Siç edhe ishte parashikuar, Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere prezantoi sot masat e reja që Gjermania do të ndërmarrë për të parandaluar sulmet terroriste.
Në një deklaratë për shtyp, Ministri u shpreh se propozimet e tij do të ishin të kufizuara në pika që mund të çojnë në më shumë siguri më shpejt, ndërsa pikat e tjera do të duhet të diskutohen më gjerësisht mes partive.
Ndër masat e marra përfshihen: procedura të përshpejtuara dëbimi për kriminelët e huaj; heqja e nënshtetësisë gjermane për ata të cilët janë të angazhuar me milicitë e vendeve të huaja, vetëm nëse këta të fundit gëzojnë nënshtetësi të dyfishtë; shtim të personelit, pajisjeve dhe fuqisë mbikëqyrëse të policisë; hapja e një direktorati të ri për forcat speciale të dedikuara ndaj situatave të rrezikut terrorist; krijimi i një qendre ku refugjatët do të mund të raportojnë në gjuhën e tyre për rreziqe që mund të vijnë nga fetarët e radikalizuar.
Në listën e masave të reja, nuk përfshihet ndalimi i mbajtjes së ferexheve në publik, masë e cila është marrë në vende të tjera si Franca, Belgjika e disa qytete të Italisë.
Këto masa vijnë si pasojë e frikës në shtim nga fluksi i refugjatëve muslimanë dhe sulmeve islamiste në Francë, Belgjikë por edhe në vend gjatë këtij viti. Ministrat e Bundestag-ut gjerman pritet të takohen me de Maiziere më 18 gusht, ku do të diskutojnë gjerësisht për masat e propozuara nga Ministri i Brendshëm.
