Kristiano do të jetë në botëror, por gjendja e tij shqetëson

anazapta

Mediat portugeze janë të sigurta se kapiteni i Portugalisë, Kristiano Ronaldo do të jetë në kampionatin botëror në Brazil. Pavarësisht dëmtimit të pësuar Kristiano do të jetë në fushë. Megjithatë gjendja e tij ka alarmuar shumë portugezët. Dhe këtu nuk duket se ka një lojë kuka-fshehti, pasi të gjithë shprehen të shqetësuar në lidhje me gjendjen e Ronaldos. Opinioni i përgjithshëm në Portugali është se Kristino do të jetë rregullisht në fushë, por problemi qëndron në faktin se në çfarë kondicioni do të jetë sulmuesi i Realit të Madridit. Dhe sa më shumë afrojnë ditët e botërorit aq më shumë shtohet ankthi në radhët e portugezëve në lidhje me sulmuesin e tyre kryesor. Sipas medieve në Portugali ai ka një dëmtim që nuk është shumë i rëndë, por është shqetësuar në atë farë mase që mund ta pengojë Ronaldon të jetë në 100% të formës së tij. Dëmtimi i Ronaldos nuk është diçka e ndodhur këto javët apo ditët e fundit. Dëmtimi i tij daton disa muaj më parë. Të gjithë kujtojnë raportimet e medieve spanjolle në lidhje me një dëmtim të Ronaldos në gju. Edhe në finalen e Ligës së Kampioneve në Lisbonë, pavarësisht golit të tij – shënuar me penallti – “Topi i Artë” për vitin 2013 u duk se nuk gjendej në formën e vet më të mirë. Shqetësimi në gju ka vijuar të jetë një problem konstant ndërkohë që ai ka munguar në miqësoren kundër Greqisë dhe do të mungojë edhe në dy miqësoret e tjera që Portugalia do të zhvillojë në SHBA. Duke qëndruar në SHBA, kombëtarja e Portugalisë ka mbërritur në këtë vend ku do të stërvitet për disa ditë. Dhe pa dyshim Kristiano Ronaldo ka qenë personazhi kryesor i portugezëve. Të gjithë kanë nxituar të marrin një foto apo autograf me lojtarin më të mirë në botë.

Stafi mjekësor – Sakaq nga stafi mjekësor i Portugalisë shprehen me optimizëm për gjendjen e Ronaldos. “Dëmtimi i tij është i vështirë për t’u diagnostikuar. Ai ka një dëmtim muskulor, por po e kalon mirë këtë periudhë. Ai duhet të qëndrojë disa ditë pushim”, ka thënë mjeku i Portugalisë.

Pinto – Në lidhje me dëmtimin e Kristiano Rolando ka folur dhe drejtori i federatës portugeze të futbollit Zhoao Pinto. “Ne jemi duke e ndjekur me kujdes atë çfarë po ndodh me Ronaldon. Stafi mjekësor po bën një punë të jashtëzakonshme që Ronaldo të jetë në 100% të mundësive të tij në botëror. Po e ndjekim ditë pas dite ecurinë e tij dhe shpresojmë se do të jetë gati me fillimin e kampionatit botëror”, ka thënë Pinto.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *