Kriza e refugjatëve ka ndarë Gjermaninë. Pavarësisht fjalëve të ngrohta dhe qëllimeve të mira të Angela Merkel për të menaxhuar këtë emergjence, përpjekjet e saj kanë hasur rezistencë në atdhe.
Popullsia ndjehet e ngarkuar dhe pak e mbështetur, duke mos ditur se ku do të akomodojë kaq shumë njerëz. Edhe brenda Partisë Social-Demokratike (SPD), në koalicion me Unionin Kristian-Demokrat të Merkelit, vihen re pakënaqësi ndaj kancelares.
Edhe Unioni Kristian-Social i Bavarisë (CSU), parti e lidhur me CDU-në e Merkel, i ka bërë të qarta rezervat e saj në lidhje me drejtimin e marrë nga Kancelarja për të përballuar çështjen e refugjatëve. Për ta provuar, lideri i CSU-së Horst Seehofer ka ftuar publikisht kryeministrin hungarez, Viktor Orban, në Bavari.
Për ta përkeqësuar akoma edhe më shumë situatën, janë bandat më ekstremiste të së djathtës, si grupi anti-emigrant Pegida në Dresden, ku pjesëmarrësit në protestat e tyre sa vijnë e shtohen. Gjermanët janë gjithnjë e më skeptikë ndaj politikës së miratuar nga Angela Merkel për të menaxhuar emergjencën e emigrantëve, siç zbulon një sondazh i kohëve të fundit i kryer nga instituti INSA, në emër të revistës Focus Online.
Për këtë temë, një gjerman në dy nuk e miraton sjelljen e Merkel. Vetëm 41% e të anketuarve pajtohen me pohimin “Jam dakord me një pjesë të mirë të linjës politike të miratuar nga Merkel”. 48% pohon se nuk është i kënaqur me zgjedhjet e Kancelares, ndërsa 11% abstenuan. Por nuk janë vetëm të ashtuquajturit “qytetarët e shqetësuar” të vendit që simpatizojnë kryeministrin hungarez të së djathtës.
Sondazhi tregon se një në tre gjermanë i konsiderojnë të ligjshme veprimet e Orbanit në kufi me Serbinë. Orban ka marrë mbështetjen e ndjekësve të Partisë Liberal-Demokrate (44%) dhe përfaqësuesit e partisë së krahut të djathtë, euro-skeptik (AFD, Alternativa për Gjermaninë, 85%). Sipas sondazhit, 44% e gjermanëve të lindjes mbështesin shembullin hungarez. Në të kundërt, vetëm rreth 30% e banorëve të Perëndimit mbështesin Orban.
Në përgjithësi, qytetarët e Gjermanisë Lindore janë dukshëm më të ashpër kundrejt zgjedhjeve aktuale për të trajtuar krizën e refugjatëve: 56% e banorëve të Lindjes e refuzojnë politikën e Kancelares , ndërsa vetëm 31% e mbështesin. Në perëndim shifrat janë ndryshe: 44% e të anketuarve janë në favor të politikave të miratuara, ndërsa 46% është kundër.
