Kriteret për dhënien e provimeve të Maturës Shtetërore 2022

J L

Në provimet e Maturës Shtetërore për këtë vit kanë të drejtë që të hyjnë të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë përfunduar me sukses vitin e fundit të shkollës së mesme të përgjithshme, atyre profesionale apo artistike, dhe që kanë plotësuar në kohë formularin A1 dhe A1Z.

Sipas rregullores së miratuar pak ditë më parë nga dikasteri i Arsimit bëhet e ditur se të gjithë kandidatët që në maturat e zhvilluara ndërmjet viteve 2012-2019, dhe që rezultojnë kalues në një prej provimeve me zgjedhje, e nuk janë pajisur me diplomën apo certifikatën e maturës do të pajisen me të, dhe nuk do të japin më provime gjatë sezonit të këtij viti shkollor.

Për kandidatët të cilët kanë marrë një dëftesë pjekurie para vitit 2011 dhe dëshirojnë të aplikojnë për studime në institucionet e arsimit të lartë, do t’u njihen provimet e detyruara dhe me zgjedhje, ose provimet e njëvlershme me to, të njehsuara nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar përkatës. Në lidhje me këta kandidatë, në rregullore specifikohet se në rastet kur nuk kanë dhënë provime me zgjedhje, ose i kanë dhënë dhe kanë rezultuar jokalues, kanë të drejtë që të japin një provim me zgjedhje vetëm kur e kanë të nevojshme për plotësimin e kritereve të pranimit të përcaktuara nga institucionet e arsimit të lartë, qofshin këto publike apo private në vend.

Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2014, por që nuk janë pajisur me një diplomë, apo certifikatë, nuk e japin gjuhën e huaj si provim të detyruar në maturën e këtij viti. Pasi të kenë fituar provimet e maturës, këta kandidatë do të marrin diplomën dhe certifikatën përkatëse ku të konfirmohet përfundimi me sukses i studimeve të shkollës së mesme.

Çdo maturant që përfundon gjatë këtij viti shkollën e mesme, me marrjen e notave kaluese në provimet e detyruara dhe lëndën me zgjedhje do të pajisen me diplomën e shkollës së mesme, çka më pas i hap udhë konkurrimit për studimet e larta. Diploma e Maturës Shtetërore për nxënësit e shkollave të mesme të përgjithshme, atyre artistike apo shkollave profesionale lëshohet vetëm një herë. Maturanti dhe kandidati që nuk do të rezultojë kalues në provimet e planifikuara për t’u zhvilluar gjatë sezonit të muajit qershor, në sezonet e ardhshme do të japë vetëm provimet e detyruara apo lëndën me zgjedhje në të cilën do të rezultojë mbetës.

Përgatitja e testeve të Maturës Shtetërore 2022

Në nenin 12 të rregullores së miratuar së fundmi nga MAS, përcaktohet se Qendra e Shërbimeve të Arsimit (QSHA) ngre grupet lëndore për hartimin e fondit të pyetjeve sipas kuadrit ligjor në fuqi. Anëtarët e grupeve lëndore në kontratën që do të nënshkruajnë me QSHA-në do të marrin përsipër të ruajnë sekretin e hartimit të fondit të pyetjeve dhe të mos jenë në konflikt interesi. Fondi i pyetjeve është jo më i vogël se dhjetëfishi i pyetjeve që do të përmbajë testi i secilës nga lëndët që do të jepet në provime gjatë Maturës Shtetërore 2022. Po në të njëjtën formë do të veprohet edhe me hartimin e testeve për maturat profesionale.

Përzgjedhja e pyetjeve për hartimin e testeve përfundimtare të provimeve do të bëhet nëpërmjet teknologjisë digjitale nga specialistë të caktuar me urdhër të QSHA. Përzgjedhja e pyetjeve të testit do të bëhet në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit brenda ambienteve të izoluara të QSHA-së. Të drejtën e përzgjedhjes së pyetjeve e kanë vetëm ekspertët e përcaktuar nga kjo qendër që njihen si përzgjedhësit e testit përfundimtar (PTP). Specialistët e tjerë të QSHA-së në periudhën e hartimit të testit nuk kanë të drejtë që të përzgjedhin, sugjerojnë, ndryshojnë testet e hartuara nga PTP. Pas hartimit të përmbajtjes finale të testit të çdo lëndë do të bëhet edhe shumëfishimi i tyre dhe paketimi nga punonjësit e caktuar.

Përjashtimisht vetëm për Maturën Shtetërore 2022, procedurat e përcaktuara për hartimin e testeve do të zbatohen rreptësisht për provimet e lëndëve: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikës, si dhe për provimin me zgjedhje për lëndët:kimi, biologji, dhe fizikë. Për lëndët e tjera të provimit me zgjedhje nuk do të zbatohen këto procedura të parashikuara në nenin për hartimin testeve.

Katër janë provimet që do të zhvillojnë maturantët edhe përgjatë Maturës Shtetërore 2022, ku bëhet fjalë për 3 provime të detyruara që do të zhvillohen në lëndët: gjuhë shqipe dhe letërsi, matematikë, dhe gjuhë e huaj e parë, si dhe një lëndë që do të jepet si provim me zgjedhje, e cila është përzgjedhur  sipas preferencave të maturantit nga lista zyrtare e miratuar nga MAS për çdo profil shkollor: shkollat e mesme të përgjithshme, ato artistike, si dhe shkollat profesionale.

Provimet do të nisin në orën 10:00 dhe do të zgjasin për dy orë e gjysmë. Testi për secilin nga provimet do të vlerësohet maksimalisht me 60 pikë, ndërkohë që do të ketë në përmbajtje pyetje me alternativa, si dhe pyetje me zhvillim. Për të orientuar maturantët në lidhje me përgatitjen për provimet e maturës, janë zbardhur edhe programet orientuese me temat që duhet të rishikoni me kujdes për zhvillimin e provimeve. Provimet e detyruara do të mbështeten vetëm në kurrikulën bërthamë. Programet orientuese të tre lëndëve të detyruara janë në përshtatje me programet ekzistuese të arsimit të mesëm të lartë. Programet e lëndëve me zgjedhje janë të njëjta për të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë që kanë aplikuar me plotësimin e formularit A1 dhe A1Z. Programi orientues i lëndëve me zgjedhje përmban programin e lëndës bërthamë, si dhe asaj me zgjedhje.

 

DATAT E PROVIMEVE TË MATURËS SHTETËRORE 2022

  • Provimi i gjuhës së huaj do të zhvillohet në datën 9 qershor.
  • Provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë do të zhvillohet në datën 11 qershor.
  • Provimi i matematikës do të zhvillohet në datën 17 qershor.
  • Provimi i lëndës me zgjedhje do të zhvillohet në datën 24 qershor.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *