Kriteret për 2022, koeficientet për fituesit tek Universiteti Bujqësor

J L

Pesë janë fakultetet, në të cilat maturantët do të garojnë për të vijuar studimet e larta në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Pas vlerësimeve të bëra për çdo program, autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë, kanë shpallur tashmë formulën për fituesit e rinj të 2022, teksa kanë detajuar edhe llojin e koeficientit të përcaktuar për çdo profil të shkollës së mesme që maturanti ka kryer. Sipas vendimit të marrë, përzgjedhja e fituesve të këtij viti do të përcaktohet nga vlerësimi i kritereve të tilla si: mesatarja e shkollës së mesme përfshirë këtu edhe provimet e maturës shtetërore, koeficientet e përcaktuar nga secili fakultet për çdo profil të shkollës së mesme, kriterin e lëndës me zgjedhje, si dhe numrit të kuotave të përcaktuara për çdo degë.

Shumatorja e pikëve të siguruara nga vlerësimi i këtyre treguesve përbën edhe rezultatin final që maturanti apo kandidati siguron në garën e pranimeve të reja të këtij viti. Për çdo program studimi, renditja në listë do të nisë me kandidatët që kanë siguruar pikët më të larta, për të vijuar në rend zbritës deri tek kandidati me rezultatin më të ulët. Ndërkohë që fitues do të jenë të gjithë maturantët që kanë pikët më të larta referuar numrit të kuotave të miratuara për secilën degë studimi. Në javët e ardhshme pritet të bëhet edhe miratimi i kuotave të mundshme të pranimeve për çdo degë.

Kriteret për fituesit në secilin fakultet

Referuar këtyre kushteve, të gjithë maturantët që aplikojnë për të studiuar në Fakultetin e Bujqësisë dhe Mjedisit dhe që plotësojnë kriterin e mesatares së vendosur nga Këshilli i Ministrave do të vlerësohen sipas kritereve që janë: ndikimi i mesatares së gjimnazit, kriteri i rëndësisë që ka të bëjë me koeficientet e profilit të përcaktuar për shkollën nga vjen, sa i takon përputhshmërisë me fushat dhe programet e studimit në këtë fakultet. Ndërsa kushti i tretë ka të bëjë me numrin e kuotave të përcaktuara për çdo program studimi. Biologji, kimi dhe fizikë janë lëndët e përcaktuara prioritet për degët e këtij fakulteti. Rreth 90 për qind të peshës në shpalljen e fituesve do ta kenë dy kriteret që kanë të bëjnë me koeficientin e profilit të shkollës dhe ndikimin e mesatares së gjimnazit, ndërsa me 10 për qind do të vlerësohet pesha e tre lëndëve me zgjedhje. Në këtë fakultet maturantët do të mund të garojnë për këto programe të ndryshme studimi, që janë: Mbrojtje bimësh, Hortikulturë, Agronomi, Zootekni dhe Siguria e Produkteve Blegtorale, Biologji marine dhe Akuakulturë, Inxhinieri agromjedisi, Agromekanizëm, Menaxhimi i burimeve natyrore, Arkitekture peizazhi, Zooveterinari, si dhe Agrobiologji.

Më tej, në programet e studimit të ciklit të parë të studimeve “Bachelor” në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit pranohen kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe atë profesional dhe kur kanë përfunduar jo më pak se 12 vite në ciklet parauniversitare. Gjithashtu, në këto programe studimi do të pranohen edhe ata kandidatë që kanë marrë një diplomë të shkollës së mesme jashtë vendit. Për këtë kategori kërkohet të jetë bërë ekuivalentimi i diplomës së fituar jashtë vendit, nga strukturat përgjegjëse të MAS. Edhe për degët e këtij fakulteti përzgjedhja e fituesve do të bëhet kur plotësojnë katër kushte që kanë të bëjnë me mesataren e shkollës së mesme, rëndësinë e koeficienteve të vendosur nga fakulteti për çdo profil të shkollës së mesme nga vjen maturanti, notës mesatare të lëndës me zgjedhje në fushën e ekonomisë, si dhe kuotave të përcaktuara. Gara në këtë fakultet do të zhvillohet për degët: Ekonomi dhe politikat e zhvillimit rural, Ekonomiks i aplikuar, Financë-Kontabilitet, Informatikë biznesi, Menaxhim agrobiznesi, Menaxhim turizmi rural, Agroturizëm dhe mikpritje, si dhe Menaxhim sistemesh informacioni.

Po të njëjtat kushte do të zbatohen edhe për maturantët që do të garojnë në degët e Fakultetit të Bioteknologjisë dhe Ushqimit. Në këtë fakultet gara për studimet e ciklit të parë do të zhvillohet në tre programe të ndryshme studimi që janë: Teknologji Ushqimore, Vreshtari Enologji, Shkenca e Ushqimit dhe të Ushqyerit.

Çdo kandidat që ka mbaruar me sukses studimet e shkollës së mesme do të mund të garojë për vijimin e studimeve të larta edhe në programet e ciklit të parë të Fakultetit të Shkencave Pyjore. Për këtë fakultet përzgjedhja do të bëhet duke u bazuar tek kriteri i meritës bazuar në mesataren e shkollës së mesme, si dhe kriteri i rëndësisë që është koeficienti i përcaktuar për profilin e shkollës së mesme në përputhje me programet e studimit që ofron ky fakultet, sipas përcaktimeve të departamenteve që janë pjesë përbërëse e këtij fakulteti. Gara do të zhvillohet për tre degë që janë Mbarështim pyjesh, Përpunim druri, Dizajn i mobilieve dhe interierit.

Ndërsa në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare do të zbatohen katër kushtet që kanë të bëjnë me ndikimin e notës mesatare të gjimnazit, me koeficientet e përcaktuar për çdo shkollë, lëndën me zgjedhje, si dhe kuotave të miratuara për çdo program studimi të këtij fakulteti. Gara për studimet e ciklit të parë në këtë profil do të zhvillohet për dy degë që janë: Mjekësi veterinare (PIND)  dhe Menaxhim veterinar (2-vjeçar).

Përgatitja për maturantët

Maturantët po vijojnë tashmë me përgatitjet finale për të përmbyllur ciklin e Maturës Shtetërore me katër provimet që do të zhvillohen përgjatë muajit qershor. Konkretisht, përgjatë maturës së këtij viti, katër janë provimet që do të zhvillohen, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila përzgjidhet sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.

Testi i çdo provimi të maturës do të ketë 60 pikë, ku 20 pikë do të jenë për pyetjet me alternativa dhe 40 pikë për pyetjet me zhvillim. Maturanti do të jetë kalues nëse merr minimumi 25 për qind të pikëve të testit, që i bie të jenë 15 pikë të detyrueshme. Nxënësit që do të marrin më pak pikë se sa ky prag i vendosur do të duhet të rijapin sërish provimin gjatë sezonit të vjeshtës, dhe vetëm pasi të marrin rezultate kaluese, do të mund të vijojnë më pas edhe procedurat marrjen e diplomës së shkollës së mesme, si dhe vijimin e aplikimeve për studimet e larta universitare. Ndërkohë që çdo kandidat që ka marrë rezultate kaluese në testet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje përgjatë maturave të zhvilluara më parë, nuk do të japë më provime në Maturën 2022. Këta kandidatë do të rikthehen në garë për studimet e larta duke mbartur rezultatet e provimeve të dhëna në vitet e mëparshme, sipas kushteve të përcaktuara.

Formula për fituesit e rinj të 2022 është:

F = {(Mesatare VKM * Koeficient Profili * 0.9) + {Lënda me zgjedhje * 0.1}

  • F-Rezultati final për secilin maturant
  • Mesatare VKM-Mesatarja e përcaktuar nga qeveria për të hyrë në garë.
  • Koeficeinti I profilit- Është koeficeinti me të cilin secili fakultet vlerëson llojin e shkollës së mesme që maturanti ka kryer
  • Lënda me zgjedhe- Lënda që maturanti ka dhënë si provim me zgjedhje.

Ekonomia

Veterinari

Bioteknologji

Shkenca pyjore

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *