Nuk është vetëm sheqeri “helmi i bardhë”. Kripa vret 2.3 milionë njerëz në vit, duke u bërë shkak për infarkte, iktuse dhe probleme kardiovaskulare. Më shumë se gjysma e popullsisë së botë (65 për qind) konsumojnë pothuajse dyfishin e dozës ditore që rekomandohet nga mjekët (1.5 – 2 gramë). Shifrat alarmante janë prezantuar pak ditë më parë në një konventë mjekësore në Nju Orlins, SHBA.
Ushqimet e gatshme
Kripën mund ta konsumojmë në sasi të mëdha pa e ditur. Vetëm 20 për qind e sasisë që marrim në ditë vjen nga ushqimet natyrale, ndërsa 80 për qind vjen në tavolinat tona direkt nga supermarketi, përmes ushqimeve të gatshme. Në Europë, sipas statistikave, italianët janë konsumatorët më të mëdhenj të kripës, me 10-12 gram në ditë për person.
Por Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që sasia e kripës së konsumuar në ditë nuk duhet t’i kalojë 2 gramët, pasi sipas studimeve të kryera kohët e fundit, kripa është “fajtore” për disa sëmundje kardiovaskulare me pasoja fatale. Sipas përllogaritjeve, 15 për qind e të gjitha vdekjeve për shkak të këtyre sëmundjeve, ndryshe 2.3 milion njerëz në vit (sipas të dhënave të vitit 2010) lidhen me sasinë e madhe të kripës së konsumuar.