Ka 20 vjet që Bashkimi Evropian vë si kusht kryesor ndaj politikës shqiptare luftën dhe rezultate kundër krimit të organizuar. Tendenca e evropianëve dhe aleatëve, është pozitive e pasqyruar konkretisht, në pranimin në NAT O, në Shengen, mbështetja e fortë financiare aktualisht si asnjëherë tjetër e Bankës Botërore. Por ngulet këmbë dhe është vënë si barrierë reale, konkretizimi i luftës kundër krimit të organizuar. Kjo ngulmohet për Shqipërinë më shumë, se ndaj vendeve të tjera evropiane, pranuar vitet e fundit. Asnjë nuk duhet të dyshojë se evropianët e njohin situatën kriminale këtu, më mirë se ne. Atyre nuk mundemi t’ua hedhim me veprime fshatareske. Përgjegjësia politike, morale dhe ligjore për këtë situatë është kryesisht tek drejtuesit politikë të së ashtuquajturës së djathtë, duke mos përjashtuar edhe të tjerët. Mjafton t’u hedhim një sy pasurive aktuale, pjesës mbiujëse të ajsbergut të formuar nga krimi dhe korrupsioni ndër vite. Pasuritë disa milionëshe që dalin kohë mbasi kanë qeverisur. Mendimi i atyre pak specialistëve të vërtetë që janë specializuar e kanë punuar në këtë fushë në Shqipëri, është se aleatët në Evropë e më gjerë, e shohin kështu Shqipërinë aktuale, në fushën e krimit të organizuar. Bazuar në Konventën e Palermos 2000 dhe legjislacionit të çdo shteti aderuar në të, përveç të tjerave, SHBA, BE, KE, nënvizojnë se një nga objektivat kryesore që kanë organizatat e Krimit të Organizuar, është KAPJA E SHTETIT. Gjithmonë e më shumë (e them në formë të përmbledhur) theksojnë se treguesi më i sigurt i shkallës së lartë të kapjes së shtetit nga krimi i organizuar ndodh në ato vende, kur ekzekutivi e sidomos legjislativi miraton vendime, urdhëresa dhe ligje që u shërbejnë pasurimit të organizatave kriminale, akte të cilat në përgjithësi e në forma të ndryshme iniciohen e sponsorizohen nga këto organizata. Kjo histori në Shqipëri ka filluar nga vitet ‘90 e në vazhdim. Raporti i intensitetit të këtyre veprimeve, mes nesh dhe vendeve në rajon është shumë shqetësues. Ato u filluan me miratimin e urdhëresave dhe ligjeve për shitjen e privatizimin e pronave e pasurive publike ish-socialiste, duke vazhduar me koncesionet e marrëveshjet në telefoni, miniera, naftë, financë, energjitikë, transport etj. Këto akte filluan dhe u shtuan në mbështetje të veprimeve gllabëruese, pasojat negative të cilave vazhdojnë dhe sot. Ato janë të dokumentuara dhe nuk mund të anashkalohen. Unikale janë mënyra si janë kaluar, aktet dhe ligjet të kësaj natyre, për administrimin e pasurisë disa miliardëshe dhe pronave të mbrojtjes, ndërtimi i rrugës Durrës-Morinë, shitja e hidrocentraleve, ligjet dhe dhëniet e koncesioneve, fitmet qindra milion euro të dokumenteve të identifikimit, lojërave të fatit, pullat fiskale e kontrolli në dogana. Në procesin ligjformues, për këto akte, Politika dhe Qeveritë Shqiptare kanë tejkaluar çdo limit. Përveç të tjerave këto veprime të politikanëve kanë çuar në shkatërrimin e vendit deri të viktimave të pafajshme duke çuar në maksimum përfitimet e forcimet e organizatave shqiptare të krimit. Por sinjali më i freskët dhe i rëndë, i cili i vë vulën, e tregon nivelin e lartë të kapjes së shtetit shqiptar nga krimi është: Deklarata e ekzekutivit të SHBA-ve nëpërmjet ambasadës në Tiranë. “NUK DO TË LEJOHEN POLITIKANËT SHQIPTARË TË INKRIMINUAR TË FUTEN NË TERRITORIN AMERIKAN”. Kjo pas disa paralajmërime radhazi e diplomatike të kësaj natyre. Këtë lloj vendimi të rrallë, qeveria amerikane e ka marrë nominalisht, për diktatorët i inkriminuar në Kore, Amerikën Latine, Azi e Afrikë, për drejtuesit e terrorizmit botëror, baronët e drogës etj. E zhveshur nga çdo diplomaci direkte. Ashpërsia e paralajmërimit serioz është më e fortë se presioni dhe paralajmërimi bërë prej saj për fenomenin Lazarat. Çuditërisht po kalohet pothuajse në heshtje, qoftë dhe nga mediat. Kjo tërheqje veshi tregon se përveç dëshirës për të ndihmuar një vend aleat, situata e padëshiruar me Krimin e Organizuar në Shqipëri, mund dhe bëhet pengesë edhe për arritjen e objektivave strategjike të aleatëve në rajon. Për zbulimin, dokumentimin, procedimin, ndërprerjen, dënimin dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga Krimi i Organizuar, shqiptarët paguajnë strukturat e Policisë, Shish, Prokurori dhe Gjykatë, puna deri më sot e kësaj ushtrie të kushtueshme është pothuajse Zero. Po të analizosh në përgjithësi dhe në veçanti proceset kryesore, duket sikur këto struktura janë në simbiozë që të mos dënohet kjo figurë krimi. Kjo ndodh për tre arsye. Inkriminimi i pjesëtarëve te vetë strukturave, niveli profesional i ulët dhe politizimi i tyre. Këto tre dukuri, plotësojnë njëra-tjetrën, duke çuar në mosndëshkimin e krimit. Në të gjitha fazat e procesit antikrim, gabimet ose atë që nuk realizon policia, e plotëson keq prokuroria dhe si përfundim, atë që mbetet, i vë vulën me “drejtësi të kulluar moderne” gjykata. Policia e Shtetit është organi kryesor i luftës kundër krimit të organizuar. Policia kriminale dhe ajo e rendit, kanë përgjegjësinë kryesore që duhet të mbledhin e administrojnë indiciet, zbulojnë e dokumentojnë veprimtarinë kriminale, pa këto veprime nuk mund të vazhdohet më tutje. Por deri tashti asnjë proces kriminal me pasoja tej e të rënda për vendin nuk është iniciuar, megjithëse funksionon edhe një sektor i specializuar “krimi ekonomik e financiar”, krimi nuk është ndëshkuar dhe nuk janë marrë pasuritë e kësaj veprimtarie kriminale. Edhe kur fillohet ndonjë proces interesant, bëhen “gabime” dhe shuhet, çuditërisht pa filluar mirë. Për të patur një ide më të qartë, për të kuptuar kush e drejton këtë luftë, duhet të analizojmë stafin drejtues të sektorëve, nga shef komisariati e lart. Ka shumë të paftë që kanë dhënë prova për këtë. Me formim tekniko-profesional të mjerueshëm, diploma të dyshimta, mungesë të plotë eksperiencës në punë, që vazhdimisht kanë shfaqur frikë e servilizëm në punën e jetën e tyre, duke lënë në mes ose duke mbuluar shumë hetime të rëndësishme policore. Pjesa më e madhe e tyre nuk kupton kur lexon një faturë shitjeje apo shoqërimi malli e jo më të kuptoje bilancet e subjekteve ekonomike apo veprimet financiare që janë alfa e krimit të organizuar. Se si e katandisi drejtim politik i PD-së Policinë të gjithë e dimë. Pastrimi sa u fillua dhe u la në mes. Në botë, kur një drejtues policie është korruptuar qoftë edhe një herë nga krimi, nuk ka garanci dhe nuk është në gjendje të drejtojë në të ardhmen strukturat antikrim. Kjo vërtetohet me punën e rezultatet aktuale dhe duket më së miri me cilësinë e ligjit të ri të policisë që me të drejtë, u kthye nga Gjykata Kushtetuese. Ekzekutivi aktual, për një kohe të shkurtër ka realizuar reforma cilësore, si ajo e pushtetit vendor, në energjitikë etj. Por reforma në polici ka prioritet absolut. Propozimi për FBI-në shqiptare, referuar kapitullit në ligj, është foshnjarak. FBI-ja është superstrukturë që vepron në dhjetëra shtete të Amerikës, me probleme, popullsi, legjislacione e kriminalitet, ekonomi, zakone e mentalitete të ndryshme. Është mirë që drejtuesit e policisë shqiptare të mos i bezdisin e lënë pa punë drejtuesit e FBI-së dhe policive evropiane. Është mirë që ata të mos tërhiqen kot në problemet tona, sa për tu dukur e treguar që ne po “punojmë”. Mund të mjaftohemi vetëm duke ju kërkuar specialistë për ndihmë konkrete ne ndjekjen e krimit te organizuar si edhe për pajisje vëzhgimi, përgjimi, transporti etj., qoftë nga ato që ata i nxjerrin jashtë përdorimit, por që policisë tonë të varfër i bëjnë shumë punë. Nisur nga specifika shqiptare dhe përvoja e deritanishme 25 vjeçare, reformën në polici mund ta bëjnë vetëm shqiptarët. Megjithëse dëshira e ministrit për reformë në polici nuk mungon, por ai e ka të pamundur. Provat për këto 18 muaj janë dhënë. Të pretendosh ideimin dhe realizimin e një reforme në polici, me drejtuesit aktualë është njësoj si t’i kërkosh Alush Shimës të krijojë një vepër si Guernikën e Pikasos. Specialistët mendojnë se Kryeministrit nuk i mungon dëshira dhe mundohet ta transformojë policinë. Por duhet njohur gjendja reale. Për këtë, ai mund të organizojë një kontroll me pak persona që nuk kanë konflikt interesi me drejtuesit aktuale të cilët të verifikojnë, për jo më shumë se 10 ditë, vetëm katër probleme: 1. Kontrolli i statistikave dhe raportimeve aktuale të policisë, për 18 muaj, në statistikat periodike, vërtetësia e tyre. Kjo të realizohet vetëm nga dy specialistë të thjeshtë të institutit të statistikave. 2. Sondazh se çfarë thonë banorët e zonave rurale për policinë, sa vjet kanë pa parë në fshatrat e tyre dhe sa vjet kanë pa u ndihmuar nga policia. Po këto 18 muaj ka ndryshuar? 3. Të verifikohen treguesit e punës për 18 muaj në drejtim të rrjetit isekret të informatorëve, rekrutimit nga policia kriminale, a janë të vërteta shifrat e raportuara. Çfarë është planifikuar dhe sa është realizuar konkretisht, sa kanë shërbyer ata si e vetmja forcë e vetme e pazëvendësueshme cilësore, në zbulimin e krimit. Sondazhet të jenë të sakta dhe nga njerëz pa konflikt interesi. 4. Të bëhet sondazh duke analizuar tre ose katër nga krimet kryesore të pazbuluara, si është punuar në to, e si janë realizuar detyrat e ngritura. Në përfundim, është mirë që drejtuesi politik i shtetit, të zhvillojë një bisedë personalisht me 10 drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit veç e veç, për t’i njohur kë ka. Reforma në rend duhet të ishte zhvilluar dhe përfunduar paralel me reformën e qeverisjes vendore, tashmë kjo nuk u arrit dhe do ta vështirësojnë atë. Prokuroria është organi kryesor i luftës kundër krimit të organizuar, përgjegjëse për rezultatet negative në këtë fushë. Shqiptarët e mençur, duke ndjerë në kurriz pasojat e krimit të organizuar dhe korrupsionit, votuan në bllok edhe për reformimin edhe të Prokurorisë, duke i dhënë mazhorancës politike drejtuese pothuajse të gjitha mundësitë për mirë. SHISH: në këtë strukturë të kushtueshme, një pjesë e mirë e saj paguhet për zbulimin e krimit të organizuar. Rezultatet deri më sot janë të papërfillshme. Këtu mbizotëron paaftësia e tejskajshme e sidomos politizimi. Si mundet kjo strukture të zbulojë krime kur në shumë pozicione, deri edhe drejtuese, janë persona që kanë punuar apo drejtuar veprimet antishqiptare të vitit 1997? Mazhoranca ka në dorë të fillojë realisht luftën kundër krimit të organizuar, veprim i vetëm serioz edhe ndaj aleatëve. Personat që do të verifikohen e do t’u hetohet pasuria e pajustifikueshme të jenë ata që kanë mbajtur poste nga i Kryeministrit dhe Presidentit, përfshi këtu dhe ndonjë të para 92-shit deri tek drejtorët e doganave, tatimeve dhe ndërmarrjeve energjitike e minerare. Kujtoni pasuritë aktuale të tyre, ndryshimet dhe justifikimin banal në deklaratat e tyre. Kjo listë nuk do të jetë më e madhe se rreth 100 persona për t’u verifikuar. Grupi që mund ta realizojë këtë detyrë duhet të jetë jo më shumë se 20 persona. 15 oficerë profesionistë të depolitizuar, të policisë gjyqësore 3 prokurorë që mund të gjenden të aftë e të pa kompromentuar. Është mirë që në të, të merret ndonjë specialist amerikan, italian, rumun apo kroat që e njohin dhe kanë patur rezultate në këtë proces, në rolin e këshilltarit. Në mbështetje është i domosdoshëm një grup i vogël profesionistësh finance dhe të ILDKP. Pasojat e krimit të organizuar dhe korrupsioni, detyruan shqiptarët për votimin plebishitar të 23 qershorit. Ky është faktori kryesor që e çoi PD-në në opozitë dhe pasojat e pakthyeshme të tij do ta shkërmoqin atë plotësisht së shpejti. Por mos kufizimi i këtij fenomeni në qeverisje, nga mazhoranca e sotme dhe mungesa e luftës kundër tij, nuk është çudi që pas dy vjetësh t’i rezervojë asaj të njëjtin fat.

Keto shkrime pa kuptim e permbajtje,ku artikullshkruesi mundohet te bej nje analize por pa nxjerr konkluzion,me kujton nje far B.Sh,kaotik ne mendje por jo ne vjedhje gjate kohes kur punonte ne polici dhe me pas ne policine financiare,por qe i humbte sa fitonte ne bixhos.
Per mendimin tim,analiza eshte mjaft e detajuar,e mire trajtuar dhe me sugjerimet e duhura. Eshte humbur shume kohe deri tani,sepse ka munguar vullneti per te luftuar realisht krimin.Kjo ndodh,sepse krimi ka depertuar thelle,deri ne dejet kryesore te politikes e te mediave,te cilet jane edhe organizuesit e drejtuesit kryesore te krimit te organizuar.Kjo na ben qe ta shohim me mosbesim gjithecka qe thuhet e behet per luften kunder krimit.
Lexoj hera heres kete autor. Me terheq vemendjen perpjekja e tij per tu kujtuar organeve pergjegjese. strukturave te drejtperdrejta te shtetit dhe administrates shterore, politikaneve, qytetarit shqiptar, se ne Shqiperi prej me se 20 vjetesh , pothuajse asnjehere nuk jane vene para pergjegjesise shkaktret kryesor te katraures sociale e kombetare .Ska asnje pergjegje dhe pergjegjes per shkateriimin e ekonomise, per vjedhjen e shitjen e rezervave, per pronesimin fiktiv te fondit kombetar te tokes, per nxjerrjen ne ankand “nje euro'” te pasurise se mbetur,per faljen Greqise te rajoneve detare, per ngjarje me permasa katastrifike e masakra si hapja dhe grbitjen e depove te ushtrise dhe rezervave shteterore, per Gerdecin, per grushtin e shtetit te viti 98, per 21 janarin etj etj.Keto jane meraku i ketij autori por pa dyshim edhe meraku i qytetarit shqiptar qe prej dhjetra vjetesh ka humbur sigurine dhe shpreson ta gjeje ate ne emigracion. E pershendes kurajon e ketij autori per ti demaskuar pergjegjesit kryesor shqqiptar te kesaj katraure dhe i uroj konseguence ne thirrjen e tij per venjen para pergjegjesise te krimineleve. Une jam i bindur qe nje dite jo te larget populli do te shoh ne bangon e te akuzuareve kriminelet e vertete qe i vrane atij shpresen dhe besoj se kjo dite do te vij athere kur mergimtaret e pervuajtur do te kthehen ne atdhe bashke me shpresen e ringjallur.