Në harkun e gjysmës së parë të korrikut kanë vdekur dhjetra njerëz dhe janë plagosur po kaq shumë, falë indiferencës së policisë së shtetit. Në një vënd që mungon rendi, mungon së ekzistuari shteti. Çfarë po ndodh? Në 6-mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 200 aksidente me rreth 110 të vdekur,250 të plagosur gjithsej 360 njerëz.Në Janar 15 aksidente, 11 të vdekur dhe 25 të plagosur,në Shkurt 45 aksidente, 24 të vdekur dhe 62 të plagosur, në Mars 40 aksidente, 12 të vdekur dhe 52 të plagosur,në Prill 27 aksidente, 15 të vdekur dhe 23 të plagosur,në Maj 26 aksidente, 14 të vdekur dhe 31 të plagosur, në Qershor 47 aksidente,30 të vdekur dhe 49 të plagosur.Pra bilanci mjaft tragjik.Kini parasysh se muajt Korrik, Gusht dhe Dhjetor janë piku aksidenteve rrugore për shkak të ardhjes së shqiptarëve në familjet e tyre.
Dy javët e para të Korrikut na kanë dhënë tablo tjetër sa na bën të mendojmë kemi apo s’kemi shtet.Në aksin Elbasan-Librazhd vdiqën plot katër njerëz nga aksidenti,në Lezhë një tjetër,në Kavajë vdiq një grua dhe u plagosën gjashtë të tjerë nga aksidenti,në Tiranë një djalë 5-vjeçar humbi jetën nga aksidenti me ciklomotor,në rrugën e Arbërit vdiq një djalë 10 vjeçar nga aksidenti,në aksin Tepelenë – Gjirokastër vdiqën plot tre njerëz nga aksidenti, dhe një djalë 14 vjeçar humbi jetën nga aksidenti me auto-zetor. U plagosën dy në Babrru, dy në Institutin Bujqësor etj.
Jo vetëm kaq. Drama vazhdon me tej dhe policia me sa duket me “pushimet verore”.
U vranë dy gra e nëna nga bashkëshortët në mes të Tiranës,një 50-vjeçar pranë shkollës mesme Partizani, u mbytën dy të rinj në liqenin e Burrelit dhe dy të tjerë në plazhin e Durrësit, në Pukë gjithashtu etj.Meqënëse rend nuk ka dhe s’duket gjakundi ka filluar të ngrejë kokë fenomeni unikal shqiptar, gjakmarrja.
Me sa duket policia është jashtë loje dhe nuk po kryen detyrën ligjore. Kjo do të thotë se siguria publike në rrezik,siguria detare,siguria rrugore janë jashtë kontrollit.Ajo që kam merak ta them është se fenomeni nuk mbahet nën kontroll në se nuk merren masa parandaluese.E thënë shqip do të thotë që përmbytet Shkodra e Lezha dhe atëhere kujtohet qeveria se mungojnë argjinaturat, kanalizimet dhe hidrovoret, i lëmë njerzit e pandërgjegjëshëm të ndërtojnë pa leje ndërtimi dhe kujtohemi t’ia prishim,i lëmë fshatarët të mbiellin drogë dhe kujtohemi dhe bëjmë spektakël me policinë duke e korrur, ja lëmë gjakmarrjen shoqatave dhe organizatave jofitimprurëse dhe shteti bën sehir,i lëmë drejtuesit e automjeteve të bëjnë aksidente me pasoja dhe kujtohet policia të vërë gjoba e penalizime,etj.
Nuk dua të bëj analizën e aksidenteve sepse e kam bërë në dhjetra intervista televizive dhe kam shkruar mijra rrjeshta për të,por çështja më duket se shtrohet ndryshe.Krimi duket se është ulur këmbëkryq dhe shteti gati ka rënë.
Kur shkruajmë kështu dhe bëjmë kritika është bërë zakon të trajtohemi si antiqeveritarë apo opozitarë. Jo zotërinj ! Jetën ja kemi borxh vetëm zotit por jo neglizhencës tuaj,jo profesionalizmit tuaj dhe jo vullnetit tuaj.Të vdesin kaq njerëz për mungesë përgjegjshmërie,përgjegjësie sepse nuk doni të zbatoni ligjin,kjo nuk ju falet.
Edhe një gjë tjetër. Presidenti i Republikës më 15 Korrik mblodhi drejtuesit e institucioneve kushtetues.Mirë e bëri që i priti.Të mos harrojmë se për çështjet e sigurisë Presidenti i Republikës është përgjegjësi kryesor në bazë të Kushtetutës.Në se nuk e mbledh në raste të tilla, a mund ta dimë se cila është dertyra më e rëndësishme e tij ?
Zotërinj ! Mos ngatërroni politikën me jetët e njerzëve,me sigurinë e tyre.Ata edhe pse të varfër e duan jetën dhe duan të jetojnë.Dhe këtë siguri duhet t’ia japin forcat e rendit dhe institucionet që garantojnë atë.
*Ish zv.Ministër i Transportit