Ngadalësimi i rritjes ekonomike gjatë këtij viti është reflektuar edhe në rënien e pagës mesatare në ekonomi. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2012, indeksi i pagës mesatare në ekonomi shënoi norma negative. Indeksi i pagave ra me 8.4% në terma realë për tremujorin e dytë, ndërkohë që në tremujorin e parë rënia kishte qënë dyshifrore.
Indeksi i pagës mesatare në ekonomi llogaritet si raport i indeksit të fondit të pagave me indeksin e numrit të punonjësve, mbështetur në të dhënat që publikon Instituti i Statistikave. Rënia e pagës mesatare është një tregues i qartë se kriza po jep efekt edhe në nivelin mesatar të të ardhurave të personave të punësuar. Një tjetër zhvillim negativ gjatë këtij viti është rënia e produktivitetit të punës, që mat të ardhurën mesatare që siguron një biznes për çdo të punësuar. Në tremujorin e dytë të këtij viti, ky tregues ra me 8%. Një zhvillim i tillë tregon ulje të eficiencës së përdorimit të punës në procesin e prodhimit nga bizneset. Produktiviteti i ulët nënkupton konkurrueshmëri të dobët. Ky ka qënë dhe mbetet një problem serioz për ekonominë shqiptare, problem që në këtë vit krize po thellohet akoma më shumë.
