Në shumë spitale gjermane mungojnë mjekët dhe personeli mjekësor. Specialistët nga jashtë janë të mirëseardhur, por jo çdo mjeku të huaj i jepet e drejta të punojë menjëherë në Gjermani
Gjatë një ore mësimi për gjuhën gjermane në qendrën “Lucy Romberg” në Marl, mësuesja Hana Kriese po shpjegon leksionin e radhës. Por kur dëgjon më me vëmendje, e kupton se ky është një kurs i veçantë. Kursantët janë mjekë nga Rumania, Shqipëria dhe Rusia. Në qendrën e trajnimit në Vestfalinë Perëndimore, ata mësojnë terminologjinë mjekësore dhe praktikohen në situata nga puna e përditshme në spital.
Gjendja në spitalet gjermane është shumë e tensionuar, sepse në fushën e mjekësisë mungojnë mjekë dhe infermierë, prandaj në këtë sektor personeli i huaj është i mirëpritur. “Medunited Academy” është e specializuar për ndërmjetësimin e mjekëve të huaj dhe profesionistëve të tjerë në spitale dhe institucione sociale në Gjermani, të cilët vijnë nga vende të Evropës Lindore dhe Juglindore si: Polonia, Rusia Rumania, Greqia, Shqipëria dhe Kosova.
Zotërimi i gjuhës gjermane si kusht kryesor
Drejtori ekzekutiv, Silvio von Entres, tha në për “Deutsche Welle”-n se mjekët dhe infermierët, që vijnë nga këto vende, janë profesionalisht të përgatitur, “por në fund është e rëndësishme, se sa mirë e zotërojnë ata gjuhën gjermane, të bëjnë dallimin midis a-së dhe o-së”. Para se mjekët të vijnë në Gjermani për të punuar, ata duhet të kapërcejnë pengesën e gjuhës. Kusht është, që ata të kenë të paktën nivelin B1 të gjuhës, por ideale do të ishte B2-shi.
Falë ligjit të ri gjerman për njohjen e kualifikimeve të fituara jashtë shtetit, i cili hyri në fuqi më 1. prill të 2012-s, marrja e lejës për të punuar si mjek në Gjermani, nuk lidhet më me shtetësinë e mjekut. Megjithatë, mjekët nga vendet jashtë BE-së duhet t’i nënshtrohen një testi aftësie.
Instituti “Sprachwerkstatt” nga Paderborni ofron në bashkëpunim me partnerët e tij kurse gjermanishteje për mjekët e huaj në disa vende. Pas përgatitjes në vendet e tyre, mjekët kanë mundësi të marrin pjesë në një kamp gjuhe, si në Marl, për të marrë dorën e fundit, sidomos ata që do të punësohen në klinika dhe spitale duhet të jenë të aftë të sqarojnë pacientët, të japin fletë informuese, të përshkruajnë analiza, të formulojnë epikriza etj.
Mundësi të mira specializimi
Andrea Rogozianu dhe Leonard Vasilaçe vijnë nga Rumania. Andrea thotë se ajo dhe Leonardi ishin të punësuar në Rumani, por paga atje ishte shumë e vogël. Rubin Kulli dhe Altin Bila janë dy mjekë të rinj nga Shqipëria. Ata tregojnë se në Shqipëri kishin punë, dhe se në Gjermani duan që të bëjnë specializimin. “Në Gjermani nuk është e mirë vetëm pagesa, por edhe mundësitë e arsimit dhe të trajnimit janë më të mira këtu”, thotë Ashot Gevorkov, neurokirurgu nga Shën Petersburgu. Ai ka punuar për 12 vjet si neurokirung në Shën Petersburg, por në Gjermani shpreson të fitojë përvoja të reja.
Gjatë kursit në Marl, mjekët kanë mundësi të bëjnë praktika të shkurtra edhe në spitale. “Kjo ka përparësi për të dyja palët. Spitali mund t’i njohë praktikantët dhe anasjelltas, edhe praktikanët mund t’u tregojnë mjekëve të spitalit aftësitë e tyre, pa presionin e zakonshëm që ka situata kur dikush jep një intervistë për vend pune”, thotë Silvio Entres.
Të ardhur për të qëndruar
Ndihma mjekëve të huaj u jepet edhe për të përballuar sfidat me autoritetet e ndryshme në Gjermani: zyrat e të huajve, zyrat tatimore, apo komisionet për provimet mjekësore. “Ne përpiqemi që të organizojmë jo vetëm kurset e gjuhës gjermane dhe t’i ndërmjetësojmë mjekët, por gjithashtu edhe t’i ndihmojmë pak për t’i orientuar në Gjermani”, thotë Andreas Bernhardt nga “Medunited Akademy”. Pas kursit të specializuar për mjekë “B2 Plus Med” mjekët e rinj nga Rumania, Shqipëria dhe Rusia kanë gjetur punë në Gjermani.
Somario: “Medunited Academy” është e specializuar për ndërmjetësimin e mjekëve të huaj dhe profesionistëve të tjerë në spitalet e Gjermanisë, të cilët vijnë nga vende të Evropës Lindore dhe Juglindore si: Polonia, Rusia Rumania, Greqia, Shqipëria dhe Kosova
Jam shume i interesuar ,po si munde te lidhemi me keto spitale qe kane nevoje ,dua nje pergjigje ju lutem
O Kozma,
lexo paragrafin e fundit:
Somario: “Medunited Academy” është e specializuar për ndërmjetësimin e mjekëve të huaj dhe profesionistëve të tjerë në spitalet e Gjermanisë, të cilët vijnë nga vende të Evropës Lindore dhe Juglindore si: Polonia, Rusia Rumania, Greqia, Shqipëria dhe Kosova
google “Medunited Academy”, dhe gjej “home page” ( faqen kryesore) te kesaj organizate. Atje do te gjesh edhe kontaktin, email, # telefoni etj.