Në kuptimin klasik, një ekonomi konsiderohet në krizë (recesion) kur Prodhimi i Brendshëm Bruto (vlera e prodhimit të përgjithshëm të mallrave dhe shërbimeve me çmimet e tregut), bie gjatë dy-tre-mujorëve njëri pas tjetrit apo më gjatë, por si rregull jo më shumë se një vit. Kur kjo zgjat më shumë, kriza merr formën e një depresioni.
Pas krizës komplekse të 1997-ës, kur PBB ra 10.8 %, prej vitit 1998 ritmet kanë qenë pozitive: 9 % në këtë vit, 13.5 % më 1999, 6.7 % më 2000, 7.9 % më 2001, 4.2 % më 2002, 5.8 % më 2003, 5.7 % më 2004, 2005, 5.4 % më 2006, 5.9 % më 2007 dhe 7.5 % më 2008.
Por ritmet ranë në tre vitet vijues: 3.3 % më 2009, 3.8 % më 2010 dhe 3.1 % më 2011. Një rënie akoma më e thellë (1.5%) u shënua më 2012 dhe po kaq pritet edhe në vitin 2013.
Këtu duhet mbajtur parasysh edhe saktësia e të dhënave, jo e shifrave që përpunon INSAT-i në fazën e fundit, por të institucioneve dhe firmave që kanë detyrim ligjor për t’i përgatitur dhe paraqitur sipas standardeve të caktuara, siç janë tatimet, doganat, kompanitë e biznesit etj, të cilat përmbajnë mangësi serioze.
Për rritjen e ulët të PBB në disa tremujorë, dhe negative në disa të tjerë, ish pushtetarët e djeshëm mburren se kanë bërë reforma, se “ekonomia shqiptare është e fortë” se “i rezistoi krizës globale”, se modeli ekonomik ishte më i miri etj. etj, duke “harruar” se nuk ka vetëm një krizë, se ajo shfaqet edhe në forma të tjera, madje me pasoja më të rënda.
Kriza fiskale apo e buxhetit
PBB merr vlera kur “përkthehet” në të ardhura për buxhetin e shtetit, përndryshe kemi “pemë pa kokrra” ose “grurë dhe kashtë” bashkë. Kjo e fundit ka ndodhur tashmë në Shqipëri: Qeveria Berisha i la trashëgim qeverisë Rama pemën e tharë dhe kashtën e grurit!
Shqipëria aktualisht vuan nga kriza fiskale, apo siç mund të quhet më ndryshe e më qartë- kriza e buxhetit.
Literatura e huaj e përkufizon krizën fiskale një situatë kur deficiti fiskal (buxhetor) rritet pasi shpenzimet i tejkalojnë të ardhurat, për rrjedhojë krijohet një borxh i madh dhe qeveria e ka vështirë të marrë hua për ta financuar atë. Një situatë e tillë ndodh kur shkelet disiplina për të shmangur rritjen e defiçitit fiskal. (Glossary of International Economics).
Kriza fiskale vështirëson financimin e funksioneve kryesore të shetit: për rendin, mbrojtjen, arsimin, shëndetësinë, shpenzimet kapitale, pagat, pensionet, pagesat për papunësi, për paaftësi, për ndihma ekonomike, për ushqime, karburante, barna etj.
Të ardhurat, mbi 90 për qind e të cilave sigurohen nga tatimet dhe doganat, kanë rënë ndjeshëm në këto 3-4 vjetët e fundit, veçanërisht në vitin 2013, duke krijuar deficite të mëdha në buxhet, që përbën edhe instrumentin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit.
Të ardhurat e buxhetit në BE zënë mesatarisht rreth 45 % të PBB, kurse tek ne vetëm 24.5% më 2012 dhe 25.1% më 2011, ndërsa shpenzimet nga rreth 50 % në BE, tek ne në 28.0% (2012). Për rrjedhojë, BE shpenzon rreth 30 % të BB për mbrojtjen sociale, kurse ne 10%.
Në vitet 2010, 2011, 2012 qeveria Berisha në fillim ka miratuar buxhete të fryrë, pastaj në rrugë e sipër, duke pare se të ardhurat nuk janë realizuar, ka shkurtuar shpenzimet, pa kursyer as sektorët prioritare si shëndetësia, arsimi, infrastruktura etj.
Të ardhurat e buxhetit fillestar në vitin 2013 ishin parashikuar me rritje për 9.3% kundrejt 2012, por në të kundërtën pritet të jenë me rënie prej 2.6%. Nga ana tjetër, shpenzimet e buxhetit parashikohet të rriten me mbi 9%. Rritja e shpenzimeve dhe ulja e të ardhurave po çojnë në një rritje të defiçitit buxhetor prej mbi 130 për qind kundrejt vitit të kaluar.
Kriza fiskale arriti deri aty sa mungojnë paratë edhe për invalidët!
Kriza fiskale- trashëgimi e qeverisë Berisha
Po pse erdhi puna deri këtu sa të rrezikohet funksionimi i qeverisjes? Ajo ç’ka pamë në debatin parlamentar që shoqëroi shqyrtimin e Aktit Normativ të qeverisë Rama ishte një shqetësim i shtirur i lidershipit të PD për tavanin e borxhit, kur deri dje fliste për nivele të borxhit deri në 90 për qind të PBB, se kështu kishte shkruar një studiues i huaj!?
Për cilindo që ka sadopak dijeni nga financat është e qartë se kriza fiskale, e cila erdhi duke u ashpërsuar pas vitit 2010, është trashëgimi e qeverisë Berisha. Buxheti nuk ka parà pasi nuk u realizuan të ardhurat sipas parashikimit në ligjin fillestar të buxhetit dhe se u shpenzuan pa kriter gjatë fushatës së zgjedhjeve të 23 qershorit.
Për shkak të shkallës të ulët të integrimit me tregjet financiare të rëndësishme botërore Shqipëria nuk e ndjeu që në fillim krizën globale që nisi në shtator 2008 në ShBA dhe u përhap sidomos në Eurozonë. Kjo e vuri në gjumë qeverinë, e cila në vend që të merrte masa për zbutjen e saj, hartonte projekte për prishje e ndërtim objekte publike gjigande.
Madje, në shtator 2009, në kulmin e krizës financiare botërore, Qeveria Berisha paraqiti në Kuvend një program bombastik për hapjen e 160 mijë vende të reja pune, një borxh publik prej 50 për qind të PBB, për barazim të niveleve të pensioneve të qyetit dhe fshatit, për dhënien çdo qytetari shqiptar në nevojë mbi 2 dollarë në ditë etj,etj!
Tashmë dihet se jo vetëm këto, por i gjithë programi ishte një tollumbace!
Borxhi publik në fund të vitit 2013, në raport me vlerësimin e rishikuar të PBB për këtë vit, pritet të arrijë në 68.6 %, nga 63.8 % që ishte parashikuar fillimisht.
Kriza fiskale po shoqërohet edhe me krizën bankare. Rritja e kredisë ra në 7.4 % më 2012 nga 11.7 % më 2011, dhe deri në vetëm 0.7% në tremujorin e dytë të këtij viti. Brenda 6 vjetëve kreditë me probleme janë rritur nga 3.4 % më 2007 në 23.5 % në korrik 2013!
Në këto kushte, kur të ardhurat në vitin 2013 priten të jenë rreth 38.7 miliard më pak nga miratimi fillestar, dhe 9 miliard janë të faturuara në Thesar ende të pa paguara, pasi mundësitë e shtetit për huamarrje të re shteruan, rruga e rishikimit të buxhetit 2013 ishte një domosdoshmëri.
Mënyra më efektive për sigurimin e shpenzimeve do të ishte rritja e të ardhurave, sidomos nga tatimet dhe doganat, mirëpo “gropa” e hapur në 9 muaj nuk mund të mbushet për 3 muajt e mbetur. Kjo do kohën e duhur e cila nuk po vonon të vijë. Njoftimet më të fundit tregojnë se doganat i realizuan detyrat e muajit tetor në masën 105 për qind, me rritje të ndjeshme kundrejt një muaji më parë, si dhe muajit tetor të vitit të kaluar.