Pranvera Kola
Ka nisur tashmë aplikimi për bursat e studimit në mjekësi për vitin e ri akademik 2019-2020. Autoritetet e Universitetit të Mjekësisë bëjnë me dije se studentët që plotësojnë kriteret për të fituar bursën gjatë këtij viti akademik duhet që të plotësojnë formularin e aplikimit dhe ta dorëzojnë së bashku me dokumentet përkatëse në afatet e caktuara. Sipas vendimit të marrë, nuk do të përfitojnë bursë financiare studentët që vazhdojnë studimet në një program të dytë.
Pranimi i aplikimeve për bursë
“Afati i dorëzimit të dokumentacionit sipas kritereve të përfitimit të bursave do të vijojë deri në datën 5 nëntor. Dosja duhet dorëzuar pranë Zyrës së Informacionit të secilit fakultet, çdo ditë ndërmjet orareve 14:00-16:00”, bëjnë me dije drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë. Krahas studentëve që janë pjesë e kategorive në nevojë, me bursë do të trajtohen edhe studentët me mesatare të lartë. në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara kushtet e përfitimit për secilën kategori, si dhe dosjen e dokumenteve që duhet të dorëzojë secila kategori përfituese.

Kategoritë përfituese
Referuar kushteve të përcaktuara, kanë të drejtë që të sigurojnë bursë studentët që rrjedhin nga familje, të cilat trajtohen me ndihmë ekonomike. Tre janë dokumentet që duhet të dorëzojë kjo kategori studentësh, përkatësisht: fotokopje e kartës së identitetit, certifikatë familjare e tre muajve të fundit, si dhe vërtetimin e marrë pranë organeve të qeverisjes vendore ku faktohet se familja e këtij studenti trajtohet me ndihmë ekonomike, ku të jetë i specifikuar edhe numri i dosjes së përfitimit.
Të drejtën për të siguruar bursë e kanë edhe studentët bashkëshortë, të cilët kanë fëmijë dhe janë të dy student. Kjo kategori në dosjen e aplikimit duhet të përfshijë kopjen e kartës së identitetit, certifikatë familjare të tre muajve të fundit, si dhe dokumentin origjinal të vërtetimit për studentët bashkëshortë. Ndërsa studentët që janë me aftësi të kufizuara, krahas mjetit të identifikimit dhe certifikatës familjare, në dosje duhet që të përfshijnë edhe fotokopjen e noterizuar të vërtetimit të lëshuar nga KMACP, si dhe certifikatën e marrë nga organet e qeverisjes vendore ku të konfirmohet marrja e pagesës së aftësisë së kufizuar. Në këtë rast duhet që të dorëzoni dokumentin origjinal të lëshuar nga organet vendore për të dy prindërit. Më tej bëhet e ditur se studentët që kanë të dy prindërit pensionistë, apo njërin pensionist dhe tjetrin që nuk jeton, si dokumentacion të domosdoshëm duhet që të dorëzojnë: fotokopjen e kartës së identitetit, certifikatën familjare të tre muajve të fundit, vërtetimin nga organet e sigurimeve shoqërore për pension pleqërie për të dy prindërit, si dhe certifikatë vdekjeje në rast se njëri nga prindërit pensionist nuk jeton më.
Për studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë duhet që të dorëzojnë: kopjen e kartës së identitetit, certifikatë familjare të lëshuar gjatë tre muajve të fundit, si dhe vërtetim studenti për dy fëmijët e lindur në radhë para studentit aplikues. Një tjetër kategori që do të trajtohen me bursë janë edhe studentët që kanë përfituar statusin e jetimit deri në moshën 25 vjeç. Për këtë kategori në dosje kërkohet: kopja e kartës së identitetit, certifikata familjare e lëshuar gjatë tre muajve të fundit, certifikatë e humbjes së të dy prindërve, si dhe fotokopje e noterizuar e dokumentit për statusin e jetimit.
Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim të formës së prerë të gjykatës, deri në 25 vjeç, krahas dokumentit të identifikimit dhe certifikatës familjare, duhet që të dorëzojnë edhe fotokopjen e noterizuar të vendimit të gjykatës. Studentët që janë identifikuar si viktima trafikimi dhe që kanë përfituar statusin ligjor për trajtim deri në moshën 25 vjeç, duhet të dorëzojnë: kopjen e kartës së identitetit, certifikatën familjare të lëshuar gjatë tre muajve të fundit, si dhe dokumentin vërtetues lëshuar nga organet përkatëse për studentët që kanë përfituar statusin ligjor si viktima të trafikut (dokument origjinal ose i noterizuar).
Po ashtu, bursë kanë të drejtë që të përfitojnë edhe studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës. Kjo kategori duhet të dorëzojë kopje të kartës së identitetit, certifikatë familjare të tre muajve të fundit, certifikatën e humbjes së prindit, si dhe vërtetimin e lëshuar nga institucioni përkatës i humbjes së jetës së prindit në krye të detyrës.

Studentët me mesatare vjetore 9-10
Studentët e regjistruar në vitin e parë që janë me notë mesatare vjetore 9 deri në10 duhet të dorëzojnë kartën e identitetit dhe numrin e llogarisë bankare. Ndërsa studentët e vitit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë, që janë me notë mesatare vjetore të ponderuar nga nota 9 deri 10 në vitin akademik paraardhës duhet të dorëzojnë fotokopje të kartës së identitetit dhe numrin e llogarisë nga bankare në datat 28 tetor, deri në datën 5 nëntor. Në rastet e dorëzimit të dokumenteve në mungesë, apo jo të sakta studenti do të penalizohet.
Mund të aplikojnë për bursë:
- Studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihmë ekonomike.
- Bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare.
- Studentët, persona me aftësi të kufizuara, të vërtetuar nga Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
- Studentët që i kanë të dy prindërit me aftësi të kufizuara, të vërtetuar me vendim të Komisionit Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë, përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
- Studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton.
- Studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.
- Studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore, deri në moshën 25 vjeç.
- Studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës.
- Studentët e regjistruar në vitin e parë që janë me notë mesatare vjetore nga nota 9 deri në 10
- Studentët e vitit të dytë, të tretë, të katërt, të pestë dhe të gjashtë, që janë me notë mesatare vjetore të ponderuar nga nota 9 deri në 10,në vitin akademik paraardhës.
