Kriza në Porto Riko, miliona persona në ishull janë ende pa energji

Gazeta Dita

Porto Riko është në krizë humanitare pas Uraganit Maria. Guvernatori i ishullit i bëri thirrje Shteteve të Bashkuara të akordojnë më shumë ndihma për territorin që prej ditësh ka mbetur pa energji elektrike dhe ka në dispozicion burime të pakëta ilaçesh e uji të pijshëm. Përveç krizës humanitare, ishulli gjithashtu përballet edhe me një borxh prej miliarda dollarësh.

Miliona persona në Porto Riko janë ende pa energji elektrike pas Uraganit Maria, siç tregon një imazh i ri satelitor i qeverisë amerikane. Jashtë kryeqytetit të San Huan, banorët vijojnë të mbeten të izoluar pa energji apo komunikim, që mund të kërkojë javë të tëra për t’u rivendosur. Sipas raportimeve lokale, edhe uji i pastër dhe ilaçet janë të pakëta. Guvernatori i ishullit paralajmëroi një ditë më parë për një krizë humanitare në Amerikë dhe kërkoi më shumë ndihma.

“Porto Riko është pjesë e Shteteve të Bashkuara dhe ne duhet të ndërmarrim veprime të shpejta,” u shpreh guvernatori Ricardo Rosello. “Kjo është një katastrofë madhore,” shtoi ai, duke i kërkuar Kongresit amerikan të nxjerrë një projektligj që i përgjigjet nevojave të ishullit. Porto Riko, që ka më shumë se 72 miliardë dollarë borxhe, përballet me rastin më të rëndë të falimentit në historinë amerikane.

Në përgjigje të situatës, presidenti amerikan Donald Trump shkroi në Twitter se ishulli është në telashe të mëdha pas Uraganit Maria dhe se borxhi duhet të zgjidhet. Megjithatë, kreu amerikan i shtetit nuk specifikoi se si mund të lehtësohen borxhet e Porto Rikos.

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *