Komplot kundër Realit ?!

anazapta

El Clasico nuk ka përfunduar ende në Spanjë, mes polemikave të shumta nga të dy kampet. Madrilenët akuzojnë gjyqtarin Undiano Mallenko për penalltitë e dhëna në favor të Barcelonës, ndërsa katalanasit thonë se e merituan fitoren dhe se gjyqtari nuk ndikoi. Kristiano Ronaldo, i cili përfitoi nga një gabim i Mallenkos duke marrë një penallti për faull jashtë zone, është i pari që sulmon gjyqtarin, madje duke shkuar edhe më larg, teksa sheh komplot kundër Realit. “Ndoshta nuk duan që ne të fitojmë kampionatin. Ndodhem prej pesë vitesh këtu dhe po e kuptoj se ndonjëherë nuk ia vlen të luash në fushën e lojës. Që kur unë jam pjesë e kësaj skuadre, nuk jemi favorizuar asnjëherë nga arbitrat. Çdo vit po përsëritet e njëjta histori, por gjithsesi unë kam besim të madh se do të shpallemi kampionë në fund të sezonit”, tha portugezi. Sipas tij, kjo sjellje e gjyqtarëve e ka një shpjegim: “Reali është klubi më i madh në planet dhe shumë njerëz janë ziliqarë, nuk duan që ne të fitojmë. Nuk na trajtojnë asnjëherë njësoj dhe këtë e kam konfirmuar me ato që kam parë në fushën e lojës. Ndoshta njerëzit e dinin që nëse Barcelona humbiste do të dilte jashtë loje”.  Ronaldo vazhdon me komentet për gjyqtarin, duke mos u kufizuar vetëm te penalltitë: “Bëri shumë gabime dhe unë mendoj se nuk ishte në nivelin e një ndeshjeje të tillë. Besoj se ndeshja duhej të ishte drejtuar nga një tjetër person”. Ai shton se shpreson që Reali të mos drejtohet më nga Mallenko, gjë që e ka shprehur edhe mbrojtësi Sergio Ramos, shkaktar i penalltisë së parë për Barcelonën, për të cilën doli me karton të kuq. Ramos pretendon se nuk e ka prekur aspak brazilianin Neimar dhe se Mallenko nuk duhet të gjykojë më. Por, këto komente të dy lojtarëve madrilenë do të jenë objekt hetimi nga ana e Komisionit të Garave në federatën spanjolle, pas ankesës së bërë nga Komisioni Tekniko-Gjykues. Nëse shpallen fajtorë, të dy mund të dënohen, ndërkohë që tashmë Reali ka vendosur të apelojë kartonin e kuq të Ramosit, i cili nuk mund të luajë me Seviljen, ashtu si dhe Di Maria.

 

Share This Article
1 Comment
  • O flok lepiri i Portugalise, ne qofte se Reali eshte klubi me i madh ne planet , ne fushen e lojes eshte mikroskopik perpara jashte tokesoreve katalanas, te pakten keto 10 vjetet e fundit, o debil i lindur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *