Me marrjen e notave të provimeve të detyruara dhe atyre me zgjedhje, maturantët kanë tashmë në dispozicion të gjithë elementët e nevojshëm për të bërë vetë llogaritjet e duhura mbi programet e studimit ku kanë më shumë shanse për të qenë fitues në garën e pranimeve të reja që do realizojnë universitetet për vitin akademik 2016-2017.
Pesha vendimtare në përzgjedhje për pjesën dërrmuese të fakulteteve i takon mesatares së shkollës së mesme, e cila vlerësohet nga 50 deri në 70 për qind, sipas programeve përkatëse. Ndërsa pjesa e mbetur e ndikimit bazohet në mesataren e lëndëve specifike, që vetë fakultetet i kanë listuar si prioritet për përzgjedhjen e studentëve të rinj që do frekuentojnë për herë të parë në tetor auditoret e tyre.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar listën me kriteret e pranimit të miratuara për të 13 universitetet publike të vendit, ku jepet në mënyrë të detajuar ndikimi që do të ketë nota mesatare e shkollës së mesme, mesatarja e lëndëve specifike, si dhe përcaktimet në lidhje me llojin e shkollës së mesme që maturanti ka kryer.
Për disa nga programet do të merret në llogaritje mesatarja e thjeshtë, ndërsa për disa të tjera merret nota mesatare e ponderuar. Bazuar në ligjin e ri për arsimin e lartë, kriteret për të fituar studimet e larta për viti e ri akademik janë përcaktuar nga vetë universitetet. Pjesa dërrmuese e këtyre institucioneve kanë vendosur që të marrin për bazë, si një ndër kriteret hyrëse notën mesatare, natyrshëm që edhe provimet me zgjedhje, si pjesë përbërëse e notës mesatare do kenë rëndësinë e tyre.
Ndaj, maturantët këshillohet që kur të listojnë 10 degët ku duan të vijojnë studimet e larta, të orientohen drejt atyre programeve që janë të ngjashme me lëndët që janë dhënë si provime me zgjedhje, në të cilat vlerësimet janë edhe më të larta.
Ndërkohë që këto lëndë duhet të jenë edhe në listën e grup-lëndëve të përcaktuara si prioritet nga fakultetet. Lëndët me zgjedhje të zhvilluara gjatë tri viteve të fundit, kanë të njëjtën rëndësi siç kanë të gjitha lëndët e tjera në përllogaritjen e notës mesatare.
