Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara të Amërikës ka miratuar një rezolutë përmes të cilës i kërkon Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyçi, shtetas amerikanë që u vranë në vitin 1999.
Në rezolutën e miratuar të martën thuhet se “Shtetet e Bashkuara duhet t’iu kushtojnë vëmendje përpjekjeve të Qeverisë së Serbisë dhe ministrave të saj përkatës, si dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët po ndërmarrin hapa për të hetuar dhe ndjekur penalisht personat që besohet se janë përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Bytyçi. Përparimi në zgjidhjen e këtij rasti, ose mungesa e vullnetit, duhet të jenë faktor i rëndësishëm në përcaktimin e zhvillimit të ardhshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”, thuhet mes tjerash në dokument.
Rezoluta u referohet fakteve rreth vrasjes bashkë me përfshirjen e ish zëvendës-ministrit të Brendshëm të Serbisë, Vlastimir Gjorgjeviç dhe Goran Radosavleviçit. Ajo iu referohet edhe premtimeve të papërmbushura të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç.
Por miratimi i rezolutës nuk duket se e ka shqetësuar ish-komandantin e xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviç, i ashtuquajtur Guri, ndonëse të dyshuarit kryesor të këtij krimi janë pjesëtarët e kësaj njësie.
Ai ka deklaruar:“Nuk jam i shqetësuar”, duke shtuar se“Edhe në të kaluarën kanë miratuar rezoluta.”
Zyra e Prokurorisë për Krime të Luftës në Serbi se po heton autorët e panjohur në lidhje me vrasjen e vëllezërve Bytyçi.
“Prokuroria për Krime të Luftës vepron në këtë mënyrë: mbledh provat dhe të dhënat e nevojshme që të vendoset nëse do të ngrit aktakuzë, pastaj mbledh provat e nevojshme për të vërtetuar identitetin e autorit, si dhe provat për të cilat ka rrezik se nuk do të mund të përsëriten gjatë shqyrtimit gjyqësor, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale “, thuhet në deklaratën e Prokurorisë së Serbisë.
Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin ish- pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku, i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët iu bashkuan luftës në Kosovë.
Në muajin korrik të vitit 1999 ata ishin arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë.
Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish-Jugosllavisë.
Në rezolutë shkruhet se potencialisht trupat tyre u gjetën në një varrezë masive në Petrovo Selo në Serbinë lindore, në një bazë të kontrolluar nga njësitë që komandoheshin nga ish gjenerali i policisë serbe, Goran Radosavleviç. Ata ishin me duar të lidhura dhe ishin qëlluar në kokë.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka mirëpritur miratimin e rezolutës për vëllezërit Bytyçi nga Senati i SHBA-së, duke theksuar se ky institucion i lartë përmes kësaj rezolute shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyçi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999.
Në rrjetin social Facebook, presidenti i Kosovës shkruan: “Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyçi më në fund do të vihet në vend”.
Kurse kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka shkruar po ashtu në Facebook se miratimi në mënyrë unanime i rezolutës për vëllezërit Bytyçi, është një lajm i mirë, jo vetëm për këtë familje, por edhe për dëshmimin e krimeve të pushtetit serb, të kryera në Kosovë.
Haradinaj shkruan: “Fshehja dhe mohimi i vrasjes së Yllit, Agronit e Mehmetit, është krim i dyfisht që i bëhet familjes Bytyçi, popullit të Kosovës, por edhe gjithë historisë së shqiptarëve, luftës për çlirim dhe sakrificës për liri. Kjo rezolutë, e miratuar nga SHBA, si mbrojtëse e vlerave njerëzore dhe demokracisë, është mesazh i qartë për shtetin serb, se pranimi i fajësisë dhe vendosja para drejtësisë e akterëve të masakrave dhe vrasjes së shqiptarëve, është rruga e vetme drejt paqes dhe stabilitetit në rajon”.
Kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, Eliot Engel është shprehur se kjo çështje ishte e rëndësishme për të, duke pasur parasysh lidhjet me komunitetin shqiptar dhe se ai e njeh personalisht familjen e vëllezërve.
Engel tha se ai e di që autoritetet serbe kanë njohuri se kush janë personat përgjegjës, duke shtuar: “Nëse Serbia do që të bashkohet me perëndimin, ajo duhet të përballet me të shkuarën dhe të pranojë përgjegjësinë”.
Menjëherë pas miratimit të rezolutës ka reaguar vëllai i Yllit, Agronit dhe Mehmetit, Ilir Bytyçi, duke shprehur vlerësimin e familjes së tij për rezolutën: “Shpresojmë që i Dërguari i Posaçëm, Matt Palmer dhe i Dërguari i Posaçëm Rich Grenell t’i dëgjojnë këto zëra dhe ta bëjnë përparësi çështjen e vëllezërve Bytyçi dhe drejtësinë për krimet e luftës në punën e tyre. Sot Kongresi tregoi se viktimat nuk mund të injorohen”.
Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes./ rel
e.ll./dita

Amerika po përdor dy standarte të ndryshme për Sërbinë dhe Dardaninë.
Kur bëhet fjalë për UÇK-në, gjyqet dhe proçeset hapen shumë shpejt dhe pothuajse të gjothë antarët e UÇK-së janë thirrur në Hagë , por kur bëhet fjalë për Kasapët Sërbë , çështjet vonohen dhe madje s’hapen fare dhe me përjashtim të 4-5 personave asnjë Kasap Sërb ska shkuar në Hagë për gjykim, madje shumica e tyre gëzon dhe sot poste të larta pa ju hyrë gjëmb në këmbë.