Maturantët që kryejnë studimet e shkollës së mesme pranë shkollave të kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip- italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë më shumë shanse për të qenë fitues në garën e konkurrimit për kuotat e reja të pranimeve që do të realizohen tek Sociologjia në Fakultetin e Shkencave Sociale për ciklin e parë të studimeve “Bachelor”. Kjo pasi këto profile shkollash vlerësohen nga kjo degë me koeficientin më të lartë 1.4. Të gjitha llojet e tjera të shkollave të mesme, si ato të kategorive pedagogjike, gjimnazet gjuhësore, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes vlerësohen me koeficientin 1.2. Ndërsa me koeficientin më të ulët vlerësohen shkollat e mesme profesionale, për të cilat koeficienti i përcaktuar është 1.
Prej disa ditësh fakultetet kanë çelur dyert për informimin e maturantëve që duan të vijojnë studimet e larta pranë tyre përgjatë pranimeve të vitit të ri akademik 2022-2023. Në ndihmë të maturantëve që do të garojnë gjatë muajit korrik, Departamenti i Sociologjisë ka shpallur tashmë edhe broshurën udhëzuese me kriteret për pranimet e reja, duke detajuar edhe formulën finale se si do të bëhet zgjedhja e fituesve të rinj që do të vijojnë për herë të parë studimet e ciklit të parë në këtë degë, referuar edhe numrit të kuotave të pranimeve. Sipas kushteve të përcaktuara më herët, për këtë degë përzgjedhja e fituesve do të vendoset nga mbledhja e rezultateve të tre treguesve që janë: pikët e siguruara nga mesatarja e shkollës së mesme, e cila vlerësohet me 40 për qind të ndikimit. Treguesi i dytë ka të bëjë me pikët e siguruara nga mesatarja e provimeve të Maturës Shtetërore 2022 apo edhe të maturave të shkuara, tregues ky që siguron 30 për qind të pikëve, si dhe kriteri i tretë që ka të bëjë me pikët e siguruara nga mesatarja e lëndëve prioritet, që po ashtu vlerësohen me 30 për qind të ndikimit në shpalljen e fituesve të rinj. Totali i pikëve të grumbulluara nga secili prej këtyre treguesve përbën edhe rezultatin final të çdo maturanti apo kandidati tjetër që do të garojë përgjatë këtij viti për të vijuar studimet e larta në degën e Sociologjisë. Në vijim të shkrimit gjeni të plotë formulën për fituesit e rinj, si dhe llojet e programeve të studimit që do të realizohen në këtë departament për secilin cikël studimesh.
Referuar kushteve të përcaktuara në ligjin e arsimit të lartë, programet e studimit të ciklit të parë synojnë të japin njohuri bazë mbi metoda e parime shkencore të përgjithshme dhe aftësi të caktuara në një larmi të gjerë profesionesh e specialitetesh. Programet e studimit të ciklit të parë si rregull, me 180 kredite europiane(ECTS) dhe kohëzgjatja normale e tyre është 3 vite akademike. Studentët në këtë program, mbështetur në kriteret e vendosura në rregulloren e UT-së për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programeve të studimit të ciklit të parë, lëshohet diplomë universitare “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Përgatitja për provimet
Aktualisht maturantët po vijojnë edhe me përgatitjet për provimet e Maturës Shtetërore 2022 që do të zhvillohen përgjatë muajit qershor. Mësuesit e cilës lëndë janë udhëzuar në lidhje me konsultimet që duhet të zhvillojnë me nxënësit gjatë periudhës përgatitore të provimeve. Katër janë provimet që maturantët do të zhvillojnë edhe përgjatë këtij viti, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara, që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje.
Në udhëzimin e miratuar më herët nga Ministria e Arsimit dhe Sportit përcaktohet se maturantët do të nisin me provimet e detyruara në datën 9 qershor, ku do të zhvillohet provimi i parë në lëndën e gjuhës së huaj, për të vijuar në datën 11 qershor, ku do të jepet provimi i dytë i detyruar në lëndën e gjuhës shqipe dhe letërsisë. Ndërsa në datën 17 qershor do të zhvillohet provimi i tretë i maturës që është në lëndën e matematikës. Prova e fundit që duhet të kalojnë maturantët në sezonin e provimeve të qershorit do të jetë testi për lëndën me zgjedhje, që është planifikuar që të zhvillohet në datën 24 qershor. Po në të njëjtat data do të zhvillohen provimet e maturës edhe për nxënësit që gjatë këtij viti përfundojnë studimet e shkollave të mesme profesionale.
Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve që jepen si provim i detyruar janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Ndërsa programet orientuese për lëndën me zgjedhje do të jenë të njëjta për të gjithë maturantët që kanë plotësuar formularin A1Z. Programi orientues i lëndës me zgjedhje përmban programin e kurrikulës bërthamë dhe të asaj me zgjedhje.
Provimet e këtij viti do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. “Testet e provimeve të detyruara dhe të provimit me zgjedhje do të hartohen, administrohen dhe vlerësohen nga Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA). Maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në provimet e Maturës Shtetërore 2022, i rijapin provimet në sesionin e dytë
Koeficienti i shkollës së mesme
- Shkollat e kategorive gjimnaz, gjimnaz dygjuhësh shqip- italisht, shqip-gjermanisht dhe shqip-frëngjisht kanë koeficientin 1.4
- Shkollat e kategorive pedagogjike, gjimnaz gjuhësor, shërbimet sociale dhe shëndetësore, si dhe shkolla administrim biznes kanë koeficientin 1.2
- Gjithë shkollat e tjera të kategorive profesionale kanë koeficientin 1
Kriteret e pranimit
- Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme 40%
Rezultati 1 = (Nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme x 0,4)
- Nota mesatare aritmetike e provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të MSH 30%. Për maturantët që japin provim me zgjedhje lëndët Qytetari, Psikologji ose Filozofi-Sociologji aplikohet koeficienti 1.2 – Për maturantët që nuk japin një nga këto lëndë në provimet me zgjedhje aplikohet koeficienti 1.
Rezultati 2= (Nota mesatare e provimeve të maturës shtetërore x 0,3)
- Nota mesatare aritmetike e gruplëndëve formuese në shkencat sociale përbën 30%
Qytetari dhe Filozofi (kurrikul bërthamë klasa 10 e 11), si dhe Psikologji dhe Sociologji (kurrikul me zgjedhje, klasa 12). Nxënësit që kanë zgjedhur në klasën e 12 lëndët me zgjedhje
psikologji ose sociologji ose të dyja lëndët, ju aplikohet për këto lëndë koeficienti 1.2.
Rezultati 3= (Nota mesatare e gruplëndëve formuese x 0.3)
Rezultati Total= (Rezultati 1+ Rezultati 2+ Rezultati3)x 100x koeficienti i shkollës.
Programet e studimit që ofrohen në Departamentin e Sociologjisë për të dy ciklet janë:
- “Bachelor” në “Sociologji”.
- “Master i Shkencave” në “Sociologji e zhvillimeve shoqërore”.
- “Master i shkencave” në “Mësues i shkencave sociale për arsimin e mesëm të lartë”.
- “Master i shkencave” në “Drejtësi tranzitore”.
- “Master Profesional” në “Administrim i institucioneve sociale në sistemin e drejtësisë”.
- “Master Profesional” në “Zgjidhje e konflikteve me ndërmjetësim”.
