Sipërmarrja shqiptare po përjeton krizë të rëndë në bilancet e tyre financiare. Frenimi i konsumit dhe mungesa e likujditetit kanë bërë që bizneset të mos arrijnë të gjenerojnë fitimet e duhura, duke e reflektuar këtë dhe në mosarritjen e pagave të punonjësve të tyre. Kjo tashmë nuk është vetëm një konfirmim nga sipërmarrjet, të cilët kanë muaj pa paguar punonjësit, por janë analizat e Bankës së Shqipërisë që e konfirmojnë një fakt të tillë. “Nivelet e ulëta të shfrytëzimit të kapaciteteve prodhuese kanë frenuar rritjen e pagave, të kostove të prodhimit dhe të marzheve të fitimit”, thuhet në deklaratën e ditëve të fundit të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Kjo krizë e sipërmarrjes, kur ajo gjeneron më shumë se 80 për qind të Prodhimit të Brendshëm, konfirmohet dhe nga treguesit e tatimeve. Të dhënat e tetë mujorit të tamimeve flasin për një normë fitimi në ulje të të ardhurave nga tatimi mbi fitimin me 1.4 miliardë lekë, apo 11.7 për qind në 10.2 miliardë lekë, duke reflektuar situatën e vështirë që po kalojnë bizneset vendase, që po vuajnë pasojat e rënies së fuqisë blerëse, teksa problemet me likuiditetin sa vijnë e po thellohen, në mungesë edhe të kredisë së bankave. Në këtë situatë edhe hapja e vendeve të reja të punës ka qenë e kufizuar. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se numri i të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, në fund të tremujorit të dytë ishte 282,034 persona, duke u rritur me 1,066 vetë, në raport me tre muajt e parë të vitit. Ritmi i hapjes së vendeve të punës nga sektori privat mbetet shumë i ulët, në raport me vitet e mëparshme, duke reflektuar frenimet e investimeve gjatë dy viteve të fundit.
