Kriza e refugjatëve, BE-Turqi drejt Marrëveshjes

redaktor

Liberalizimi i vizave me Turqinë, duket se do të jetë instrumenti, që do të përdoret për të bindur Turqinë të pranojë planin për menaxhimin e refugjatëve. Gjatë një vizite zyrtare në Bruksel, Presidenti turk Erdogan, është pritur nga tre krerët e institucioneve të larta evropiane.

Drafti i Planit të Veprimit, synon menaxhimin e fluksit të lartë dhe në rritje të refugjatëve si edhe marrjen e një sërë masash urgjente, në mënyrë që të parandalohet ardhja e këtyre flukseve në BE.

Përgjatë zhvillimit të seancës plenare në Strasburg, kreu i KE-së Junker u shpreh se “Unioni dhe Turqia ecin e punojnë së bashku për krizën e refugjatëve”.

Ndonëse roli i Turqisë në menaxhimin dhe kontrollimin e lëvizjeve të flukseve të refugjatëve është i lartë, eurodeputetë të ndryshëm nuk u frenuan në lëshimin e kritikave ndaj situatës aktuale politike në Turqi dhe kryesisht në lidhje me respektimin e të drejtave themelore, duke demaskuar edhe pretekstin e terrorzimit që ka gjetur qeveria turke për goditjen e kundërshtarëve të saj politikë, duke përfshirë edhe sulmet ndaj kurdëve.

Një sërë indicesh flasin se Unioni kërkon zgjidhjen përfundimtare të problemit të refugjatëve që penetrojnë nga toka turke, duke ofruar sa lehtësime në procesin e liberalizimit të vizave, por edhe oferta më bujare në lidhje me perspektivën e aderimit të Turqisë në BE. Ndonëse tashmë njihen përplasjet e forta, të paktën në nivel retorik, që ka pasur Erdogan me Unionin interesat duket se përbashkohen në këtë pikë.

Turqia, e cila do të shkojë sërish në zgjedhje të përgjithshme legjislative më 1 nëntor, dhe në veçanti partia e Erdogan, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të autoritarizmit në drejtimin shtetëror, mund të hyjë në këtë garë me elementë të fortë, si rifuqizimi politik në aleanca përballë Unionit, marrja e lehtësimit apo liberalizimit të shpejtë të vizave, oferta për avancim në hapje të tjerë kapitujsh negociatash dhe sigurisht edhe oferta financiare.

Unioni mund të zbusë gjuhën e ashpër të kritikave ndaj politikave të Erdogan, duke i kaluar në plan të dytë shkeljet dhe dhunimet e lirive themelore, humbjen e vijave ndarëse mes pushteteve ekzistuese, si edhe zbehjen e kritereve të Kopenhagenit, që sipas shumë ekspertëve janë drejt zhdukjes në Turqi./it/

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *