Kristo Goga, inxhinieri që e ngrysi jetën duke ndërtuar diga

Ornela

Nga Bashkim Koçi

Kisha dëgjuar diçka për inxhinierin e hidroteknikës Kristo Goga, rreth punës së tij si projektues i shumë veprave të rëndësishme ujitëse e të energjetikës në mbarë vendin.

Madje kisha informacion se ai, edhe pse në moshën që po u afrohet të 80-ve, vazhdon të jetë aktiv në profesion, të projektojë e të jetë i kërkuar nga firma private për t’i marë këshilla rreth problemeve që kanë dalë e dalin për mirëmbajtjen dhe kujdesin ndaj digave të larta, por edhe të digave të ujëmbledhësve, të rrugëve e urave ku ndjehet nevoja për disiplinim ujrash.

Inxhinieri Kristo Goga paskësh bërë një jetë paksa heroike, një jetë që e kish nisur me vështirësi të mëdha, nga ato që i kërkuan goxha mundim e vuajtje, qyshkur ishte fare i vogël. Ai tregon se ishte viti 1949 kur filloi klasën e parë në shkollën-kasolle në fshatit Hadaj, i gjendur diku thellë, afër lumit Seman në Libofshë të Fierit. Rrëfimi e tij të lë pa mend.

Nga goja e tij dëgjova ca histori mundimesh e sfilitjesh të cilat, edhe pse sipas tij janë ca të vërteta që nuk i luan as topi, dikujt sot do t’i dukeshin të pabesueshme, madje do t’i quante “përralla” të sajuara për të trembur fëmijët. Kristo Goga e mbaroi filloren (sot cikli i ulët) me vlerësimin maksimal, apo siç thuhej atëherë “i pari i shkollës”. Po pastaj? Shkolla ku mund të vijonte më tej, ajo 7-vjeçare,  ndodhej në Libofshë, shumë larg Hadajt. Por edhe me pengesa të tjera, siç ishte lumi Seman, i cili mund të kapërcehej vetëm nëse mund të fluturoje. Natyrisht, nuk qe punë e lehtë për të bërë realitet ëndrrën, por Kristoja mban mend shqetësimin e nënë Maries, të cilës i është mirënjohëse vetëm asaj për çka arriti të bëhej pas asaj rruge e gjatë të shkollimit. Ajo, pra nënë Maria, nuk la derë pa trokitur për të gjetur njeriun e duhur, atë që do të ishte “kompetenti” apo me fuqi pushteti, për t’i hapur rrugë arsimimit të djalit. Por shpesh ndodh kur mundësia takohet me përgatitjen. Nënë Maria në çka përpiqej kishte me vete një armë të fortë, kishte dëftesën e djalit me të gjitha notat maksimale, e që ia tundte përpara syve “kompetentit”, që medemek kërkonte t’i thoshte “ja kush është djali im, për të cilin kërkoj t’i jap shkollë”. Dhe “kompetenti”, sipas Kristos, na paskësh qenë shefi i arsimit të rrethit të Fierit, Qani Myftari, njeri me kontribute në masivizimin e arsimit pas çlirimit të vendit, cili kur kish parë dëftesën me rezultate aq të mira, që do të thoshte se fëmija ishte shumë i zgjuar dhe inteligjent, i kish thënë Maries që të shpejtonte ca punë, të cilat kishin të bënin me “çështje dokumentash”, dhe ta bënte djalin gati sespe në shtator do të fillonte mësimet në shkollën 7-vjeçare “Dervish Osmëni” në qytetin e Ballshit me të drejtë burse të plotë, nga shteti. Ç’qe kjo e mirë që më ra nga qielli, kish thënë e lodhura nënë Marie. Dhe mori rrugën për në fshat për t’i marë gjërat me sërë, ashtu si e porositi, sipas saj “shefi i madh”, Qani Myftari. Dokumentin e parë do ta merrte tek kryetari i këshillit të fshatit, një shkresë tip autorizimi. Mirëpo kryetari i këshillin hezitoi, nuk ia dha ç’ka i duhej, madje edhe të formuluar, vetëm ta firmoste e ta vuloste. Ç’të bënte? Kësaj i thonë “i zoti ta jep e tellalli s’ta jep”, kish mërmëritur me veten nënë Maria. Por fati ndihmon guximtarët. Ajo mori djalin prej dore dhe drejt e në Libofshë, aty ku në zyrat e shtetit punonin ca më të “mëdhenj” se kryetari i këshillit të fshatit e që urdhëri e tyre shpesh ishte ligj e duhej të zbatohej pa një pa dy. Aty qëlloi të na priste një njeri i mirë, mban mend Kristo Goga. Llaqi Jano e kishte emrin, të cilin do ta njihja më mirë kur mbarova shkollën e lartë dhe u mora me projekte digash në ato anë. Ishte njeri i drejtë, idealist. Më kujtohet që ai e ngriti zërin dhe mori pamjen e një të zëmëruari kur bashkëbisedoi me nënën. I ra tavolinës me grusht.Pse, tha, për këtë luftuam, për të penguar fëmijët që të vazhdojnë shkollën? Nuk e di ç’shënoi në një copë letër, por unë e mora me mend kur në shtator vajta në Ballsh dhe fillova shkollën.

Nuk ka pengesë që të ndalë njeriun, nëse ai ka vullnet, nëse ai i merr gjërat si t’i ketë një trampolinë të detyrueshme për ta kapërcyer. Madje në rrugë e sipër një njeri i vetëdishëm për atë që bën, do të kuptojë se nuk do t’i duhen as gjysma e forcës që ka patur ndërmend për ta përdorur. Kjo ngjau edhe me Kristo Gogën në vitet qëiu deshën për të mbaruar arsimin 7-vjeçar. Ai kish kuptuar se injoranca e vërtetë, tek kushdoqoftë, i vogël apo i rritur, nuk ishte mungesa e njohurive, por refuzimi për t’i përftuar nga librat, nga programi mësimor që zhvillon shkolla. Duke e parë veten nga pozitat që aty kish ardhur për t’u përgatitur, për të justifikuar të gjithë atë çka bënë prindërit për shkollimin e tij, ai zbatoi pikë për pikë atë që duhej, të dilte me rezultate shumë të mira, të asaj kategorie që të mund ta dërgonin me “detyrim” për të vazhduar më tej në shkollën e Teknikumit të Ndërtimit “8 Nëntori” në Tiranë, dega Hidroteknikë, me bursë të plotë nga shteti.

Jo gjithmonë njeriu mund të marrë atë që do. Me Kristo Gogën ndodhi ajo që ai dëshironte, të merrte atë që donte, të vijonte studimet në Universitetin e Tiranës, Fakuteti Inxhinerisë, dega Ndërtim, në specialitetin “Hidroteknikë-Rruga-Ura”. Pra po trokiste në atë derë që edhe i duhej, që edhe e kishte menduar e ëndërruar se një ditë do të bëhej inxhinier. Ishte viti 1960, periudhë kur vendit i duheshin specialistë të fushës së hidroteknikës, shumë të kërkuar për realizimin e reformave për një bujqësi intensive, por edhe për të realizuar projekte për ndërtimin e hidrocentraleve në mbarë vendin. Në këto vite, kur inxhinieri i ardhshëm ndiqte me zell të madh studimet, ai mezi pritej nga organet e pushtetit të rrethit të Fierit, sepse si rreth me perspektivë të madhe për zhvillimin e bujqësisë, u duhej një inxhinier i zoti për të projektuar diga ujë mbledhësish, të planifikuar për t’i ndërtuar e vënë në shfrytëzim brenda atyre viteve. Ata e kishin ndjekur hap pas hapi përparimin e studentit Kristo, madje i kishin gjetur edhe pozicionin që do të mbante në strukturat e organeve ekzekutive të rrethit. Por kur mori titullin inxhinier “Hidroteknik-Rrugë-Ura”, në qershor të viti 1965, erdhi një lajm i papritur, që për shumë kënd, edhe për studentin e sapo diplomuar, iu duk e pabesueshme. Dhe lajmi i “pabesueshëm” ishte ky: Studenti i porsa diplomuar Kristo Goga emërohej si i tillë, pra në pozicionin e inxhinierit, pranë Institutit Shtetëror të Projektimit, Drejtoria e Rrugë-Ura,-Bonifikime-Ujësjellësa. Por “e pabesueshmja” tjetër ishte se ai emërohej aty sipas një rekomandimi të bërë me shkrim dhe të firmosur nga rektori i Universitetit Shtetëror të atyre viteve, Kahreman Ylli. Kjo gjë nuk kishte ndodhur ndonjë herë tjetër, ndaj ishte e mjaftueshme për të treguar se në ç’nivele përgatitje dhe cila ishte tashmë “dera e hapur” për inxhinierin Kristo Goga. Përpjekjet që bëri rrethi i Fierit për ta bërë “të vetin”, për të cilin nxirrnin si argument të parë “ai është specialist i yni, e kemi planifikuar qyshkur i dhamë të drejtën e studimit”, u fashitën me përgjigjen: “përderisa e mbajtëm në Institut ai është i yni, por edhe i juaji, sepse do të përgatisë projekte për të gjithë vendin”.

Thuhet se njohuritë e marra në shkollë, sido që të kenë qënë rezultatet, nuk mjafojnë. Ato duhet të bëhen të prekshme, duhet të gjejnë zbatim në praktikë, në prodhimin e energjisë elektrike, në shtimin e sipërfaqeve të ujitëshme në bujqësi, në furnizimin e popullatës me ujë të pishëm etj. Inxhinier Kristo Goga u përball me të gjitha këto, u bë pjesë e pandarë e projektimit të veprave të mëdha, mesatare e të vogla, por dhe nxitës e zbatues i tyre në vendet ku ndërtoheshin objektet. Inxhinier Kristoja mbante mend një rast kur ai u bë gati të zbristë në bazë, siç thuhej atëherë, për shkak të një lëvizje të nxitur nga lart kundër burokratizmit. I vajta drejtorit në zyrë, thotë ai, dhe i shfaqa gatishmërinëpër të vajtur pa hezitim aty ku do të “thoshte Partia”. Drejtori e paskësh parë drejt e në sy dhe i ishte drejtuar me këto fjalë: Nuk po bëhen lëvizjet për ty more dajalë, se ti nuk e ke ngrohur karrigen akoma, sapo ke ardhur. Bëhet fjalë për ca të tjerë, të cilët janë mykur, kanë nevojë t’i shohin ata projektet që kanë realizuar mbi tavolinë pak më afër, aty ku edhe zbatohen.

Puna projektuese e Kristo Gogës është shumë voluminoze, në përmasat e një inxhinieri të jashtëzakonshëm. Nuk them ndonjë gjë të tepërt kur po përdor togfjalëshin, të cilin lexuesi mund ta marrë paksa të zmadhuar,“i jashtëzakonshëm”. Po, po, Kristo Goga për atë ç’ka i ka dhënë hidroenergjetikës shqiptare meriton edhe ca vlerësime të tjera të cilat, në “demokracinë” që ne kemi marrë përsipër të ndërtojmë, shiten me para. Nëse do të na duhej të gjenim njeriun më ideal, që i shkon për shtat asaj këngës që këndohej dikur “ku s’kemi vajtur, ku s’kemi shkuar”, ai do të ishte inxhinieri i hidroenergjetikës Kristo Goga. Janë disa qindra projekte që kanë kaluar nga mendja dhe dora e tij. Në punën projektuese e studimore,  para vitit 1990, përfshihen mbi 125 studime, më shumë se 95 projekt ide dhe rreth 130 projekt zbatime. Në fushën e ujitjes, kullimit, digave, ujësjellësave, rrugëve, urave, tuneleve hidroteknikë, stacioneve të pompave, dambave, ekonomi peshkimi, mbrojtjeve detare etj., të fushës së hidroteknikës në përgjithësi, ku në pjesën më të madhe të tyre janë të lidhur me digat, është dora dhe mendja e tij. Në përgjithësi të gjitha digat e veprave ujitëse që nga viti 1972, kur filloi përdorimi i teknikës llogaritëse elektronike për qëndrueshmërinë e digave të bujqësisë, e sidomos ato me probleme të vështira gjeologjike që janë projektuar nga  ish Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Veprave Ujore të Bujqësisë, janë përballuar gjithashtu nga inxh.Kristo Goga ose me asistencën e tij.

Dhe, meqë jemi tek projektet që ai ka realizuare zbatuar në vite, ku pjesa më e madhe u përkasin sektorit të bujqësisë, po sjellim vetëm disa si, argjinaturat e lumit Erzen,(1967); Ujëmbledhësi i Manskurisë, Durrës, (1968); Bonifikimi i fushës së Bregut të Matit, Lezhë. Pjesa e dytë e kanalit kryesor ujitës dhe e rrjetit ujitës, (1966); ujësjellësi i Panohorit në Mallakastër, lartësia e digës të së cilit është 54 m, (1985-1988); projektimi i kanalit Zall-Herr-Mëzes-Maminas, me gjatësi 30 km, për shpërndarjen dhe shfrytëzimin e ujit të ujëmbledhësit të Bovillës,(1992-1993); përmirësimi ujor i fushës së Roskovecit, duke bërë rikonstruksionin e kanaleve kryesorë ujitëse me gjithë veprat e artit, (1965-1966); ujitja në formë shiu e 650 ha në ish-kooperativën bujqësore “Agimi”, Fier, (1980); përdorimi i ujëmbledhësit të Gyçenit, Ballsh, për mbrojtjen e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, (1979); riparimi i nënkalimit të kanalit kullues bregdetar të djathtë nën kolektorin kullues Roskovec, Hoxharë, (1976) e shumë e shumë të tjerë.

Kjo punë voluminoze, e realizuar me aq përkushtim e dashuri profesionale, me impenjim intelektual për shumë e shumë vite, sipas inxhinierit Kristo Goga, qeveritë e pas viteve ’90 ua kanë hedhur poshtë. Janë treguar dhe vazhdojnë të tregohen mosmirënjohës, thotë ai. Na kanë kthyer krahët. Dhe, po sipas tij, të tregohesh mosmirënjohës për këtë punë,e cila është kryer me shumë investime e mund në disa dhjetravjeçarë, me punë që rrallëkush e merrte përsipër për ta kryer me përpikmëri e përgjegjësi teknike, do të thotë që thelbi i këtij qëndrimi është shumë i poshtër. Sepse një veprim, si ky i qeveritarëve tanë, për të qenë moralisht i denjë, duhet të bëhet nga përgjegjësia. Por këta janë të papërgjegjshëm për tjetër gjë, thotë inxhinieri, për të grabitur e vjedhur në të gjitha mënyrat e mundshme, duke shfrytëzuar çdo rast që u bie në dorë e që u mbush xhepin me para. Ai na sjell një rast kur ujëmbledhësi i Manskurisë paraqiti rrezik për çarjen e digës, një gjë që mund të shkaktonte përmbytje të mëdha në zonën e Golemit dhe të Durrësit. Më thirrën dy ministra të asaj kohe, vijon të thotë ai, dhe më kërkuan mendim se ç’mund të bëhej, si mund të ndërhyej, për të mënjanuar rrezikun e mundshëm. E di çfarë i kishin thënë inxhinir Kristos pasi ia kishin “vjelë” mendimin dhe rekomandimet që ai sugjeroi? Mirë, mirë, na ndihmove për ç’ka na the, që këto sugjerime t’ua themi partnerëve tanë ndërkombëtarë(!) Fjala ishte për të bashkëpunuar jo për të zgjidhur problemin, por për të sajuar ndonjë tender të majmë e që pastaj do të merrej “pjesa”. Për këtë ç’ka na thotë inxhinieri i hidroteknikës na vijnë ndërmend ata dhjetra e qindra ujëmbledhës të cilët u ndërtuan anë e mbanë vendit, në zonën fushore e vendet malore, por që sot shumica e tyre nuk ekzistojnë, kanë dalë jashtë përdorimit. Dikush e ka ngritur zërin që të mund të vihen në funksion përsëri, si atëherë, por a është bërë llogaria sesa është dëmi i shkaktuar, sesa valutë duhet për të blerë përsëri paisjet, inventarin e pallogaritshëm që u shkatërrua e iu vu flaka të frymëzuar nga teoria e “terapisë së shokut” e nën thirrjet “të djegim e shkrumbojmë çdo gjë komuniste”?

Kristo Goga e ka plagë të pashërueshme për atë çka ndodhi e vazhdon të ndodhë ende me projektet që ai ka realizuar në çdo cep të vendit. Por dëshpërimin më të madh, të cilin e ka brengë dhe e konsideron thikë që i ka shpuar zemrën, e përjetoi kur u mbyll Instituti i Studimeve dhe Projektimeve të Veprave Ujore të Bujqësisë. Ai edhe sot e konsideron veprim antikombëtar, diçka që bëri dëme të pallogaritshme. Ing.Kristua kujton një fjalim-proteste të cilin e ka mbajtur në muajin korrik të vitit 1998 në një konsultë për këtë problem të organizuar nga Akademia e Shkencave.

Ai, edhe pse ka vite që ka dalë në pension, është i përfshirë në shumë projekte, shumica e të cilëve ndiqen e zbatohen nga firma të ndryshme private. Nuk është se i ka djegur malli firmat private, apo kanë ca para dhe kanë dëshirë t’ja japin inxhinier Kristos. Jo. Ai është i dëshiruar nga firmat e huaja dhe ato vendase sepse ka aftësi për të realizuar projekte që i rezistojnë kohës, të sotmes dhe prespektivës. Projektet për dy kanale ujitës, fjala vjen, njëri në Zhush të Polisit  dhe tjetri te Gurra e Zezë, në Librazhd, të ndërtuar në vitin 1999, janë realizuar për llogari të IFAD 2. Një konsulencë teknike për projektin e veprës “riparimi i argjinaturës bregdetare në Porto-Romano, Durrës” është bërë me kërkesën e firmës “Port- Projekt”(1998), ashtu siç ai ka realizuar, po për llogari të kësaj firme, projektin për mbrojtjen e grykëderdhjes së lumit Drini në Lezhë (Ndërhyrje në det) në vitin 2010.

Dituria është pasuri që fitohet me përvojë, por edhe kur kërkesat ndaj vetes qëndrojnë të ingranuara, në lidhje të pandërprera me përparimin e teknikës dhe të shkencës në shkallë botërore. Kristo Goga këtë të dytën, pra formimin teorik dhe zhvillimet e vrullshme në fushën e hidroteknikës, e ka patur si “detyrim” për shkak se ai që nga viti 1968, pra gjysmë shekulli më parë e deri tani, ka patur dhe mban lidhje me botën akademike, duke qenë pedagog i jashtëm në Universitetin e Tiranës ku jep, kryesisht, lëndën “Projektimi dhe ndërtimi i digave”. Në këtë kërkesë ai është nisur gjithmonë nga këshilla “mësoi të tjerëve atë që e di ti dhe, mëso nga të tjerët atë që se di”. Ndërkohë, ai është edhe anëtar i Komisionit Shtetëror  të Mbrojtjes së Diplomave të specialitetit Hidroteknikë, i Komitetit Kombëtar  të Digave të Mëdha dhe i Këshillit Teknik të KKDM, Anëtar i komisionit të Kontrollit për gjendjen e digave që administrohen nga Ministria e Bujqësisë etj.

Me punën, për më shumë se gjysmë shekulli në fushën e projektimit dhe zbatimit të qindra veprave hidroenergjetike, Ing.Kristo Goga është vlerësuar nga instanca të ndryshme të organeve kompetente të kohës. Me dekretin Nr.6104, datë 28.12.1979 të Presidiumit të Kuvendit Popullor është dekoruar me Urdhërin “Për punë të shquar në ekonominë bujqësore” të klasit III-të. Ai gëzon edhe titullin ”Mirënjohje e Komunës”, dhënë me vendimin Nr.77, datë 12.11.2012 nga Këshilli i Komunës Libofshë. Inxhinier Kristo Gaga mban gradën shkencore “Doktor  i Shkencave”.

Disa nga projektet dhe projektzbatimet

-Ujitja në formë shiu të 650 ha në ish-kooperativën bujqësore “Agimi”, Fier, 1980.

-Ujitja në formë shiu të 350 ha, Hoxhare, Fier(1987).

-Përdorimi i ujëmbledhësit të Gyçenit, Ballsh, për mbrojtjen e Uzinës së Përpunimit të Thellë të Naftës në Ballsh, (1979).

-Ujëmbledhësi i Gjinoqares, Mallakastër, (1969-1970).

-Ujëmbledhësi i Lumarit Nr. 2, Mallakastër, (1979).

-Mbingritja e digës së ujëmbledhësit të Greshicës, Mallakastër.

-Masat kundërfiltruese në ujëmbledhësin e Kalivaçit, Tepelenë.

-Sistemimi i përroit të Zharrëzit, Fier, (1966).

-Kanalet bregdetare, Hoxharë, Fier.

-Kanali ujitës Ura e Mbrostarit-Kolkondas. (Bonifikimi i fushës së Divjakë-Karavastasë), Fier.

-Ujëmbledhësi i Lumarit Nr. 1, Mallakastër, (1976).

-Diga e Staravecit me ujëleshuës metalik, Skrapar.

-Kanali ujitës energjitik Bënçë-Veliqot-Memaliaj, Tepelenë, (1985).

-Ujëmbledhësi i Patk-Milotit Nr. 2, Kavajë, (1975).

-Argjinaturat mbrojtëse bregdetare, Durrës, (1970).

-Ujëmbledhësi i Borçës, Durrës, (1966).

-Rrjeti ujitës i ujëmbledhësit të Rubjekës, Durrës, (1968).

-Ujëmbledhësi i Shkallnuerit, Durrës, (1967).

-Ujëmbledhësi i Spitallës Nr. 2, Durrës, (1967).

-Kompletimi me vepra arti i rrjetit ujitës e kullues në bonifikimin e Fushës së Durrësit, (1967).

-Ujëmbledhësi i Likeshit, Durrës, (1982).

-Kanali kryesor Bovillë (Zall Herr)-Mëzez-Vorë-Maminas, (1993-1994).

-Diga e Bovilles, Tiranë, (1994-1995).

-Mbrojtja nga perroi i Grykes, Lezhe,  (1998), FZHSH.

-Ujësjellësi i Hoçishtit, Devoll. Bashkëpunim, (1998), FZHSH.

Ujitja e tokave të zonës Syzes-Goriçan-Sqepur-Kutalli me ujëmbledhësin  e

Goriçanit, Berat.

Shtimi i aftësisë ujitëse në zonën Durrës-Lushnje-Elbasan.

Ujitja e zonës së Funarit, Elbasan.

 –Shtimi i aftësisë ujitëse në rrethin e Librazhdit, (1982).

Ujitja e tokave në rrethin e Librazhdit dhe të Pogradecit nga liqeni i Ohrit nëpërmjet tunelit hekurudhor të Qafë-Thanës.

Mbi mundësinë e kalimit të kanalit ujitës-energjetik të Bënçës-Veliqot- Memaliaj.

Ujitja e tokave kodrinore të Kavajës nga ujëmbledhësi i Skoranës.

Furnizimi me ujë komunal i plazhit të Durrësit me anën e ujëmbledhësve.

Ujitja e kodrave të Shijakut nga ujëmbledhësi i Çallekut Nr. 2 dhe i Metallajt, Durrës.

Furnizimi me ujë industrial dhe për bujqësinë në rrethet Tiranë e Durrës nga ujëmbledhësi i Skoranës dhe i Skuterrës.

Shfrytëzimi në kompleks i rrjedhjës së sipërme të lumenjve Erzen, Tiranë, Tërkuzë, Zezë e Droje.

Mbi mbrojtjen nga përmbytjet e lumit Mat, duke kombinuar mbrojtjen me argjinatura dhe ujëmbledhësa rregullues në degët e lumit Mat, (1993).

Mbrojtja me kanalin e ujërave të larta të Fushës së Zadrimës dhe hekurudhës Lezhë-Shkodër, (1997).

 

 

Share This Article
5 Comments
  • Sikur ky inxhinier ne kohen e Berishes te kishte marre nje kredi,te krijonte nje firme ndertimi pallatesh ne Tirane,sot do ishte shume i vleresuar si Samir Mane.

  • Respekt per kete njeri, per kete profesionist, pjese koloseve te inxhinierise shqiptare ! Respekt per dijen,punen, kontributin dhe ate qe i ka dhene Shqiperise.Keta jane njerezit qe e kane dashur dhe e duan Shqiperine. Njerez idealiste, profesioniste dhe zoterinj te vertete, qe cdo dite rrallohen, qe cdo dite i humbim …. Respekte personale per keta te fundit kolose, qe Shqiperise nuk do i vine me kurre.

  • Shkrim dinjitoz per nje inxhinjer me dinjitet. Ke evidentuar vlerat e nje intelektuali te palodhur dhe te vleresuar pak! Nese Kristo Goga eshte inxhinjer i talentuar i digave, Ju Bashkim jeni vete nje inxhinjer i shpirtit te njeriut!

  • E meritonte nje shkrim te tille ky inxhinier i talentuar. Jete te gjate e te shendetshme ketij shkencetari te digave dhe te tjera kontribute ne fushen qe mbulon. Urime edhe gazetarit te talentuar, Bashkim Koçi!

  • Para clirimit Myzeqeja quhej hambari i mushkonjave dhe turbekulozit. E ky emertim ishte plotesisht i drejte. Pas clirimit u zhduk nga fjalori popullor emertimi i pare dhe u quajt me te drejte ” Hambari i Shqiperise” .kete emertim ia dhane prodhimet e larta bujqesore,ku ndikim te madh paska dhene edhe Myzeqari Kristo Goga. Po s’besoj t’me kundershtoi njeri kur Myzeqeqeja duhet quajtur dhe ” Hambari i artisteve dhe shkencetareve. jete te gjate inxhinjerit Kristo Goga.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *