Lëvizja e Legalitetit kërkon rivendosjen e dënimit me vdekje. Duke parë ngjarjet e fundit kriminale në vend, kreu i kësaj partie, Ekrem Spahia, tha u shpreh në një deklaratë për shtyp se këto krime nuk mund të minimizohen me mjetet që shteti dhe shoqëria kanë aktualisht në dispozicion dhe ajo i bashkohet zëri të qytetarëve që i kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje. PLL kërkon që rikthimi i një dënimi të tillë të vendoset përmes një referendumi popullor. “Qysh nga heqja e dënimit me vdekje, lista e këtyre krimeve shumë të rënda është aq e gjatë, saqë nuk mund të justifikohet me profilin psikik të autorëve. Duket qartë se fuqia e ligjit dhe mjetet e tjera në dispozicion janë të pamjaftueshme për të frenuar duart kriminale që vrasin me qetësi. Vazhdimisht Partia Lëvizja e Legalitetit e ka quajtur të parakohshëm heqjen e dënimit me vdekje dhe ka kërkuar rikthimin e tij. Ne kemi besuar dhe besojmë se dënimi në proporcion me krimin e kryer është i drejtë, i justifikuar dhe parandalues. Ne e dimë se rikthimi i dënimit me vdekje pengohet formalisht nga angazhimet ndërkombëtare që shteti shqiptar ka marrë mbi vete. Por në të njëjtën kohë, ne jemi të bindur se kjo është një çështje aq e rëndësishme dhe akute, sa ka ardhur koha që politika shqiptare duhet të pyesë popullin e vet, qoftë edhe me referendum. Partia Lëvizja e Legalitetit kërkon të bëhet edhe zëri i atyre qytetarëve shqiptarë që kërkojnë rikthimin e dënimit me vdekje”, përfundon deklarata.
Një ditë më parë, kryeministri Berisha, pjesë e e aleancës së të cilit është edhe PLL, tha se dënimi me vdekje nuk mund të rikthehej për shkak të angazhimi të Shqipërisë në konventat europiane, por një paketë masash më të ashpra mund të përpilohet.