Kriteret për transferimin e studimeve në Universitetin Politeknik, rastet kur mund të aplikohet!

Ornela

Transferimi i studimeve nga një institucion i arsimit të lartë, drejt një tjetri, lejohet vetëm në rastet kur aplikimet bëhen për programe brenda të njëjtit cikël studimi dhe në fusha studimi të njëjta ose të përafërta me atë që studenti është duke ndjekur.

Sikundër përcaktohet edhe në ligjin e arsimit të lartë, procedurat për transferimin e studimeve mund të bëhen vetëm në fillim të vitit akademik në afatet e deklaruara nga strukturat përgjegjëse të arsimit.

Universiteti Politeknik i Tiranës sqaron se edhe për vitin e ri akademik 2021-2022 do të ofrojë mundësinë për njohjen e krediteve dhe transferimin e studimeve, midis programeve të të njëjtit cikël studimi, brenda këtij universiteti, apo institucioneve të ndryshme të arsimit të lartë, publike ose private, vendase ose të huaja. Ndërkohë që nga ana tjetër lejon edhe  largimin e studentëve të tij për në universitete të tjera, sipas procedurave të parashikuara në rregulloren përkatëse të transferimeve. Programet e studimit dhe detyrimet e shlyera në institucione të tjera njihen dhe ekuivalentohen nga pikëpamja e së drejtës për të vazhduar arsimimin, në një program studimi të njëjtë ose të ngjashëm. Njohja dhe ekuivalentimi i krediteve bëhet nga njësia bazë ose njësia kryesore pranë të cilit është paraqitur kërkesa për transferimin e studimeve.

“Transferimet e studimeve pranohen në fillim të çdo viti akademik, jo më vonë se fundi i javës së dytë të semestrit të parë. Transferimet nga cikli i parë pranohen në përputhje me udhëzimin e ministrisë përgjegjëse për arsimin e lartë. Këto kritere së bashku me kuotat e mundshme të pranimeve do të bëhen publike përpara fillimit të aplikimeve për transferim të programit të studimit”, bëjnë me dije autoritetet e këtij institucioni të arsimit të lartë.

Transferimet e studimeve mund të bëhet nga programe të sistemeve të mëparshme të studimeve universitare në Universitetin Politeknik, në programe të ciklit të parë ose të integruara dhe të ciklit të dytë të studimeve. Në rastet e transferimit të studimeve nga brenda apo jashtë vendit, në vitet e ndërmjetme të programeve të studimit brenda të njëjtit cikël, studentët duhet të plotësojnë edhe kriterin e notës mesatare të përcaktuar me vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave të vitit akademik që studenti është pranuar në institucionin e arsimit të lartë, duke filluar nga viti akademik 2016-2017 dhe në vijim.

Studenti mund të transferojë studimet vetëm nëse plotëson këto kushte: ka grumbulluar sipas formulës së pranimit në programin përkatës të studimit sasi pikësh më të larta se pragu minimal i pikëve, që është arritur në programin e studimit të kërkuar në vitin përkatës, ka fituar jo më pak se 30 kredite në programin përkatës të studimit nga vjen, plotëson kriteret specifike për transferimin e studimeve të përcaktuara nga njësitë bazë të UPT-së.

Për të bërë aplikimin për transferimin e studimeve, kandidati duhet të paraqesë pranë sekretarive mësimore që mbulojnë programin përkatës të studimit dokumentacionin e nevojshëm, i cili përbëhet nga: kërkesa drejtuar njësisë kryesore për programin në të cilin do të transferojë studimet, karta e studentit ose çdo dokument tjetër që vërteton statusin e studentit në universitetin nga vjen, vërtetim në lidhje me programin e studimit dhe kursin ku ka qënë i regjistruar, vitin akademik që ka ndërprerë studimet, planin e plotë të programit të studimit, përfshirë dhe sylabuset përkatëse, vërtetim të listës së notave, krediteve të fituara për çdo lëndë dhe detyrim të shlyer, vërtetim për pikët e fituara në maturën shtetërore, dokument që vërteton nëse gëzon të drejtë burse ose jo, fotokopje të dokumentit të identifikimit, dy fotografi, kopje të mandat-pagesës. Studenti që transferohet nga një institucion i huaj i arsimit të lartë duhet të dorëzojë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe të njësuar me origjinalin: listën e notave, planin e plotë të programit dhe sylabuset përkatëse

Vendimi për njohjen e plotë të krediteve të fituara nga një student që transferohet, i takon komisionit adhoc të propozuar nga njësia bazë dhe të miratuar nga drejtuesi i njësisë kryesore. Pasi vlerëson dokumentet e paraqitura nga çdo kandidat, ky komision bën njohjen e lëndëve/moduleve që ka dhënë studenti me lëndët/modulet respektive të programit të studimit ku kandidati aplikon. Njohja e lëndëve/moduleve dhe krediteve bëhet duke patur parasysh kreditet e lëndës dhe programin e lëndës.

 

Transferimet lejohen kur studenti:

  • Ka grumbulluar, sipas formulës së pranimit në programin përkatës të studimit, sasi pikësh më të larta se pragu minimal i pikëve, që është arritur në programin e studimit të kërkuar në vitin përkatës.
  • Ka fituar jo më pak se 30 kredite në programin përkatës të studimit, nga vjen.
  • Plotëson kriteret specifike për transferimin e studimeve të përcaktuara nga njësitë bazë ose njësia kryesore e Universitetit Politeknik të Tiranës.

 

Share This Article
1 Comment
  • Shume mire qe paska bere UPT, nje rifreskim te kesaj rregullore.
    Vetem se problemi qendron te ato pak paisje qe ne kohe te BRSS qe ka, dhe duhet te zevendesohen per t’i dhene me shume vend praktikes. Pasi behet vetem teori gjate 3 viteve dhe ne fund fare lejohen te behen “praktika private”, me afat 2javor.
    Pra te pakten te mesojne 2 gjera ne praktike qe aty nuk do te ishte keq, qe edhe ne praktiken 2 javore ne fund te mos ishin nallbane siç jane, e siç dalin kur e mbarojne shkollen.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *