Veçoria kryesore e krizës financiare të viteve të fundit është pasurimi i mëtejshëm i të pasurve dhe varfërimi akoma më i madh i shtresës me të ardhura të ulëta. Hendeku mes të pasurve e të varfërve është thelluar ndjeshëm gjatë vitit 2012. Sipas gazetës “Panorama”, e cila u referohet të dhënave të Agjencisë së Garantimit të Depozitave, gjatë vitit të kaluar të pasurit janë bërë më të pasur dhe të varfrit më të varfër. Kështu, nëse një vit më parë, përqindja e personave që zotërojnë nën 2.5 milionë lekë, ishte 42 për qind, në vitin 2012 kjo përqindje ka rënë në 41 përqind. Ndërsa pesë përqindëshi i pasur, që zotëronte në total 58 për qind të depozitave, gjatë vitit të kaluar e kanë rritur pasurinë e tyre, duke e çuar në 59 për qind të totalit të depozitave.