Kriteret për të fituar masterin me kohë të plotë tek ekonomiku

anazapta

Për këto programe kanë të drejtë të aplikojnë studentët e diplomuar në nëntor të 2012-s. Afati i pranimit të dosjeve skadon në mesditën e 21 dhjetorit

Pranvera Kola

Regjistrimet për aplikuesit që duan të ndjekin studimet e larta në programin Master më kohë të plotë pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës do të qëndrojnë të hapura deri në fundjavë. Burimet zyrtare të këtij fakulteti bëjnë me dije se kanë të drejtë që të aplikojnë për programet Master me kohë të plotë të gjithë studentët e diplomuar në nëntor të 2012-s. Aplikimet do të vijojnë deri në mesditën e 21 dhjetorit pranë zyrës së shërbimeve, kati i parë, Godina A. Për të konkurruar për këtë cikël studimesh aplikantët duhet të dorëzojnë dosjen e plotë, por pa diplomë dhe listë notash, sepse ende nuk janë pajisur me këto dokumente (mesataret do të llogariten automatikisht nga sekretaritë mësimore).

Formulari i aplikimit gjendet i detajuar në faqen zyrtare të internetit të Fakultetit Ekonomik ose mund të tërhiqet pranë sekretarive mësimore të fakultetit. Dosja e dokumenteve që aplikanti duhet të dorëzojë duhet të ketë në përmbajtje: “Fotokopjen e noterizuar të diplomës së ciklit të parë të studimeve të shoqëruar me listën origjinale të notave, dokument identifikimi (kartë identiteti ose pasaportë) dhe fotokopje e tyre, 2 fotografi, si dhe mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 2 500 lekësh, derdhur në Postën Shqiptare. Një ndër dokumentet më të rëndësishme është deklarata e kandidatit që vërteton se nuk ndjek ndonjë program tjetër studimi të ciklit të dytë, “Master Profesional” dhe “Master Shkencor apo Master i Arteve të Bukura”, në institucionet e tjera të arsimit të lartë publike në vend.

Kriteret e pranimit

Kriteret e përgjithshme të përcaktuara për pranimet e reja u japin përparësi kryesisht studentëve që janë diplomuar pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës, dhe pjesa tjetër e kuotave do të plotësohet nga fakultetet e tjera publike dhe jo publike, të huaja dhe vendase të fushës së Ekonomisë. Ndërsa në listën e kritereve të veçanta përfshihen kuotat e miratuara nga Këshilli Ministrave, llojin e diplomës dhe meritat (mesatarja e përgjithshme e ponderuar e studimeve universitare).

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *