EC3 do të drejtohet nga ish-shefi i policisë daneze. Ajo do të bashkëpunojë me Komunitetin Evropian, kompanitë e internetit, si: ‘Microsoft’, ‘Google’, ‘Symantec’, si dhe do ta shtrijë veprimtarinë e saj në sistemet me pagesë ‘online’ si: VISA, MasterCard dhe Paypal
Qendra Evropiane për Krimin Kibernetik (European CyberCrime Center) lindi në fshehtësi, ashtu siç ndodh me forcat speciale të sigurisë, e megjithatë më 11 janar ajo përuroi zyrtarisht selinë e saj në Hagë, e cila do të jetë dhe një nga pikat nevralgjike të luftës kundër krimit dixhital. Ajo është arma mbrojtëse e Bashkimit Evropian kundër krimeve përmes internetit. Këto të fundit zhvillojnë veprimtarinë e tyre me anë të viruseve të destinuara ndaj përdoruesve individualë të internetit e mbi të gjitha, me operacionet më të sofistikuara që kanë si synim bllokimin e adresave zyrtare të institucioneve publike e private (si p.sh. bankat), për të vjedhur kështu të dhëna ose për të shkëmbyer informacione.
Ndjeshmëria e Komisionit Evropian në fushën e sigurisë informatike është theksuar në shumë raste. Më i fundit ishte paraqitja e çështjes së sigurisë informatike midis përparësive, e prezantuar para Krishtlindjeve nga Nili Krois, komisioner i Axhendës Dixhitale të Evropës.
Kush, ku, me çfarë të ardhurash?
Qendra Evropiane për Krimin Kibernetik (EC3) përbëhet nga 43 ekspertë sigurie. Ata do të ndërmarrin masa efikase për të mbrojtur interesat e përdoruesve (institucione publike dhe private) të rrjeteve dixhitale dhe për të shkatërruar organizatat kriminale që fshihen pas shifrimit anonim për të komunikuar lirshëm në internet, pa qenë të rrezikuar nga gjurmimi apo zbulimi.
Troels Orting, ish-kreu i policisë daneze, me një përvojë të gjatë në njësinë kundër krimit teknologjik, është caktuar në pozicionin e drejtuesit të EC3. Ai do të koordinojë punën e policisë informatike, zyrat e së cilës janë vendosur në ndërtesën e Europolit në Hagë. Buxheti i 2013-s për njësinë e sapokrijuar është 7 milionë euro nga 80 milionë që janë vënë në dispozicion të Europolit. Në këtë kohë krize nuk është e thjeshtë tërheqja e fondeve shtesë, por ishte angazhimi i Komisionit Evropian që e bëri realitet projektin e EC3 pikërisht falë buxhetit të Europolit dhe objektivi i radhës është që në të ardhmen të shumëfishohen paratë e vëna në dispozicion të kësaj njësie.
Mjetet dhe bashkëpunimi
Për momentin skuadra e ekspertëve po punon në dhomën e inovacioneve kibernetike, pjesë e laboratorit që është në fazën e ndërtimit. Në dispozicion të policëve të rrjetit është edhe një ambient dixhital, ku do të testohen programet e dëmshme dhe ku mund të shqyrtohen të gjitha pikat delikate të programeve, në veçanti ato të smartfonëve.
EC3 do të bashkëpunojë jo vetëm me njësitë kundër krimit informatik në vendet anëtare të BE-së, por edhe me disa nga institucionet e komunitetit evropian si p.sh. me Agjencinë Evropiane për Sigurinë e Rrjetit dhe Informacioneve (ENISA), me Kolegjin Evropian të Policisë, si dhe me Eurojustin. “Qendra Evropiane për Krimin Kibernetik nuk do të kufizohet vetëm në kontinentin e vjetër. Raporte shumë të mira kemi me FBI-në, shërbimet sekrete të Shteteve të Bashkuara, me disa kompani të mëdha në internet, si: ‘Microsoft’, ‘Google’, ‘Symantec’ dhe ‘McAfee’, gjithashtu edhe me sistemet kryesore të pagesave nëpërmjet internetit, si: VISA, MasterCard dhe Paypal”, thekson Troels Orting.
Pra, radha e të ‘mirëve’ po rritet, në të njëjtën linjë me kriminalitetin që është bërë më agresiv e njëkohësisht më i rafinuar duke përdorur metoda ‘online’. “Të shpresojmë që do të jetë e mjaftueshme, por në hapësirën kibernetike asgjë nuk është e sigurtë, dhe ne duhet të tregohemi të gatshëm që të përballemi me këtë realitet”, shtoi Orting.
Somario: Buxheti i 2013-s për njësinë e sapo krijuar është 7 milionë euro nga të 80 milionë që janë vënë në dispozicion të Europolit