Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së është hapi i parë drejt integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Mirëpo, sfida në këtë proces mbetet zbatimi i reformave që kërkon MSA-ja si dhe koordinimi institucional për reformat ekonomike dhe politike. Kështu u tha në nisjen e konferencës së organizuar nga Ministria e Integrimit, “Marrëveshja e Stabilizim Asociimi, çfarë mund të përfitojë Kosova nga përvoja e Kroacisë”.
Zëvendësministri i Integrimit Evropian, Ramadan Ilazi theksoi se viti 2015 është vit që shënoi konkretizimin e marrëdhënieve kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së përmes nënshkrimit të MSA. Ilazi tha se MSA-ja do t’i sjellë Kosovës përfitime të shumta në aspektin ekonomik, pasi do të rritë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve vendore.
“Zbatimi i MSA-së do të kërkojë reforma gjithëpërfshirëse në sistemin ekonomik dhe politik të Kosovës. Harmonizimi i legjislacionit me atë të BE-së e bëjnë të domosdoshme angazhimin në këtë proces të të gjitha institucioneve. MSA përcakton mekanizmat dhe afatet zyrtare për reformat që në mënyrë progresive përafrojnë Kosovën me standardet e BE-së. ajo vendos kornizën e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së dhe vendeve të BE-së për zbatimit të procesit të MSA-së. MSA gjithashtu do t’i sjellë përfitime të mëdha ekonomike dike liberalizuar tregun me BE-në dhe do të rritë konkurrueshmërinë e ndërmarrjeve tona”, tha Ilazi.
Shefja e sektorit për Evropën Juglindore në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, Marija Kapitanoviq, ka folur për përvojën e vendit të saj në këtë proces dhe për sfidat që kanë pasur në zbatimin e MSA-së. Ajo theksoi se MSA-ja është hapi i parë për Kosovën drejt BE-së, por që do të kërkojë reforma rrënjësore.
“Ky është një hap shumë i rëndësishëm në rrugën e juaj drejt integrimit në BE, pra ky është marrëdhënia e parë institucionale me BE-në dhe po integron marrëdhëniet institucionale ekonomike dhe politike dhe fakti që me zbatimin e MSA-së ju duhet që të filloni me reforma strukturore të parën në këtë proces. Kjo do të thotë se kjo do të ngërthen disa sfida institucionale, ndryshime institucionale në aspektin e koordinimit. Sepse siç mund ta theksoj nga përvoja jonë njëra nga sfidat me të mëdha janë koordinimi institucional”, tha Kapitanoviq.
Ndërsa, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jan Braathu tha se edhe Kosova edhe Norvegjia janë vende evropiane, edhe pse asnjëra nuk janë pjesë e BE-së. Megjithatë, sipas tij, ndryshe nga vendi i tij, Kosova aspiron integrimin në Bashkimin Evropian. Brathu theksoi se ata kanë tentuar në vitin 1992 dhe 1994 që të futën në BE, por në të dy herët kanë dështuar për shkak se qytetarët në referendum kanë kundërshtuar këtë, pavarësisht plotësimit të gjitha kritereve.
“Në vitin 1994 Norvegjia dhe BE-ja janë futur në një marrëveshje ekonomike në mënyrë që t’i lejoj qasje Norvegjisë në tregun evropian dhe t’i mundësoj nga tregjet e lira. Kjo marrëveshje ka qenë vitale pasi 80 për qind e tregut tonë shkon në tregjet evropiane. Po aq e rëndësishme është që shumica e miqve tanë dhe aleatëve janë anëtarë të BE-së dhe ne e ndajmë një grup të vlerave dhe ndajmë historinë me këto vende. Izolimi i Norvegjisë nga këto vende është i paparashikueshëm. Si vend evropian fati jonë ndërlidhet me atë të fqinjëve tanë të BE-së. Norvegjia është brenda BE-së në të njëjtën kohë, në njërën anë ne nuk jemi anëtarë, nuk marrim pjesë në procese vendimmarrëse, në tjetrën anë përmes marrëveshjes ekonomike Norvegjia është pjesë e BE-së dhe jemi të detyruar ta përafrojmë legjislacionin e BE-së në legjislacionin e Norvegjisë”, tha Braathu.
Diplomati norvegjez theksoi se Kroacia është vendi më i mirë që Kosova të mësojë diçka nga ata rreth zbatimit të MSA-së, pasi kanë arritur rezultate të mëdha në këtë proces. Ndërsa, i ngarkuari me punë në Ambasadën e Kroacisë në Kosovë, Mladen Glavina tha se vendi i tij është i gatshëm t’i ofrojë Kosovës ndihmën dhe përvojën e tyre në zbatimin e MSA-së. MSA-ja mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian u nënshkrua më 27 tetor 2015 në Strasburg, derisa u ratifikua në Kuvendin e Kosovës më 2 nëntor. /KP/
