Për çdo diplomë të lëshuar, universitetet duhet të aplikojnë më parë për regjistrimin e vlefshmërisë së
tyre, procedurë e cila do të kryhet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit (QSHA). Udhëzimi i fundit i Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, i zbardhur nga dita e djeshme edhe në Fletoren Zyrtare të Qeverisë, saktësohen kushtet se si do të veprohet për njohjen e vlefshmërisë së diplomave që lëshojnë institucionet e arsimit të lartë publik dhe privat që veprojnë në vendin tonë.
Referuar përcaktimeve të bëra edhe në ligjin e arsimit të lartë, çdo universitetet, apo lloj tjetër i institucioneve të arsimit të lartë është i detyruar që të bëjë njohjen ligjore të diplomave dhe certifikatave që lëshon, nëpërmjet regjistrimit të tyre në Regjistrin Shtetëror. Kjo procedurë duhet të bëhet përpara datës së lëshimit të diplomave, në të kundërt ato nuk marrin vlerë ligjore, çka do të thotë se nuk njihen studimet e kryera në programin përkatës që studenti ka ndjekur.
“Regjistrimi fillestar i formave të diplomave dhe certifikatave të lëshuara nga universitetet, si dhe çdo regjistrim tjetër i mëvonshëm që ndryshon formën, apo përmbajtjen e tyre bëhet në bazë të aplikimit drejtuar QSHA-së”, saktësohet në udhëzimin e MASR.
Procedura e regjistrimit
Në këto kushte, çdo universitet duhet që të paraqesë në qendrën përkatëse dosjen e aplikimit në të cilën duhet të faktojë nëpërmjet dokumenteve, kërkesën për regjistrimin, vendimin e Senatit Akademik për miratimin e formës së diplomës për çdo cikël dhe lloj programi studimi, aktet e hapjes dhe akreditimit të universitetit, si dhe aktet e hapjes së programit të studimit për të cilin lëshohet diploma shoqëruar edhe nga akti i akreditimit, formën e diplomës, apo certifikatës që do të regjistrohet, dokumentin e pagesës së tarifës për regjistrim. Dokumentet duhet të jenë të sakta dhe të plota. Ato nuk duhet të përmbajnë korrigjime, apo fshirje. Dokumentet duhet të jenë në gjuhën shqipe, ose të përkthyera dhe të vërtetuara në gjuhën shqipe dhe të legalizuara sipas legjislacionit në fuqi.
Aprovimi i vlefshmërisë së diplomave
Pas marrjes së dokumentacionit përkatës, Qendra e Shërbimeve Arsimore kryen shqyrtimin dhe
verifikimin e dosjes së paraqitur nga secili universitetet. Sipas afateve të përcaktuara, verifikimi i këtyre dokumenteve do të bëhet brenda një afati 30-ditor nga data e depozitimit të aplikimit.
Pasi të kryejë verifikimet përkatëse, QSHA merr vendimin për miratimin ose jo të diplomës, apo të certifikatës që do të lëshohet. Pas miratimit kryhet regjistrimi i formës së diplomës, apo certifikatës në Regjistrin Shtetëror dhe më pas nga QSHA lëshohet vërtetimi përkatës për universitetin. Vërtetimi i regjistrimit lëshohet brenda 2 muajsh nga data e paraqitjes së aplikimit.
Në raste të caktuara, QSHA mund të kërkojë edhe pezullimin e kërkesës së paraqitur, në rast se konstatohet se mungojnë të dhënat e duhura në dosje. Refuzimi mund të bëhet për këto arsye kur: Aplikimi nuk është në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me kriteret e vendosura në këtë udhëzim, të dhënat që kërkohen të regjistrohen janë të ndryshme nga dokumentet e paraqitura. Në këto raste universiteti njoftohet me shkrim për refuzimin e regjistrimit të diplomave që kërkon të njohë. Çka do të thotë se ky institucion i arsimit të lartë duhet të nisë nga e para procedurat për plotësimin e kushteve të regjistrimit të diplomave.
Tarifa e regjistrimit të diplomave
Çdo formë diplome apo certifikatë e regjistruar në regjistrin shtetëror do të pajiset me një numër unik identifikimi. Regjistrimi fillestar, si dhe regjistrimi i mëvonshëm i çdo forme diplome, apo certifikate i nënshtrohet tarifës së regjistrimit, e cila është 3 000 lekë për çdo formë diplome të regjistruar.
Njohja dhe vlefshmëria e diplomave
Diplomat dhe certifikatat e regjistruara në regjistrin shtetëror vlerësohen të njohura dhe përbëjnë akte zyrtare për të gjitha autoritetet që veprojnë në Republikën e Shqipërisë. QSHA-ja publikon listën me format e diplomave dhe certifikatave të regjistruara në faqen e saj zyrtare të internetit. Në udhëzim përcaktohet më tej se çdo person i interesuar ka të drejtë të kërkojë lëshimin e ekstrakteve për formën e diplomave dhe certifikatave të regjistruara në regjistrin shtetëror.
Pranvera Kola/Dita
