“Krom”, filmi artistik me skenar dhe regji të Bujar Alimanit, do të shfaqet prej datës 19 Nëntor Në kinematë e kryeqytetit. Pas premierës, në datën 15 Tetor në Tiranë, këtë herë ai do të qëndrojë për disa ditë me radhë në ekranin e madh të kinemasë.
Një ndër filmat e financuar në vitin 2014 nga QK, pasi ka patur premierën e vet ndërkombëtare në Karlovy Vary, “Krom” do të sjellë krijimin më të fundit të Alimanit e bashkë me të edhe një dramë, e cila shënon çdo ditë në heshtje viktimat e veta në veri të Shqipërisë, në Bulqizë. atje ku për të mbijetuar, banorët gërmojnë mes mbetjeve të minierave.
“Krom” flet për një nënë memece, e cila, pas dy humbjeve të bashkëshortëve, i duhet të vazhdojë të rrisë fëmijët e të jetojë edhe ajo vetë jetën e prerë përgjysmë.
Djali i saj pesëmbëdhjetëvjeçar përpiqet të njohë veten në një adoleshencë të vështirë mes shkollës dhe minierës së kromit. Një fëmijë mes dëshirës dhe mbijetesës… Edhe këtë herë Alimani tenton te dramat e forta. Nga një burg fizik tek “Amnistia” ai kalon te një tjetër, krijuar tashmë prej varfërisë.
“Ideja e influencës së dy natyrave femërore mbi një adoleshent në rritje e sipër më ka interesuar gjithnjë, madje më saktë influenca e Nënës dhe Mësueses, e Jetës dhe Dijes, e të Përjetshmes dhe Aventurës, që, në thelb, nuk është asgjë tjetër përveçse një lojë pushtetesh që shqetësojnë shpirtin e brishtë e të dyzuar të pesëmbëdhjetëvjeçarit”, do të shprehej regjisori Bujar Alimani. Përpara se të konkurronte në Karlovy Vary, Alimani do të zbulonte një të fshehtë të filmit.
“Gjashtë muaj pasi kisha shkruar versionin fillestar të skenarit, kuptova që dy personazhet kryesore merrnin jetë nga dy vëllezër që njihja kur isha fëmijë. Tani më kujtohet që vëllezërit rrinin gjithmonë të veçuar e ishin të mbyllur në vetvete. Gjithë lagja, përfshi edhe mua, talleshim me gjysmë vëllezërit, sikur të ishte faji i tyre që kishin baballarë të ndryshëm. Ndoshta “Krom” ishte një formë ndjese që kam dashur t’u kërkoj gjithmonë atyre fëmijëve”, u shpreh ai. Në film interpretojnë aktorët Fredjon Ruci, Klodjana Keco, Mirela Naska, Kasem Hoxha, Denis Shira, Xhevdet Doda, Albulena Kryeziu etj.
“Ishte një shans i jashtëzakonshëm për mua, një rol që nuk e prisja, më erdhi si rrufe në qiell të hapur. Përtej rolit, që ishte shumë i mirë, përtej skenarit që ishte i dashurueshëm që në momentin e parë që e lexon, ka dalë edhe një film shumë i mirë”, – është shprehur aktorja Klodiana Keco, e cila interpreton rolin e nënës.
Një emocion të veçantë në këtë film ka patur edhe aktorja Mirela Nasko, e cila interpreton mësuesen e matematikës, pasi ky film është xhiruar në vendlindjen e saj.

“Jam shumë e lumtur që në një film të pasqyrohet edhe vendi im, një histori që zhvillohet në vendin tim. Është hera e dytë që bashkëpunoj me Bujarin, herën e parë më çoi në Festivalin e Berlinit dhe më pas në Karlovy Vary, herës tjetër nuk e di ku do të më çojë”, – ka thënë Nasko.
Producentja e filmit, Tefta Bejko është shprehur se ky film nga ana artistike i lë pas të gjithë filmat e tjerë të Alimanit. “Kam prodhuar të gjithë filmat e Bujar Alimanit dhe mendoj se ‘Krom’ i lë pas të gjithë. Aty Bujari ka shkuar më larg, është përballur me veten, ka lënë frymëzimin ta mundë egon, duke krijuar kështu diçka të vërtetë dhe të përbotshme”.
Filmi është bashkëprodhim mes Kosovës, Shqipërisë, Gjermanisë dhe Greqisë, me producentë Tefta Bejko, Valon Jakupaj, Anita Elsani, Thanos Anastopoulos dhe Stella Theodorakis. Filmi është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe ajo e Kosovës. “Krom” është filmi i dytë i metrazhit të gjatë nga regjisori Alimani, pas “Amnistisë”, që e pati premierën në Berlinale, në vitin 2011. Është nderuar me disa çmime ndërkombëtare, si C.I.C.A.E. në Berlin International Film Festival, 2011, Çmimin e Publikut në Black Movie Film Festival, 2012, etj. Vetëm një muaj më parë, është prezantuar edhe në Hamburg Film Festival, 2015. “Krom” është përzgjedhur të marrë pjesë në Mediterranean Film.

Bujar , te uroj suksese ne prodhimtarine artistike ,te filmit shqiptar . Por si djal te lagjes ,ku jemi rritur dhe si bij naftetaresh ,te shpreh nje kerkes . Bej nje film ,me subjekt nga NAFTA e Shqiperise .Nxirr ne pah sot shkaterrimin e industris gjigante te naftes . Sot kriminelet e Shqiperise , tallen me popullin shqiptar ,pasi ja vodhen te gjithe pasurine qe kishin prodhuar per 50 vjet ,nga puna e pa paguar ,nga regjimi i komunizmit ……………..