Pranvera Kola – DITA
Përzgjedhja e drejtuesve të rinj të spitaleve universitare dhe atyre rajonale do të bazohet në pikët që secili kandidat do të sigurojë gjatë konkurimit me dosje, testimit me shkrim, si dhe intervistës. Gara për për vendet e lira të punës në këto pozicione tashmë ka nisur zyrtarisht.
Dikasteri i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka komunikuar gjatë ditës së djeshme çeljen e procedurave të konkurimit për të gjithë kandidatët që duan të drejtojnë strukturat spitalore në vend.
Referuar skemës së përcaktuar të pikëzimit për shpalljen e fituesve, në rregullore e zbardhur nga autoritetet shëndetësore saktësohet se intervista para komisionit të ekspertëve është vendimtare, pasi nga skema e 100 pikëve në total, 50 prej tyre i përkasin intervistës, ndërsa testimi me shkrim vlerësohet me 30 pikë, si dhe përbërja e dosjes me 20 pikë.
Konkurimi për këto vendet të lira pune nis me aplikimin nëpërmjet dosjes së dokumenteve të kërkuara, e vijon më pas me testimin me shkrim rreth fushave të përcaktuar, e në fund do të zhvillohet edhe vlerësimi me gojë gjatë intervistës.
Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuara edhe vendet vakante për të cilat do të aplikohet gjatë kësaj gare, si në strukturat spitalore universitare, ashtu edhe në ato rajonale të rretheve.
Aplikimi me dosje
Sikundër u theksua edhe më lart, aplikimi me dosje në afatet e përcaktuara, përbën edhe fazën e parë të konkurimit. Sipas afateve të përcaktuara, të gjithë kandidatët e interesuar për këto poste pune duhet që të dorëzojnë dosjen e dokumenteve të kërkuara në Ministrinë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Konkretisht në dosje duhet që të përfshini: “Letër interesi për pozicionin në të cilin po konkurron, jetëshkrimi i plotësuar në përputhje me formatin e përcaktuar, tabelën e plotësuar me të dhënat e kërkuara, formularin e vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore, si dhe dy referenca nga punëdhënës apo bashkëpunëtorë të mëparshëm”.
Sa i takon kritereve, mund të garojnë për këto vende pune, të gjithë kandidatët që plotësojnë këto kushte: “Zotërojnë një diplomë të nivelit master shkencor, preferohet në shkenca ekonomike, juridike, apo në mjekësi. Kandidatët duhet të kenë përvojë pune minimumi 5 vjet, preferohet të ketë eksperiencë pune në drejtim, ose menaxhim.
Ndaj tyre në asnjë rast nuk duhet të jetë marrë masë disiplinore gjatë tre viteve të fundit, si dhe të mos jenë dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale. Mosdorëzimi i dokumenteve të mësipërme brenda datës 6 tetor është kusht skualifikues.
“Dokumentacioni i kandidatëve do të dorëzohet pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Afati i fundit për dorëzimin e këtyre aplikimeve është data 6 tetor. Kandidatët do të njoftohen nëpërmjet postës elektronike, për informacione në lidhje me plotësimin e kritereve, fazat e testimit, datën dhe vendin ku do të zhvillohet tetsi me shkrim, apo intervista”, saktësohet në rregulloren e konkurimit.
Testimi me shkrim
Vlerësimi i mëtejshëm i kandidatëve që plotësojnë kriteret e përgjithshme për të qenë pjesë e kësaj gare do të vijojë me zhvillimin e testit me shkrim. Autoritetet e shëndetësisë kanë përcaktuar edhe fushat në të cilat do të ndalet testimi. Konkretisht, kandidatët do të testohet me shkrim rreth njohurive mbi legjislacionin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore, njohjen e shërbimit spitalor, dhe kujdesit shëndetësor në tërësi, si dhe ndryshimeve të bëra në ligjin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në universitete.
Intervista
Faza e fundit e konkurimit përfshin intervistën para komisionit të ekspertëve. Gjatë intervistës me gojë secili kandidat do të vlerësohet sa i takon dijeve për platformat që mund të ndiqen në zhvillimin e spitalit dhe shërbimeve që ofron, kompetencat në lidhje me pozicionet për të cilat aplikon, si dhe pritshmëritë në lidhje me punën që do të bëjë në pozicionin përkatës.
Komisioni i vlerësimit
Në përbërje të komisionit që do të vlerësojë të gjithë procedurën e konkurrimit do jenë: “Një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë, një mjek me eksperiencë shumë vjeçare në shërbimet spitalore, dy menaxherë sipërmarrjesh të suksesshme, drejtuesi i një spitali jashtë vendit, një ekspert ndërkombëtar në fushën e menaxhimit shëndetësor nga Organizata Botërore Shëndetësisë, si dhe një mjek i njohur me titull shkencor, i cili ushtron të drejtën e pensionit.
Komisioni do të mblidhet në mjediset e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të afatit të dorëzimit të dokumentacionit të aplikimit. Ky komision fillimisht do të shqyrtojë të gjithë dokumentacionin në dosjet e paraqitura gjatë fazës së parë të aplikimit, do të hartojë tezën e testit me shkrim dhe intervistën e strukturuar me gojë, si dhe do të bëjë të mundur vlerësimin me pikë të secilit aplikant të pranuar, bazuar në rezultatet e testimit me shkrim dhe me gojë.
Kandidatët që nuk pranohen, njoftohen nëpërmjet postës elektronike, ndërsa kandidatët që kalojnë këtë fazë njoftohen për datën dhe vendin e zhvillimit të testimit me shkrim dhe me gojë nëpërmjet postës elektronike. Pasi mbledh pikët që secili kandidat ka arritur në të tre fazat e testimit, ky komision zbardh listën e fituesve.
Kandidatët që nuk fitojnë kanë të drejtë të paraqesin ankim para komisionit brenda dy ditëve nga shpallja e pikëve. Ankesat bëhen vetëm për zbatimin e procedurave të kësaj rregulloreje. Komisioni shqyrton ankesat brenda dy ditësh dhe shpall fituesit. Më pas kandidatët fitues i propozohen Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për emërimin si drejtor i spitalit universitar, apo rajonal në rrethin përkatës.
- Dosja e dokumenteve që duhet dorëzuar deri në 6 tetor duhet të ketë:
- Letër interesi për pozicionin në të cilin kandidati konkuron.
- Jetëshkrimi i plotësuar në përputhje me formatin e përcaktuar.
- Tabelën e plotësuar me të dhënat për aplikant ku të detajojë dokumentet e fotokopjes së librezës së punës, të mjetit të identifikimit, vërtetimin e gjendjes shëndetësore, specifikat në lidhje me arsimimin e kryer duke dorëzuar një fotokopje të noterizuar e diplomës (përfshirë dhe diplomën “Bachelor”) dhe listës së notave. Për diplomat e marra jashtë vendit më parë duhet të jetë bërë edhe njehsimi nga Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë.
- Formulari i vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore.
- Dy referenca nga punëdhënës apo bashkëpunëtorë të mëparshëm.
- Testimi me shkrim do të ndalet në vlerësimin e dijeve për:
- Ligjin nr. 90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.
- Ligjin nr. 9106, datë 17.07.2003, “Për shërbimin spitalor në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
- Ligjin nr. 10107, datë 30.03.2009, “Për kujdesin shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar.
- Ligji nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” (vetëm për aplikantët për drejtues të Spitaleve Universitare).
- Kandidatët gjatë intervistës së strukturuar me gojë do të vlerësohen në lidhje me:
- Platformën për zhvillimin e spitalit ku aplikon.
- Njohuritë, aftësitë, kompetencën në lidhje me pozicionin për të cilin aplikon.
- Motivimin, aspiratat dhe pritshmëritë e tyre për pozicionin ku aplikon.
Vlerësimi me pikë
| VLERËSIMI I DOSJES | TESTIMI ME SHKRIM | INTERVISTA ME GOJË |
| 20 PIKË | 30 PIKË | 50 PIKË |
Vendet e lira të punës në spitalet universitare gjenden në:
Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Spitalin Universitar të Traumës.
Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Koco Gliozheni”.
Spitalin Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.
Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”.
Garohet për vendet e lira të punës në spitalet rajonale:
Spitali Berat
Spitali Dibër
Spitali Durrës
Spitali Elbasan
Spitali Fier
Spitali Gjirokastër
Spitali Korçë
Spitali Kukës
Spitali Lezhë
Spitali Shkodër
Spitali Vlorë

Kriteri kryesor ( dhe fitues) : TE JETE RILINDAS.
Hajt pra ripjellsat e mi te dashur… Nxirrni nga senduqet diplomat e blera dhe vihuni ne gare kush e kush te kape sa me shpejt i pari ndonje… karrige.
Tani qe doktoret dhe infermieret po ja mbathin me te katra ne emigracion, ju “gjahu i fresket” i partise do e keni fare te lehte katapultimin.
Nuk e keni mesuar akoma qe edhe per keto “vogelsira” mendon Partia?
Dhe shikoni. Kush do fitoje garen gjeja e pare qe duhet te beje eshte te fuse lugen ne brez dhe t’ja merre kenges:
Kur themi Edvin, kuptojme Parti !
Kur themi Parti, kuptojme Edvin !