Krimi që pashë me sytë e mi

Dita

Shënime për librin e Profesoreshë Teuta Hadri

Nga Bedri Islami

Nuk është thjeshtë një libër, është një histori. Një histori jo individuale, jo e një njeriu të vetëm, jo e një stadi të caktuar, por në fakt historia tragjike e një populli, i cili, në fundin e shekullit të shkuar, vendosi  të marrë përsipër një mision fisnik, të papërsëritshëm dhe që dukej i harruar, vendosi të përmbysë një botë, e cila dukej e papërmbytshme dhe të cilën e përmbyti. Nuk është thjeshtë një libër, por një britmë njerëzore, ku janë përmbledhur vuajtjet, qëndresa, mendimi, shpirti, thelbi i një populli, të cilat së bashku përbëjnë atë që ne e quajmë histori të kombit.

Shqiptarët në përgjithësi, ndryshe nga shume popuj të tjerë rrallë herë e kanë identifikuar veten me shtetin, por gjithherë e kanë personifikuar me kombin, dhe, edhe në çastet kur mbi to ka rënduar pesha e rëndë e shtypjes, kanë gjetur në veten e tyre, në qenien e brendshme të shpirtit, pikërisht atë forcë që u është dashur për të ngritur të ardhmen.  Është e vërtetë se kjo histori ka ardhur përmes një libri, por përmasat, gjerësia dhe shpirti janë kaq shumë dimensionale, kaq njerëzore dhe tragjike, aq shumë shpirtërore dhe madhore, saqë edhe nëse nuk duam, ajo është tashmë histori.

Dhe këtë histori e ka sjellë sot, me një dinjitet të jashtëzakonshëm njerëzor dhe mjeshtëri të rrallë të fjalës së shkruar një emër i njohur i lëvizjes së rezistencës për lirinë e Kosovës, njëra ndër figurat më madhore të kësaj rezistence, veprimtare e shquar dhe humaniste e pashoqe, Dr. Teuta Hadri.

Teuta Hadri

E ka shkruar me pasion, saktësi, me fjalë të zemrës së ciflosur nga plagët që kishte ajo pjesë e Atdheut tonë të përbashkët, Kosovës, e ka shkruar jo vetëm me fjalët e saj, por edhe me fjalët e fisit të saj, me përkushtimin e dhënë në breza dhe me atë mallin për vendin ku është rritur, që i është përkushtuar dhe ku ishte e gatshme të vendoste kokën e saj nën flijimin.

Ky është një libër i veçantë, tejet i veçantë, është libër kushtrim dhe libër akuzë, ashtu si ka qenë vetë historia jonë, është libri i dhimbjeve dhe libri i shpresës, i së vërtetës dhe i një periudhe të ndritur, e cila, duan apo s’duan krakavitjet qyqare, ajo do të mbesë në historinë e kombit tonë si periudha e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Është një libër që nuk e shkruan kushdo, sepse për të sjellë tek një libër të tillë, Ditar në dy vëllime, viti 1998 dhe viti 1999, duhet të bartësh mbi vete disa parakushte themelore, të cilat në të janë mohuar edhe sikur të jesh mjeshtër i fjalës së gjuhës së bukur shqipe, nuk mund ta sjellësh mes njerëzve.

Së pari, duhet ta përjetosh ngjarjen pra të jesh pjesë e saj, ta kesh prekur me dorë, të kesh qenë aty ku është zënë brumi i tij – dhe Teuta Hadri ishte aty, ishte njëra ndër mjeket e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, edhe kur ende nuk e kishte veshur uniformën e saj, edhe kur mjekonte të plagosurit nën predhat e ushtrisë serbe, edhe kur qepte plagët e luftëtarëve të vrarë nën breshërinë e artilerisë fashiste të shtetit pushtues serb. Ajo i përjetoi të gjitha këto jo vetëm si fati i Kosovës, por edhe si fati i saj jetësor, dhe, sado që të kesh forcën e fjalës, nuk do të ishte e mundur që të përcjellësh aq saktësisht atë që vetë e ke ndjerë në jetën tënde, atë pjesë jete, e cila, aq sa ishte në njërën orë jetë, aq mund të ishte në orën tjetër largim nga jeta. Dhe këto raste, aq saktësisht, mjeshtërisht dhe ndershmërisht i ka sjellë te ne, saqë të duket se dashje pa dashje, u bëre pjesë e asaj që ka përjetuar dëshmia e autores.

Së dyti, për të shkruar një libër të tillë, duhet jo vetëm të jesh dëshmuese por edhe më shumë se kaq, të kesh një vazhdimësi vitesh, të cilat të kanë përgatitur, jo vetëm shpirtërisht, për të ndjerë  veten pjesë e sakrificës së popullit tënd. Të njësohesh me këtë popull, të të quajnë bijë, shoqe, motër, nuse, bashkëluftëtare, e në fund doktoreshë. Ajo që ka buruar në shtëpinë Hadri në dekada ka kaluar natyrshëm tek Teuta Hadri, trashëgimia e dashjes së këtij vendi mbi veten është përcjellë tek ajo, dhe nëse ajo do të jetë njëra nga të burgosurat politike të pas vitit themeltar të historisë së Kosovës, vitit 1981, për të tjerët mund të jetë ndoshta e rastësishme, për të do të jetë normalitet. Dhimbjen e rënkesës së popullit të saj ajo nuk e ka ndjerë që nga shkurti i vitit 1998, kur nisën masakrat masive të forcave policore serbe, atëherë do të ishte shumë vonë për të na e përcjellë sot tek ne. Ajo e ka ndjerë qëkur ka filluar të jetë e ndërgjegjshme se kjo botë pushtuese jo vetë që është e paligjshme dhe padrejtësi historike, por edhe kur ka menduar se duhet të përmbyset, dhe duhet përmbysur, ashtu si ishte njëra nga devizat themelore të vitit 1981, “Republikë, Kushtetutë , ja me hatër, ja me luftë”. Dhe e përgatiti veten për këtë të dytën, sepse ishte e vetëdijshme se një shtet ultra nacionalist e thellësisht racist si shteti serb, nuk e kishte njohur kurrë e nuk e njeh as tani fjalëzën “hatër”. Po të ishte për “ hatër”, të gjithë ne që jemi sot këtu por edhe ata që po shfaqen sot si patriotë pas luftës, nuk do të ishim këtu, disa do të ishin të burgosur politikë, disa do të ishin të humbur e shumë do të ishin flijuar në tempullin e madh të lirisë, si ishin edhe udhëheqësit e lëvizjes së rezistencës çlirimtare, bashkëluftëtare e të cilëve ishte, Rexhep Mala e Nuhi Berisha.

Së treti, duhet të kesh guxim në kohën e duhur. Të kesh guxim është një gjë dhe të kesh guxim në kohën e duhur është diçka tjetër. Sot ka mjaft të guximshëm, si thonë në Shkodër, pas akshamit. Ka rryma neotitiste që shpërrallisin për komb kosovar dhe për nacionalizëm, që kur ishte koha  si thotë poeti ynë, Dritëroi këndonin atë këngën, “ne jemi trima, se fshihemi në vrima”.

Teuta Hadri do të ketë guximin e saj në kohën e duhur. Vetëm kur kam lexuar këtë libër kam mësuar se netët tragjike, njëkohësisht shtetformuese të 5 dhe 6 marsit 1998, do të kenë edhe një dëshmi tronditëse, që ishte menjëherë pas rënies së Prijësit të lavdishëm dhe Komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare, Adem Jasharit. Teuta Hadri së bashku me Ilmi Ramadanin dhe pak të tjerë, do të jetë aty, do të bëjnë gjithçka të mundur për të faktuar që asaj dite krimin e jashtëzakonshëm serb edhe mbi fëmijët, gratë, të moshuarit, dhe si pak herë në atë mars të përgjakur, do të bëjnë edhe dëshminë e tyre në njërin nga mediat më prestigjioze të botës perëndimore. Pak vetë do e merrnin përsipër këtë dëshmi me zë dhe me figurë, kur pas saj, rruga e kthimit për në Prishtinë mund të ishte edhe rruga e moskthimit të kurrtë, dhe e bën këtë kur shumë vetëve në kryeqytetin e pushtuar, Drenica u dukej më larg se sa fundi i Afrikës.

Guximi në kohën e duhur do e bëjë atë dëshmuese autentike, sepse ditari i saj është më shumë se një dëshmi, është saktësia e thënë përmes fjalëve për dy gjëra jo vetëm të ndryshme, por thellësisht të kundërta: krimit shtetëror, por jo vetëm shtetëror serb dhe qëndresës së një populli, i cili në momentet më të vështira, kur jeta dhe vdekja ishin në tehun e tyre, gjeti të mbështesë shpatullat në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Unë e di, jam i bindur se në këtë kohë të turbullt që po mbjellin pragprishësit, disa gjëra duan t’i harrojmë. Ky libër DITAR i një mjekeje në luftë, sjell të vërtetën e luftës, atë të vërtetë që vitet nuk do e shlyejnë pasi ato bënë pjesë themeltare të historisë së kombit ndaj edhe jam i bindur se ky nuk është thjeshtë një libër, por historia e një populli që kërkon kombin e tij përmes luftës për liri.

Të shkruash një libër të tillë duhet të jesh humanist i madh. Nuk bëhet ndryshe. Zakonisht njerëzit e lëmisë së zonjës Hadri në fillim bëhen mjekë e pastaj bëhen edhe humanistë. Me atë ka ndodhur ndryshe, fillimisht ka qenë humaniste e pastaj shpirti e ka sjellë drejt mjekësisë. Nuk  kam synuar për të gjetur humanizmin në këtë libër në vizitat ambulatore, ata i bën kushdo; as në mbledhjen e ndihmave për luftën, e kanë bërë mjaft njerëz, jo sa është dashur, sidomos në fillimet e saj. E kam gjetur në dhimbjen e pashoqe që sjell ditari për jetën e njerëzve, ajo ka depërtuar në të gjithë qenien e saj, është një Ditar që të përcjell këtë ndjenjë humane edhe në çastet më të vështira ajo jeton me atë që ndodh në luftë, edhe pa qenë ende direkt në frontin e luftës, e më pas jeton drejtpërsëdrejti me dhimbjet e luftëtarëve, trishtohet nga plagët e pambyllura, kalon netët e ftohta buzë një përroi duke ruajtur pikërisht këto jetë, dhe, edhe në çastet më të rënda nuk merr rrugën e kthimit, ecën më tej, e lodhur, e këputur, herë me këpucët e mëdha që e përgjakin, herë fare zbathur, në ditë të veçanta mes plumbave, në ditë të tjera vazhdojnë operimet në të njëjtën kohë me bombardimet. Figurat e njerëzve të nderuar vijnë në libër me dhimbje, përkushtim, një ngrohtësi sublime përcjell ecjen e tyre, të duket sikur do t’ua heqë lodhjen, mundimin, të bëjë shpalljen e sinqeritetit të një jete kushtuar vendit të tyre, që nga Adem Demaçi të cilit i përulet thellësisht, e deri tek një ushtar i plagosur, të cilit, pasi i mjekon plagët, nuk do të arrijë t’i mësojë as emrin.

Ditari i saj ka shumë emra, shumë figura, miq të saj, të njohur, kushërinj, familjarë, mjekë, infermierë, sanitarë, ecën më tej drejt luftëtarëve, drejtuesve të luftës, kolegëve mjekë të luftës, të rënë në vite, familjarë të tyre, çaste afiniteti, lindje të vështira, nëna që rritin fëmijët e bashkëshortëve të vrarë të strehuar në bodrume që ende nuk e dinë fatin e të afërmve të tyre, ajo vetë e tronditur nga heshtja për familjen e saj, për nënën e adhuruar, pastaj një çast magjik, kur, krejt befas, kur pret që krismat e luftës të të vijnë më afër se kurrë ndonjëherë, është një çast lirik dhe dëshira e saj befasuese, “sa do të kisha dashur të vdisja në këtë vend, e meritoj të vdes në këtë luginë të bukur”.

Të shkruash një libër të tillë duhet sinqeritet i jashtëzakonshëm. Një Ditar duhet të jetë i tillë, pasi flet me veten. Por ajo jep që në fillim edhe kumtin e saj, nëse vritem, le të jetë kjo një dëshmi, ndoshta një ditë do të jetë i vlefshëm ky ditar, në mos tjetër për njerëzit e mi. Është  një sinqeritet i habitshëm në këtë ditar, asgjë nuk zbukurohet, as vetja, as të afërmit, nuk harrohet as droja, nuk paraqitet askush si mbi hero, gjithçka është njerëzore ndaj është edhe më e pranueshme. Do të ketë mes lexuesve të librit ndonjë që do të mund të thotë, “eh, moj Teuta, pse e ke shkruar edhe këtë”, por ajo që nuk bën kompromis me veten, nuk bën kompromis as me të vërtetën. Dhe as nuk e retushon më vonë, kur po bëhej gati ta botonte. Ndokush edhe mund ta bënte këtë. Mund të hiqte një pjesë aty, një copëz diku tjetër, por ne thamë që në fillim se ky nuk është thjeshtë një libër, kjo është historia e një periudhe të zjarrtë dhe ka qenë e natyrshme që lufta ka edhe çastet e saj të dobësisë, të një qëndrimi ndryshe, një humbje vëmendje, një shkaku të pa shkak nga lodhja dhe mundimi.

Teuta Hadri i përket brezit ëndërrimtar të vitit 1981 dhe ky brez themeltar e kishte në genin e tij të vërtetën historike dhe ka qenë një fat i jashtëzakonshëm për të gjithë kombin tonë, që në vitet madhore 1998 dhe 1999, ky brez e gjeti vendin dhe rolin e tij historik. Ajo edhe po të kishte dashur nuk mund të shkëputej nga e vërteta e kësaj plejade, rruga e të cilëve fillon me fjalët lapidare të Jusuf Gërvallës  “ Në ballë dhe në këmbët e këtij populli vdekja të na vijë si përjetimi më i bukur” dhe gjen gdhendjen historike tek përcaktimi i Fehmi Lladrovcit” ku e merr të kem atë fat të jap jetën për lirinë e Kosovës. Vdekja për lirinë e Kosovës është fati im më i madh jetësor”.

Këtë brez dhe pasuesit e tyre të cilët u shkrinë jo vetëm nëpër burgje e kazamatet serbe, një linjë e re neotitiste, thellësisht mendërisht udbashe, ka marrë përsipër ta njollosë përmes sajesës, gjë që është jo vetëm e pamundur, por edhe fatalitet historik. Njerëzit kur të lexojnë këtë libër dëshmi do të rikujtojnë edhe një herë të vërtetat historike të krimit që autorja pa me sytë e saj, të krimit që e sjell saktësisht, ku ndodhi, si ndodhi, cilët u vranë dhe nga kush u vranë, të krimit, të cilin ajo pa droje e thotë se në disa raste ndodhte edhe para ndërkombëtarëve, të cilët filmonin qetësisht bombardimet e vrasjet por që kurrë nuk i bënë dëshmi të së vërtetës. Këtë libër nuk mund ta lexosh qetësisht sepse krimi nuk të lë të jesh i qetë, ky libër nuk është nga ata që i merr në dorë për të shuar kureshtjen. As mos e mendoni këtë, mos e mendoni sepse edhe ata që mund të mendojnë se e kanë ditur krimin në atë përmasë që ka ndodhur, përsëri do të mbeten të zhgënjyer. Libri është kujtesa e thyer që po na rrëshqet.

Në jetën time megjithëse herë pas here kaluar përmes radhëve të ferrit, nuk jam ndjerë asnjëherë si  ajo që më ka ndodhur me këtë libër. Duke qenë një njeri që i kam shërbyer luftës me atë që kam mundur shpesh herë kam menduar se e di të vërtetën e jetës së shuar thjeshtë nga qenia shqiptare. Libri është përtej dijes së gjithsecilit, ai është përmbledhje e atyre pjesëve që dimë secili në vete, por që autorja i bëri një.

Ai që e kërkon shpëtimin e jetës së tij me indiferencë ndaj jetës së të tjerëve, nuk do të jetojë me nder. Teuta Hadri i  takon atij brezi që u ngrit për të vrarë vdekjen. “Liria, thotë Ukshin Hoti, është suazë e vetëkrijimit të shpirtit të njerëzve”.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *