DITA: Cilët janë faktorët që ndikojnë në rritjen e valës së krimit? Çfarë e energjizon atë?
SHKRUAN: Genci Burimi
Pyetja juaj merr si të mirëqenë rritjen e valës së krimit. Me publikun duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe të mos përhapim psikozë paniku nëse nuk jemi të sigurt për shifrat. Psikoza ndikon më pas në përkeqësimin e marrëdhënieve sociale midis individëve. Kjo sjell me efekt rikoshetë një rritje të tendencave kriminale.
Për ta zbutur pak atmosferen, po citoj gazetën humoristike franceze “Le Canard enchaîné” (Rosaku në zinxhirë), që tallet me Qipron në këtë moment në prag të falimentimit të sistemit bankar. Titulli është “Panik i përgjithshëm”, pasi presidenti qipriot për të shpëtuar vendin, ia ka lënë situatën në dorë guvernatorit të bankës së Qipros që quhet pikërisht Panik (panikos në gjuhën greke). Një shaka për të treguar se më shumë se realiteti, nganjëherë është psikoza që i rëndon gjërat.
Le të vijmë te krimi në Shqipëri. Ka padyshim një rritje të krimit e sidomos të vrasjeve në dy-tre vitet e fundit. Kjo rritje është vënë në evidencë si në raport me statistikat e viteve të kaluara, ashtu dhe me ato të rajonit ballkanik që e vendosin Shqipërinë në pozicionin më të keq.
Por do të thoja se kjo tendencë rritjeje e krimit në Shqipëri nuk më duket e pazakontë. Ndryshe nga vendet e tjera të rajonit apo dhe Evropës në përgjithësi, ku statistikat e krimit kanë një grafik linear, Shqipëria ka një grafik sinusoidal, domethënë me hope, me amplituda të jashtëzakonshme.
Një shembull. Duhet të dini se në fushën e krimit të rëndë (vrasjet) mbështetemi tek të dhënat e OKB-së (Departamenti i Drogës dhe Krimeve). Matjet bëhen mbi bazën e numrit të vrasjeve në 100 mijë banorë. Po ju jap statistikat e një dhjetëvjeçari, 2000 – 2010. Në Evropën Perëndimore rrallë kalohet masa e 1.5 vrasjeve për 100 mijë banorë dhe kjo është konstante në 10 vjet. Në vendet e Ballkanit rrallë kalohet masa e 2.5 vrasjeve në 100 mijë banorë, një shifer që luhatet pak në 10 vjet. Shqipëria regjistronte 50 vrasje (!) për 100 mijë banorë në vitin e tmerrshëm 1997. Ashensori fillon të bjerë në 18 vrasje /100 mijë banorë më 1998 dhe në 9 vrasje /100 mijë banorë me 2000.
Gjatë gjithë viteve 2000, vrasjet vazhdojnë të bien, arrijnë në thuajse 4 vrasje për 100 mijë banorë në momentin kur Partia Demokratike rivjen në pushtet më 2005. Në mandatin e parë pas rikthimit të së djathtës , 2005-2009, numri i vrasjeve ulet edhe më shumë. Ai arrin nivelin më të ulët historik që nga rënia e komunizmit, në 2,7 vrasje për 100 mijë banorë më 2009.
Veçse një vit më vonëe, më 2010 numri i vrasjeve rifillon ngritjen me 4 vrasje për 100 mijë banorë më 2010. Kjo rritje konfirmohet dhe rëndohet më 2011 dhe veçanërisht më 2012 ku nuk duhet të jemi larg 6 vrasjeve për 100 mijë banorë, megjithëse statistikat nuk janë ende gati.
Pra, konkluzioni që nxjerr unë, është se nuk duhet të panikohemi e të krijojmë psikozë, pasi siç e tregojnë shifrat këto luhatjeje në rënie e ngritje nuk janë të pazakonta për vendin tonë. Kjo s’duhet të na pengojë megjithatë të kërkojmë shkaqet e rifillimit të tendencës në rritje të vrasjeve që prej vitit 2010. Kjo përkon me shumë gjëra.
Sigurisht, në origjinë të kësaj rritjeje të krimit është kriza globale ekonomike që reflektohet dhe në Shqipëri në dy mënyra. E para me rënien e ekonomisë shqiptare që i bën njerëzit më të varfër dhe krijon një ambjent më kriminogjen. E dyta, kriza ekonomike globale bën që një numër shqiptarësh të kthehen në vendin e tyre pasi nuk kanë më perspektivë në tokë të huaj, dhe ky rikthim është po ashtu burim i mundshëm rihapjesh konfliktesh të vjetra, larjesh hesapesh dhe krimesh. Tjetër fenomen që ka ndodhur që prej 2010-s, është futja e Shqipërisë në zonën “Shengen”. Për vrasësit potencialë, kjo është një lloj rritje “imuniteti” që çon në rritje krimesh. Në kokën e një krimineli është më kollaj sot se dje të vrasësh e të marrësh avionin pa pritur vizën që të shpëtosh. Një tjetër hipotezë është dhe ndërtimi i autostradës që na lidh me Kosovën, që shton numrin e mjeteve që qarkullojnë dhe lidhjen më të madhe me një zone ku po ashtu ka shumë krime.
Shifrat përputhen, po në këtë periudhë ka dhe një shtim të procedimeve policore për armëmbajtje pa leje. Nga rreth 400 procedime që janë bërë në 2008, ky numër është dyfishuar , pasi janë rreth 800 kapje armëmbajtjesh pa leje më 2011 ! Dhe logjikisht, po pati më shumë armë në qarkullim, ka dhe më shumë vrasje.
Pra, konstatimi i parë: ka një rritje krimesh në këto 2-3 vjet, megjithëse nuk është i jashtëzakonshëm po të kemi parasysh të shkuarën.
Konstatimi i dytë, kjo rritje e krimit përkon me krizën ekonomike, por dhe me aksesin më të madh të shqiptarëve në globalizim (“Shengen”, autostradë ndërkombëtare etj).
Vijmë tek konstatimi i tretë, terapia. Pasi këtu është dhe debati. Nuk është rastësi që ky debat plas tani që jemi në fushatë elektorale. Për të djathtën në pushtet policia po tregon profesionalizëm, heroizëm dhe rritja e krimit është thjesht, sipas saj, tregues i hetimeve dhe procedimeve më të mëdha që bën policia. Për të majtën që do pushtetin, kjo në të kundërt, është një fiasko pikërisht pasi policia e papaguar mirë dhe e tradhtuar nga brenda nuk vepron në ato masa që do të nevojitej kundra krimit galopant.
Për mua, të dyja palët harrojnë një gjë më të thjeshtë. Investimin më të madh që duhet të kryejë shteti në rritjen e sigurisë së shtetasve. Si e djathta dhe e majta e shohin këtë investim të nevojshëm vetëm në prizmin e “përkëdheljes” së forcave policore, duke u ngritur rrogën dhe mirëqenien këtij korpusi funksionarësh (e djathta thotë e kam bërë, e majta premton ta bëjë). Për mua, kjo përgjigje është e pjesshme. Ajo madje shtron një problem moral. Po s’i rrite rrogën, polici e lë krimin të bëjë hatanë?! Ç’është kjo logjikë?! Po s’i pëlqeu rroga, polici më mirë mos të hyjë fare në polici dhe të bëjë zanat tjetër.
Pasi me këtë lloj shantazhi hapet kutia e Pandorës. Shoferët e autobusëve , po s’u rrite rrogën të rrëzojnë automjetin, infermierët e doktorët të vrasin pacientët, gjykatësit të lirojnë kriminelët dhe punonjësit e hidrocentraleve të hapin dyert e digave?
Ç’është kjo logjikë perverse e administrimit të administratës publike që kërkon të fusë si PD-ja, dhe PS-ja, rënia e krimit baraz me rritjen e rrogave? Në perëndim një logjikë e tillë do të ishte e papranueshme. Ka vetëm një përgjigje kundër rritjes së krimit: Të rriten jo vetëm rrogat, por në radhë të parë mjetet e punës së policëve. Me këtë nënkuptoj jo vetëm automjete, por mjete edhe më të sofistikuara, ato më bashkëkohoret, siç janë laboratorë modernë që të zbulohet krimineli me analiza ADN, më të pagabueshmet dhe më të sigurtat. Po a e dini sa kushton kjo? Veçse siguria e ka një çmim, dhe jo llomotitje fushatash.
Na duhet një polici interneti, pasi dhe aty krimi bën kërdinë e lë gjurmë, sidomos kur kemi të bëjmë me krim në përmasa ndërkombëtare. A e dini sa kushton të formosh e të rekrutosh saiber-policë që do të kalojnë orë të tëra në internet? E thashë, siguria e shtetasve e ka një çmim. A janë gati politikanët të vënë fondet në tavoline, dhe sa?
Ja për çfarë duhet të flitet në një fushatë: me shifra konkrete. Së fundi, do të ndërmerrja dhe ndryshime në legjislacion për ta trembur edhe më shumë kriminelin. Nuk është fjala tek rëndesa e masës së burgimit, pasi legjislacioni ynë është i mjaftueshëm, por dhe tek penalitetet financiare që duhet të pësojë vrasësi për dëmin ekonomik që i shkakton familjes së të vrarit. Dhe ky dëm të paguhet solidarisht nga familja e vrasësit sa herë që ky i fundit është i martuar pa kontratë, siç është në përgjithësi rasti në Shqipëri.
Kur të shohë vrasësi se i sekuestrohet gjithshka pas vrasjes, kjo do ta bëjë të mendohet edhe më shumë para krimit. E njëjta gjë dhe për tentativat për vrasje, ku mund të futet dimensioni i shokut psikologjik të viktimës që justifikon pagesën e një gjobe të papërballueshme nga fajtori.
Çdo mjet duhet përdorur për të fshirë logjikën perverse të pandëshkueshmërisë në Shqipëri, shkaku i vërtetë që bën të lulëzojë krimi në Shqipëri.