Kriteret dhe dokumentet për regjistrimet e reja në kopshtet e Tiranës

J L

Në qershor do të zhvillohen regjistrimet edhe për fëmijët që do të frekuentojnë për herë të parë kopshtet e kryeqytetit përgjatë sezonit të ri që nis në shtator. Sipas afateve të përcaktuara, në regjistrimet e planifikuara për në datat 13-24 qershor do të pranohen vetëm fëmijët që nuk kanë ndjekur më herët çerdhet. Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës ka shpallur tashmë të gjitha procedurat dhe dokumentacionin që duhet të dorëzojnë prindërit në afatet e vendosura për të mundësuar regjistrimin e fëmijës së tyre në një nga kopshtet e kryeqytetit.

“Në datat 13-24 qershor ora 09:00-14:00, në çdo kopsht publik të Bashkisë Tiranë do të kryhet procedura e aplikimit për regjistrimin e fëmijëve në kopsht. Aplikimi do të kryhet vetëm për fëmijët të cilët nuk kanë frekuentuar më parë çerdhet publike të kryeqytetit. Prindërit duhet të paraqiten për të bërë aplikimin pranë kopshtit ku synohet të regjistrohet fëmija”, sqaron Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve të Tiranës. Edhe në këtë rast procesi i regjistrimit do të zhvillohet nëpërmjet dosjes së dokumenteve të përcaktuara. Ndërkohë që do të lejohen pranimet vetëm sipas vendbanimit, çka do të thotë se ju nuk mund të kërkoni që fëmija juaj të regjistrohet në një kopsht që nuk mbulon zonën tuaj të banimit.

Në vijim të shkrimit gjenden të detajuara kriteret dhe dokumentet që duhen për secilën nga kategoritë e fëmijëve që do të aplikojnë për të vijuar ndjekjen e kopshtit gjatë sezonit të ri 2022-2023. Kartela e vaksinave të kryera nga fëmija është një ndër dokumentet më të rëndësishme që nuk duhet të mungojë në dosjen e asnjë fëmijë që aplikon për të ndjekur kopshtet. Autoritetet sqarojnë se aplikimet në të cilat do të konstatohet mungesa e kësaj kartele do të jenë të pavlefshme.

Më herët janë përcaktuar edhe procedurat që do të ndiqen lidhur me fëmijët që ndjekin aktualisht sistemin e çerdheve, e që në shtator do të mbushin moshën për të kaluar në kopsht. “Fëmijët që kanë frekuentuar çerdhen në sezonin 2021-2022 dhe që mbushin moshën 3 vjeç, deri më datë 15 shtator 2022, do të regjistrohen automatikisht në kopsht. Për këtë, kërkohet bashkëpunimi juaj duke deklaruar pranë çerdhes ku fëmija ka frekuentuar, kopshtin në të cilin dëshironi të regjistroni fëmijën. Sipas afatit të përcaktuar, deklarimi duhet të bëhet brenda datës 24 qershor. Kopshti i përzgjedhur nga prindërit, duhet të jetë në njësinë administrative ku aktualisht ndodhet vendbanimi i fëmijës”, ka deklaruar më herët Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve. Për të mos rrezikuar kalimin e fëmijës në kopsht duhet të bëni kujdes me afatet e deklarimit.

Sikundër ndodh me çerdhet, edhe për pranimet e reja në kopshte do të ketë prioritete në përzgjedhje. Kjo për shkak të fluksit të lartë të kërkesave që paraqiten çdo vit për regjistrime në kopshtet publike, si dhe kapaciteteve të kufizuara pritëse në godinat ekzistuese. Autoritetet e kësaj drejtorie sqarojnë se prioritet në regjistrime do të kenë fëmijët e kategorive të klasifikuara si në nevojë, si dhe fëmijët që i kanë të dy prindërit në punë.

Për të ndihmuar në procesin e plotësimit të dosjes së dokumenteve të kërkuara, ekspertët sqarojnë se këto dokumentacione mund t’i shkarkoni nga portali zyrtar “e-albania” si posedues të kodit personal me kartë identiteti. Në rastet kur kjo gjë nuk është e mundur, ju duhet që të dorëzoni pranë komisionit të regjistrimit të ngritur në çdo çerdhe një fotokopje të kartës tuaj të identitetit, si dhe të plotësoni deklaratën personale në zbatim të ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale.

Kopshtet përfshijnë fëmijë të grup moshës 3-6 vjeç. Ndjekja e kopshteve nuk është e detyruar. Edhe përgjatë vitit të ri mësimor do të funksionojnë dy lloje kopshtesh, kopshtet gjithëditore dhe kopshte gjysmëditore. Kopshtet do të funksionojnë gjatë gjithë vitit. Procesi mësimor edukativ në arsimin parashkollor zhvillohet mbi bazën e programeve edukative të miratuara nga MAS. Misioni i kopshtit është, që në bashkëpunim me prindërit, të realizojë edukimin dhe zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe t’i parapërgatit ata për në shkollë.

DOKUMENTACIONI I DUHUR PËR TË GJITHA KATEGORITË E FËMIJËVE:

Fëmijët me statusin e jetimit:

  • Libreza e statusit të jetimit të fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor ka statusin e jetimit:

  • Libreza e statusit të kujdestarit ligjor të fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët me aftësi të kufizuara mendore dhe fizike dhe me sëmundje të rënda:

  • Raporti mjeko-ligjor i fëmijës.
  • Certifikata personale e fëmijës dhe ajo familjare.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët ku kujdestari ligjor është person me aftësi të kufizuara

  • Raporti mjeko-ligjor i kujdestarit të fëmijës.
  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijë të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike

  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim nga Njësia Administrative për trajtimin me ndihmë ekonomike të kujdestarit ligjor të fëmijës.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët e familjeve mono-prindërore, ku kujdestari ligjor e ka pagën nën nivelin e pagës minimale:

  • Certifikatë personale dhe familjare të fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor, i cili duhet të jetë nën pagën minimale të përcaktuar në Republikën e Shqipërisë (30,000 lekë).
  • Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët e familjeve ku kujdestari ligjor i fëmijës është i divorcuar ose i ve, por që është nën pagën minimale:

  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim page i kujdestarit ligjor i cili duhet të ketë pagë nën atë minimale të përcaktuar.
  • Vërtetim për Kontributet e Sigurimeve Shoqërore e shëndetësore për individin nga portali zyrtar e-albania.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijë të familjeve të pakicës rome dhe egjiptiane sipas vërtetimit përkatës të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre, ose vetëdeklarimi ku përcaktohet se familja është pjesë e këtyre pakicave:

  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës
  • Vërtetim të lëshuar nga organizatat që mbrojnë të drejtat e tyre ose nga vetdeklarimi.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

Fëmijët e vendosur në kujdestari nga familjet kujdestare, sipas legjislacionit përkatës:

  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vendimi i gjykatës për dhënien e kujdestarisë.
  • Vërtetimi i vaksinimit.

PËR TË GJITHA KATEGORITË E TJERA:

  • Certifikata personale dhe familjare e fëmijës.
  • Vërtetim Pune me pagë mujore të pasqyruar të kujdestarit ligjor (prindërve).
  • Vërtetim për kontributet sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të individit nga portali e-albania. Vërtetimi i vaksinimit.
Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *