – Amerike.

    Ah, ky lavazhi i trurit amerikan………….

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *