Në 23 qershor janë zgjedhjet. Sali Berisha që pandeh se e ka garën me Edi Ramën, në fakt gabon. Kundër nuk ka Ramën. Ka (si përherë) popullin. Me përjashtim të vitit 1992, kur do fitonte cilido që do ishte në krye të PD-së, ky njeri nuk ka fituar kurrë përkrahjen e shumicës së shqiptarëve. Janë Hamza-të e së majtës që e mbajnë në pushtet. Do ketë Hamza tjetër në 23 qershor?
Ditët e fundit bëri një vizitë në Londër Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. U trumbetua me të madhe se ajo mori mbështetje të fuqishme nga parlamentarët britanikë për integrimin e Shqipërisë në BE. Ky ishte padyshim një lajm i gëzueshëm për të gjithë shqiptarët, (megjithëse shqiptarët nuk “po e kuptojnë” këtë lojën e fundit me integrimin, kur bashkëpartiakët e znj.Topalli nuk i shkojnë në takim bash njeriut kyç të integrimit në BE, komisionerit për zgjerimin, Stefan Fule).
Sidoqoftë, rikthehemi tek znj.Topalli në kryeqytetin britanik. Mësohet se delegacioni ynë Kuvendor ka qenë “pluralist”. Delegacioni shqiptar në Londër përbëhej nga Jozefina Topalli (kryetare), Ilir Rusmali, Edi Paloka, Kastriot Islami dhe Asllan Dogjani (anëtarë). Pra Kryeparlamentarja kishte përzgjedhur një delegacion “të ekuilibruar”, pasi kishte futur në përbërje edhe dy deputetë socialistë të opozitës. Po pse zgjodhi pikërisht këta dy deputetë “opozitarë” zonja Topalli? Në atë delegacion mund të bënin pjesë fare mirë në vend të Islamit dhe Dogjanit, fjala vjen, Taulant Balla dhe Erion Braçe. Apo edhe Ben Blushi dhe Valentina Leskaj, nëqoftëse do të duheshin me doemos dy deputetë socialistë. Le të merrte dhe Xhemal Qefalinë apo Arben Malajn. Por jo… Me një gjykim të shpejtë mund të mendohet se ajo i ka zgjedhur këta dy deputetë socialistë që mori në Londër, pasi kanë dalë hapur kundër Kryetarit Rama dhe Partisë Socialiste. De fakto, ata duket se nuk bëjnë më pjesë në këtë parti tre muaj para zgjedhjeve të 23 qershorit. Islami ka disa vite, kurse Dogjani doli tani së fundi, kur shqiptarët e morën vesh se paska një deputet me emrin Asllan në parlament, pikërisht kur ai iu kundërvu kryetarit Rama dhe u nënkuptua se ai nuk do të jetë deputet i parlamentit të ardhshëm. Mbase nuk ia vlente të merreshim me këta dy persona, që në të vërtetë nuk kanë ndonjë peshë politike aktualisht, por duke parë se ata përbëjnë një dukuri të përsëritur vitet e fundit, po i analizoj në këtë kuadër.
Është fakt se gjatë këtyre viteve të demokracisë kemi parë rendjen pas interesave më shumë se pas idealeve, aq sa vetë idealet janë vënë në dyshim. Mirëpo këta i kanë sjellë një të keqe të madhe demokracisë në këtë vend. Këta “Hamza Kastriotë” përveçse kanë hutuar elektoratin me piruetat e tyre të befasishme, kanë arritur të krijojnë një imazh krejt të përkundërt nga ajo që në të vërtetë është skena politike dhe realiteti shqiptar. Si i tillë ky fenomen vlen të analizohet. Sidomos para zgjedhjeve shumë të rëndësishme të 23 qershorit të këtij viti.
Në këta dhjetë vjetët e fundit unë do të radhis vetëm disa nga këta “Hamza Kastriotë” të opozitës.
I pari është “Hamza” Fatos Nano.
Ish-kryetari i Partisë Socialiste që, pasi kishte sanksionuar se po të humbiste zgjedhjet e 2005-s, kryetari duhej të jepte dorëheqjen, nuk e kishte menduar se do të kthehej në viktimën e parë të këtij opsioni demokratik. Nuk e kishte parashikuar humbjen? Apo kur ajo u shfaq, ai u tmerrua? Sidoqoftë, nuk mund të bënte ndryshe. Duhej të largohej. Dhe u largua. Habitshmërit, “inatin” që pritej të kishte me kundërshtarin politik, domethënë Berishën, e ktheu tërësisht kundër pasardhësit në krye të selisë rozë. E hëngri si të thuash “turpin me bukë”, harroi Bënçën dhe 97-ën… Shpalli Berishën aleat dhe kërkoi të bëhej President, por i doli… huq! Me siguri i gjithëpushtetshmi i selisë blu mendoi: Kur ky tradhtoi të vetët, si të mos më tradhtojë mua që e kam futur në burg, që e kam quajtur Padriono, drogaxhi, më i zi se zia, bixhozçi, pijanec… Duket e mbyllur historia e Hamza Fatos Nanos, apo shqiptarëve do t’u bjerë rasti të merren sërish me të? Ai vetë ka thënë për veten “unë jam Fatos Nano, prapa më vjen historia”.
I dyti është “Hamza” Lufter Xhuveli.
Në fakt, Xhuveli s’ka patur asnjëherë ndonjë peshë politike, por me devijimin e tij ai papritmas mori një peshë specifike të veçantë, duke u kthyer në një model tradhtie. Dhe ai tani për tani ngjan si modeli më i keq i tradhtisë elektorale, pavarësisht se Xhuveli mund të gjejë njëmijë e një justifikime par aktin që bëri. Por akti mbeti dhe atë ai nuk e fsheh dot. Në zgjedhjet e 2005-s Xhuveli fitoi ca vota pasi garoi së bashku me Partinë Socialiste. Si një komunist i thekur me këtë parti dhe me këtë aleancë i takonte Xhuvelit të bënte pjesë. Mirëpo, kur e pa se po mbytej “gjemia me federalë”, Xhuveli e ktheu fletën, e braktisi i pari “gjeminë”. Dhe mbeti ministër ashtu siç kishte qenë në kohën e diktaturës dhe në kohën që e qeverisnin vendin socialistët. Madje aq haptaz dhe në mënyrën më të paturpshme që u bë aleanca e tij me Berishën, saqë lëvizja e tij politike mori trajtën e një dukurie: ajo u quajt Xhuvelëri. Xhuveli me votat e së majtës e mbajti për katër vjet në pushtet Berishën. Megjithëse e vendosëm të dytin në radhë, ai është më tipiku, pasi i hapi rrugën një fenomeni që do të përsëritej në vitet pasardhës edhe nga të tjerë…
I treti është “Hamza” Ilir Meta.
Fraksionisti dhe diversionisti më i madh i Partisë Socialiste është ish-Kryeministri Ilir Meta. Se si e pse e bënë Ilir Metën Kryeministër është tjetër punë. Iliri theu fillimisht rekordin që pa i thënë ndonjëherë punës “mirëmëngjes” u bë Kryyeministër. U ul në karrgen e të parit të vendit në ish zyrën e Mehmet Shehut dhe prej atëherë i ka qëndruar besnik… mënyrës: “paraja bën gjithçka”! Në fushatën e 2009-s ai e quante Berishën Sali Gërdeci, ndërsa ky ia kthente Ilir Floriri. Por Berisha pas zgjedhjeve të 2009-s nuk e formonte dot qeverinë. E bëri me katër votat e Ilir Metës. Të dy u bënë njësh, në këmbim të një 20 përqindësh pushteti në favor të LSI-së. Sot disa thonë që nëse ai ikën nga qeveria mund ta rrëzojë Berishën, por më afër të vërtetës është tjetra: Që Iliri nuk është aq i lirë, të marrë vendime kaq radikale. Të mos harrojmë që është peng i shumë episodeve korruptive të cilat Saliu i ka me sigyri të listuara në sirtarë. A po përgatitet për një mandat tjetër bashkë me Berishën? Apo po bën lojën e përhershme me dy porta?
I katërti është “Hamza” Shpëtim Idrizi
Njeriu që fitoi votat si socialist në vitin 2009, u vetëshpall në krye të çamëve dhe u fut nën çadrën e qeverisë së Berishës. Ngjashëm me Metën që trafikoi vullnetin e votuesve të majtë duke justifikuar veten me “nevojën e integrimit”, Idrizi trafikoi vullnetin e votuesve antiberishë duke u justifikuar me “nevojën e zgjedhjes së cashtjes çame”. Veçse siç nuk morëm vesh pse Meta i “integrimit” nuk kërkoi Ministrinë e Integrimit, ashtu nuk u mor vesh pse Idrizi nuk kërkoi poste në diplomaci ku zgjedhiet cështja çame, po kërkoi drejtori targash e doganash. Asnjë fije nuk ka lëvizur për çështjen çame, veç shout të zakonshëm mediatik afatshkurtër. Por të paktën, çamët po ia tregojnë vetë vendin Idrizit. Sipas një sondazhi të ditëve të fundit, një lëvizje e mandatuar nga shoqata të komunitetit çam, me emrin Lëvizja Çame del se gëzon shumë më tepër mbështetje në këtë komunitet se ish-socialisti berishist Idrizi… E meriton apo jo Idrizi të quhet Hamza, gjykojeni vetë!
I pesti është “Hamza” Kastriot Islami.
I pesti, por jo i fundit… Emri i tij përkon me mbiemrin e famshëm të Kastriotëve të Mesjetës dhe me atë të Heroit tonë Kombëtar, Gjergjit. Islami ka qënë një figurë nga më të privilegjuarat e Partisë Socialiste gjatë njëzet e ca viteve të fundit: ai ka qenë Kryetar Parlementi, ka zenë zv/Kryeministër, ka qenë ministër i Jashtëm dhe ministër i Financave, deputet pa ndërprerje që nga 1991-shi dhe, natyrisht, anëtar i Kryesisë së selisë rozë. Ç’pati Islami – thonë njerëzit. Kjo është ende e mjegullt. Ai ka qenë vazhdimisht deputet i Mallakastrës, me përjashtim të legjislaturës së fundit, kur u bë deputet i Tiranës. Mallakastriotët nuk deshën që t’i përfaqësonte më tej Kastrioti? Kjo është një histori tjetër. Ajo që është e dukshme është se, si një nga ideatorët e Kodit aktual Zgjedhor, Kastrioti me të njëjtin zell që mbrojti tezën për fitoren e PS-së në zgjedhjet e 2009-s, me të njëjtin zell po mbron të kundërtën në 2013-n: me këtë Kod PS e ka të garantuar humbjen. Kështu thotë Kastrioti. Dhe në luftën kundër Partisë Socialiste ai është më i egër se fjala vjen Edi Paloka. Është kthyer në “flori” për mediat e djathta. Jep intervista pa pushim si “socialist” dhe argumenton humbjen e socialistëve. Flitet se për këtë shërbim do të futet në listën e kandidatëve për deputetë të Berishës.A u duhet demokratikasve një Hamza pa parti?! Hë për hë dimë që një Islam dhe një Dogjan i merr Jozefina me vete në Londër.
Në 23 qershor janë zgjedhjet. Sali Berisha që pandeh se e ka garën me Edi Ramën, në fakt gabon. Kundër nuk ka Ramën. Ka popullin. Me përjashtim të vitit 1992, kur do fitonte cilido që do ishte në krye të DP-së, ky njeri nuk ka fituar kurrë përkrahjen e shumicës së shqiptarëve. Janë Hamza-të e së majtës që e mbajnë në pushtet. Do ketë Hamza tjetër në 23 qershor?
***************
Nëse LSI vendos t’i bashkohet opozitës, a do të rrëzohet qeveria Berisha?
Nga Bledar Prifti
Kam shkruajtur shumë për Ilir Metën dhe LSI, dhe ngahera kam shprehur bindjen se LSI nuk është parti politike por një organizatë primitive që është futur në politike me synimin të plackisë çfarë të mundi nga pasuritë dhe xhepat e shqiptarëve. Dhe ajo e ka dëshmuar këtë më së miri. Kush mendon se Sali Berisha është përgjegjësi i vetëm i situatës, thjesht gënjen veten. Për afro katër vjetë, LSI ka drejtuar tre ministritë më të rëndësishme, siç janë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Shëndetësisë, dhe Ministria e Jashtme, dhe ka komanduar mbi 20% të aparatit të shtetit dhe qeverisur mbi 30-40% të interesave të përditshme të shqiptarëve (ekonomia dhe mjeksia janë dy pikat më nevralgjike në jetën e një personi). Që nga viti 2009, LSI i ka shkaktuar shqiptarëve po aq fatkeqësi sa i ka shkaktuar këtij populli Sali Berisha me kopenë e tij, dhe këtu mund të fusni tragjedinë e 21 Janarit, emërimet e shërbëtorëve të Sali Berishës në krye të bashkisë së Tiranës dhe të Presidencës, dhe një lum fatkeqësish kundër popullit shqiptar që Sali Berisha nuk do të mund t’i egzekutonte pa votat e bashkpuntorit të tij të ngushtë, Ilir Meta. Jam shprehur rregullisht se LSI është një organizatë që nuk ka as më të voglën përgjegjësi elektorale përkundrejt elektoratit pasi pazaret politike mbysin çdo vlerë dhe interes publik.
Edhe pse LSI që prej katër vjetësh drejton tre ministritë më të rëndësishme, edhe pse ajo i premtoi integrim dhe solli veç izolim, hajdutëri, vuajtje, vrasje, dhe skamje, LSI vazhdon të portretizohet si një parti opozitare ose e pa përgjegjshme për cfarë ka ndodhur në shqipëri në këto katër vitet e fundit. Në një shkrim të tijin, Arjan Vasjari e quan këtë fenomen një hipnotizim të politikës dhe shoqërisë nga fenomeni LSI. Për Vasjarin është në kufijt e hipnozës fakti se si një “parti” si LSI e cila po qeveris që prej katër vitesh bashkë me Berishën të na paraqitet kaq e papërgjegjshme për situatën politiko-ekonimike në të cilën dergjen shqiptarët. Por më absurd është fakti se LSI, përmes këtij hipnotizimi, ka arritur të ngrejë në mënyrë fiktive potencialin e saj elektoral dhe mbështetjen që ajo ka në popull.
Dhe këtu fillon për mua fatkeqësia më e madhe e politikës shqiptare dhe e opozitës në veçanti. E hipnotizuar nga fenomeni LSI, opozita vazhdon të jetë në pritje të një bashkpunimi elektoral me LSI. Ndërkaq, Sali Berisha, si i mprehte që është politikisht, e ka kuptuar këtë hipnozë dhe vazhdon ta mbajë larg LSI, dhe jam i sigurt se ai nuk do që tia shikojë “bojën” deri në 23 qershor. Pas 23 qershorit vazhdon avazi i vjetër i Saliut. Kam frikën se opozita, në mardhënie me LSI nuk po shikon realitetin por po sillet nën ndikimin e hipnozës duke i interpretuar gjërat ashtu siç do të donte opozita të ishin. Analizohet një koalicion i mundshëm por në të futen vetëm ata element të koalicionit që i pëlqenjë apo i vijnë për mbarë opozitarëve dhe jo ata element real që luajnë kundër interesave të opozitës. Analizohen përfitimet nga koalicioni por injorohen në mënyrë absurde humbjet nga ky koalicion.
Disa pyetje na bëjnë të kuptojmë se cila është shuma reale (positive apo negative) nga mbledhja e përfitimeve dhe humbjeve në rast të një koalicioni PS-LSI. Do të mundohem që të përfshijë në këtë analizë elementë si moral ashtu edhe racional, edhe pse të parët janë objekt debati. Nga ana racionale, arsyeja kryesore së përse PS kërkon një koalicion me LSI është fakti se LSI komandon tre ministri shumë të rëndësishme që kanë mijëra vënde punë, dhe se egziston bindja se votuesit Shqiptar blihen për këto vënde pune. Por këtu injorohet nga ana e opozitës një pyetje shumë e rëndësishme: Nëse LSI i bashkohet opozitës në një koalicion parazgjedhor, a do ta largojë Sali Berisha LSI-në nga pushteti? Bazuar në kushtetutën shqiptare, kryeministri ka fuqinë që të shkarkojë dhe emërojë ministrat e kabinetit të tij. Prania e Nishanit në Presidencë e bën këtë gjë edhe më të lehtë (edhe pse mund të qeveriset me zv/ministra si Nano qëmoti). Unë, dhe çdo mëndje racionale, do të përgjigjej se Sali Berisha do ta largonte në sekondë LSI-në nga qeverisja në rast se ajo vendos t’i bashkohet një koalicioni me opozitën e sotme.
Pyetja e dytë që do të ndiqte të parën do të ishte: Nëse LSI vendos t’i bashkohet opozitës, a do të rrëzohet qeveria Berisha? Në këtë rast unë jam shumë i bindur se largimi i LSI nga qeveria nuk e rrëzon qeverinë pasi shumë elementë të tjerë janë të gatshëm ta zëvendësojnë atë. Këtu duhet shtuar edhe fakti që opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë pa pasur 71 vota për të emëruar kryeministrin e ri. Përsëri, prezenca e Nishanit në presidencë do të luante gjithashtu një rol të rëndësishëm në këtë mes. Këtu kalojmë tek pyetja e tretë: Nëse LSI largohet nga qeveria (le të themi vet ose me forcë nga Berisha) dhe qeveria nuk bie, atherë çfarë do të bëhet me ata mijëra të punësuarit në ministritë e LSI? A do të vijnnë ato vota tek koalicioni PD-LSI apo do të ndërrojnë padron dhe do të bëhen vota për Sali Berishën? Nëse disa opozitar mendojnë se votat e vendit të punës blihen, atherë ajo duhet të blihet nga kushdo, përfshirë këtu edhe nga Sali Berisha. Nuk mund të thuash Iliri i blen kurse Saliu nuk i blen, pasi realiteti nuk është siç e dëshiron por ashtu siç është ai vet.
Këtu drejtohemi tek pyetja më e rëndësishme: Nëse pas largimit nga Berisha të LSI nga qeveria dhe kalimit të të punësurve të LSI në kampin e Sali Berishës, cili është përfitimi elektoral i opozitës që afron LSI në një koalicion me të? Në këtë rast, opozita jo vetëm që nuk fiton gjë nga një koalicion me LSI, por ajo do të dërrmohet si nga ana elektorale (elektorat) por edhe nga ana politike pasi Partia Socialiste si drejtuese e opozitës do të portretizohet si një parti pa kauzë dhe kredo politike. Berisha nuk do të humbasë aspak kohë për tia faturuar gjithë dështimet e qeverisë, përfshirë integrimin dhe varfërinë, LSI-së dhe korrupsionit që ajo mbolli në cdo qelizë të politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ky do të ishte një moment fatlum për Berishën për të tërhequr rreth vetes dhe shpërblyer shumë simpatizantë të djathtë që deri më sot kanë pasur rezervat e tyre për qeverinë Berisha-Meta. Në variantin më të keq, nëse të punësuarit e LSI ndjekin LSI (çka është komplet e pakonceptueshme), Berisha do të ketë në dispozicion një arsenal të tërë vënde punësh për përkrahësit e tij, të aleatëve të djathtë, apo të elektoratit të pavarur, i cili sipas opozitës blihet.
Me pak fjalë, këtu i kemi dhënë përgjigje pyetjes: A e forcon Berishën dhe PD nga ana elektorale dhe politike ikja dhe bashkimi i LSI me opozitën? Nga ana elektorale, Sali Berisha do t’i shtonte partisë së tij, në prag të zgjedhjeve, mijëra vota të siguruara përmes ofrimit të vendeve të punës pas ikjes së LSI nga qeveria. Nga ana politike, Sali Berisha do të rilindte dhe do të armatosej me një arsenal të tërë politik që do të legjitimonte çdo sulm kundër opozitës. Në të njëjtën kohë, opozita do të humbiste kauzën dhe të gjithë arsenalin dhe kredon e saj politike pasi nuk mund të sulmosh dot politikisht Sali Berishën dhe në të njëjtën kohë të bashkpunosh me LSI, me atë që për katër vite me radhë komandoi tre ministritë më të rëndësishme të qeverisë Berisha-Meta dhe i shkaktoi këtij populli tragjedi njërzore, sociale, dhe politike. Thjesht votuesit nuk e kapërdijnë dot këtë fakt, dhe opozita nuk ka përse gënjen vetveten. Gjithashtu, një bashkpunim PS-LSI do të krijonte shumë hapsira politike boshe për të pavarurit ose votuesit që nuk duan as PD dhe as LSI, dhe shumica e këtyre votuesve ose nuk do të votojnë ose do të votojnë AK ose FRD.
Pas gjithë këtyre pyetjeve, një pyetje tjetër është shumë e rëndësishme: Cila është rezultantja e votave/mandateve që i shtohen koalicionit opozitar nga ardhja e LSI-së me votat/mandatet që i largohen opozitësh për shkak të koalicionit me LSI. Unë nuk kam numër për këtë gjë por jam i sigurt se rezultantja do të jetë negative; pra opozita më shumë do të humbë sesa do të fitojë nga një koalicion me LSI. Përvec arsyeve racionale dhe morale të lartpërmendura, këtu duhet të inkludohet edhe fakti se një koalicion me LSI në rastin më të mirë do të inaktivizonte një pjesë të bazës opozitare dhe në rastin më të keq do ta përcante atë. Edhe pse në vitin 2007 pati një bashkim midis kupolës së PS dhe LSI, ky bashkim nuk ndodhi realisht në bazën e partive. Tani situata është tejet më e përkeqësuar sesa ajo ishte në vitin 2007, dhe baza socialiste nuk mund të fshijë me një të rënë të lapsit gjithë vuajtjet dhe sakrificat (edhe njërzore) e kaluara për vite me radhë nën regjimin Berisha-Meta. Thjesht njërëzit (në shumicë) nuk mund t’i harrojnë dhe falin kollaj ato monstruozitete që kanë hequr direkt mbi kurrizin e tyre. Duhet bërë paqe me këtë fakt.
Dhe këtë analizë po e mbyll me pyetjen e fundit: nëse cdogjë ecën siç është parashikuar apo edhe ashtu siç nuk është parashikuar, cila është mundësia që LSI, pavarësisht koalicioneve parazgjedhore, të formojë përsëri një qeveri koalicioni me Sali Berishën dhe PD? Përgjigjia ime do të ishte se një koalicion paszgjedhor i LSI me PD do të ishte mëse normal dhe “moral” pasi për katër vite me radhë Berisha dhe Meta na treguan se ata janë në gjendje të dy të formojnë një lidhje organike që, fatkeqësisht, do të rezultonte fatkeqe për shqiptarët. Jam i bindur se, nëse në një koalicion me PS, LSI do të merrte mandate mjaftueshëm për të krijuar një qeveri koalicioni me Berishën (edhe nëse koalicioni PS-LSI do të dilte fitues), Ilir meta do ta braktiste opozitën për postin e kryeministrit që Berisha do t’i ofronte Metës. Kjo do të ishte mëse racionale pasi është normale që Meta të pranojë postin e kryeministrit me Berishën dhe Lul bashën sesa postin e zv/kryeministrit me Edi Ramën. Disa në krahun e opozitës nuk duan ta pranojnë këtë fakt dhe argumentojnë se kjo gjë nuk është praktikë botërore. Përgjigjia ime është: Mos vallë ishte praktikë botrore që një forcë e majtë të formonte një qeveri koalicioni për të mbajtur në pushtet (në vazhdimësi) një kryeministër të djathtë? Mblidheni mëndjen, çdogjë mund të ndodh në politikën shqiptarë dhe çdogjë mund të pritet nga Ilir Meta dhe Sali Berisha. Mblidheni mendjen dhe jetoni me realitetin shqiptar dhe jo me atë realitet që do të donit të jetonit, dhe aq me keq me realitetin hipnotizues të organizatës LSI!