Kritikohet Obama për mungesën në marshimin e solidaritetit në Paris

redaktor

Solidariteti i treguar ndaj Francës nga të gjithë udhëheqësit e vendeve më të mëdha në tubimin e së dielës në Paris e bëri edhe më befasues faktin që as Barak Obama, dhe as ndonjë përfaqësues tjetër i lartë i Shteteve të Bashkuara, nuk ishte i pranishëm në të.

Një veprim ky që nga mediat amerikane është konsideruar si një gabim i zyrtarëve të lartë amerikanë.

Sekretari i përgjithshëm, Xhon Kerri, ishte në Indi duke marrë pjesë në një takim me kryeministrin Indian, Narendra Modi, me synim zhvillimin e marrëdhënieve tregtare.

Prokurori i përgjithshëm, Erik Holder ishte në Paris pasi po merrte pjesë në një samit për sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit. Por edhe pse dha intervista të ndryshme për mediat, ai nuk u pa gjëkundi gjatë marshimit.

Dhe askush nga administrata amerikane nuk komentoi mbi përfaqësimin e amerikanëve në tubimin për të kujtuar viktimat nga atentatet terroriste të javës së kaluar në kryeqytetin francez.

“Për sa i përket mbështetjes së Amerikës ndaj Francës mos harroni disa deklarate publike të bëra nga Presidenti dhe ngushëllimet në Ambasadën franceze”, u kufizua të thoshte një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë i pyetur nga mediat amerikane.

Duke cituar një burim konfidencial, CNN raporton se nuk kishte kohë të mjaftueshme për të marrë të gjitha masat e sigurisë në mënyrë që Presidenti dhe zëvendëspresidenti të ishin në tubim, por nuk kishte pranuar të komentonte sesi ia kishin dalë mbanë liderët e tjerë botërorë ta bënin këtë.

Sipas ekspertëve të sigurisë, për të siguruar pjesëmarrjen e kaq shumë Kryeministrave dhe Presidentëve në një aktivitet të tillë normalisht do duheshin më shumë se një muaj përgatitje, por policia franceze arriti të siguronte mbarëvajtjen e tij në më pak se tre ditë.

Share This Article
1 Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *