Drejtori i Kufirit rrëfen se tashmë lëvizja po bëhet më shumë me autobusë, duke shmangur lëvizjen me mjetet private. Një gjë e tillë vjen si rrjedhojë e përpjekjeve për të kursyer për shkak të krizës
Ela Baka
GJIROKASTËR- Si në çdo fundvit, prej datës 20 dhjetor ka nisur ardhja e emigrantëve. Vendkalimi kufitar i Kakavijës përballon në çdo sezon fluksin më të madh të lëvizjeve. Statistikat tregojnë se mesatarisht janë 180 mijë shtetas që lëvizin në hyrje dhe dalje të territorit shqiptar. Edhe në pikat e kalimit kufitar të qarkut Gjirokastër e veçanërisht në Kakavijë ndihet rritja e ndjeshme e fluksit gjatë këtyre ditëve, ndërsa fundjava pritet të sjellë një numër të konsiderueshëm shtetasish. Në dy vitet e fundit, problemet me radhët apo orët e gjata të pritjes thuajse janë eleminuar. Në këtë aspekt, planet e masave konsistojnë jo vetëm në një shërbim cilësor për qytetarët, por edhe në goditjen e grupeve kriminale që duan të shfrytëzojnë fluksin e lartë të lëvizjeve për kryerjen e trafiqeve të ndryshme. Ajo që mund të cilësohet ndryshim gjatë këtij sezoni është fakti se emigrantët preferojnë të lëvizin më shumë me mjete të transportit publik dhe më pak me automjetet e tyre, nën ndikimin edhe të krizës ekonomike greke.
Në një intervistë për “Dita”, drejtori i Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, drejtues i parë, Admir Abrija, flet për situatën në pikat e kalimit kufitar të qarkut dhe masat e marra për të shmangur çdo problematikë që mund të hasin shtetasit gjatë lëvizjes së tyre.
Jemi në momentin kur fluksi i lëvizjeve në të dy anët e kufirit është rritur në mënyre të ndjeshme. Si paraqitet aktualisht situata në të gjithë stacionet kufitare të qarkut, e veçanërisht në Kakavijë si pika tokësore më e madhe hyrëse në vend?
Kakavija për vetë pozicionin e saj gjeografik, si porta kryesore lidhëse me fqinjin jugor të vendit tonë ka specifikë të veçantë. Kjo specifikë konsiston në shërbimet që kjo pikë e kalimit kufitar ofron për lëvizjen e lirë të qytetarëve të të dy vendeve tona si dhe mallrave e shërbimeve. Në historikun e të gjitha vendkalimeve kufitare, dhjetëditëshi i fundit i muajit dhjetor si dhe ai i parë i muajit janar janë mjaft dinamikë dhe ofrimi i këtyre shërbimeve ndaj qytetarëve dhe biznesit merr angazhimet maksimale të policisë kufitare dhe veçanërisht Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër. Në këtë kuadër, në zbatim të Urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit si dhe Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, për menaxhimin e fluksit në pikat e kalimit kufitar si dhe përforcimin e shërbimeve ka hartuar planin e masave të Drejtorisë rajonale për kufirin dhe Migracionin Gjirokastër për përballimin e fluksit në tri pikat e kalimit kufitar. Aktualisht, pavarësisht fluksit që vjen në rritje gjatë çdo ditë situata paraqitet normale. Ne kemi marrë të gjitha masat që të jemi në shërbim të qytetarëve, por pa cenuar elementet e sigurisë në Pikën e Kalimit Kufitar për parandalimin e trafikimit të lëndëve narkotike dhe mallrave kontrabandë.
Në periudhat e flukseve të larta të lëvizjes, vëmendje nga ana e strukturave të policisë i kushtohet edhe goditjes së rrjeteve të ndryshme që shfrytëzojnë këtë fluks për trafiqe të ndryshme. A parashikon plani i masave elementë në këtë drejtim, në bashkëpunim edhe me palën greke?
Janë hartuar plane të përbashkëta veprimi mes dy drejtorive, Drejtorisë së Policisë së qarkut Gjirokastër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, për intensifikimin e punës dhe organizimin e shërbimeve të përbashkëta të të dy drejtorive tona, për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale dhe terroriste në qarkun e Gjirokastrës. Është bashkëpunuar dhe po bashkëveprohet shumë ngushtë me Drejtorine e Policisë së Epirit nga pala greke. Janë zhvilluar operacione të përbashkëta në kufirin e gjelbër, ku dhe kemi pasur rezultate mjaft të mira në goditjen e grupeve kriminale, që trafikojnë lëndë narkotike në dy anët e kufirit. Nga policia e Gjirokastrës, Janinës dhe Igumenicës gjatë ditëve të operacionit janë bërë 5 goditje, duke finalizuar një sasi sekuestrimi prej një ton lëndë narkotike, kanabis sativa. Gjithashtu në vendkalimin kufitar të Kakavijës, si në palën shqiptare, ashtu edhe në atë greke janë shkëmbyer punonjës policie për mirëkoordinimin e shërbimeve dhe shkëmbimin në kohë reale të informacionit.
Gjatë këtyre ditëve është folur për një numër më të ulët të emigrantëve shqiptarë që kane hyrë në territorin tonë, në krahasim me të njëjtat periudha të viteve paraardhëse. I konfirmojnë shifrat zyrtare këto raportime, që kryesisht i faturohen krizës ekonomike greke?
Mund të them që fluksi është i përafërt. Nëse do të flasim për Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës që përballon lëvizjen më të madhe, shifrat zyrtare tregojnë se nga data 20- 27 dhjetor kanë hyrë 27083 shtetas shqiptarë, 1153 të huaj, ndërsa në dalje kemi 16364 shtetas shqiptarë dhe 1287 të huaj. Shifrat tregojnë se kemi një ulje të automjeteve me të cilat udhëtojnë shtetasit shqiptarë. Nga krahasimi rezulton se janë rreth 300 automjete më pak dhe kjo lidhet me faktin se qytetarët po preferojnë të lëvizin më tepër me mjete të transportit publik, autobusë në këtë rast. Në ditët në vazhdim do të kemi një kronologji të plotë të fluksit të lëvizjes në tri pikat e kalimit kufitar të qarkut Gjirokastër, Kakavijë, Tri Urat dhe Sopik.
Është mbushur tashmë viti i parë i lëvizjes së lirë të shqiptarëve drejt vendeve të zonës Shengen. A vlerësohet korrekte përmbushja e detyrimeve si përsa u përket qytetarëve, ashtu edhe policive të dy shteteve? Duke pasur parasysh edhe rastet e kthimeve mbrapsht nga pala greke, megjithëse në numër jo shumë të lartë.
Përmbushja e detyrimeve për respektimin e kushteve për lëvizjen e lirë në tërësinë e saj ka qenë shumë e mirë. Mund të them që vendi ynë ka marrë nota shumë pozitive në krahasim me vendet e rajonit, në lidhje me respektimin e afateve të qëndrimit në zonën Shengen. Sistemet e integruara si TIMS me të gjitha modulet e tij në përdorim të Policise Kufitare dhe Migracionit, por edhe ai i vendeve të BE dhe fqinjëve tanë identifikojnë menjëhere shkelësit e afateve të qëndrimit në vendet e zonës Shengen. Si aktorë dhe bashkëudhëtarë me vendet tona partnere kemi privilegjin të gëzojmë të gjitha të drejtat që na japin marrëveshjet e bëra, sikurse kemi dhe detyrimin që të respektojmë të gjitha detyrimet që vijnë si rezultat i këtyre marrëveshjeve për lëvizjen ndërkufitare.