Nuk po ngjit që nuk po ngjit!
Trokiti e trokiti me tam-tam-et e gjithë shpurës së pushtetit që u gremis tutje, po zemra e popullit me sa duket nuk u hap. E ai ka mbetur atje, si një jashtëtokësor që rreket me shkëlqimin e artë të lëbyrë sytë e shqiptarëve, po ata nuk e hapin që nuk e hapin zemrën…
Edhe sot, pas dy vjetësh, thjesht nuk ngjit. Ka mbetur atje tej, i vetmuar, i trishtuar nën indiferencën që i shkon pranë tejet thërresë.
E kam fjalën për të ashtu-quajturin “Monument i 100 vjetorit të Pavarësisë”.
Një emër i sforcuar e tmerrësisht jashtë përmasave të lëndës, megjithë çmimin e lartë të pllakave të bronzit, që është një përpjekje tjetër e dëshpëruar për ta bërë të ngjisë. Por, edhe prej floriri të ishin ato pllaka, ajo lëndë në trajtë kioske nuk do ngjiste po njësoj.
Jo vetëm trishtim për atë katror të artë, por shumë dhimbje si pasojë e dhunimeve rresht.
Duket sikur atë vëmendje totalisht të munguar, po e zëvendëson me vëmendjen e herëpashershme të kronikës: “U dhunua për herë të tretë Monumenti i 100 Vjetorit të Pavarësisë”.
Vetëm ky lajtmotiv e kujton prezencën e mjeruar nën shkëlqim të tij. E mjeruar në mungesën vende-vende të disa inventarëve të shprehur në Euro.
Mungojnë 7 njësi x 400 Euro = 2800 Euro. Kështu shkruan gazetari i kronikës së djeshme.
2800 euro përdhunim, përpos miliona eurove përdhunime të tretura Rrugës së Kombit, në gjëmimet e mbytura të Bankersit, në vilat e gjin-gjonëve e sinan-tafajve… Janë këstet e një borxhi që nuk rresht së paguari ky vend.
Sa e pasur paska qenë kjo toka jonë, sa shumë cibune paska ushqyer!
Po këto 2800 Euro të faturës së pavarësisë do të mbeten një këst i vazhdueshëm mbi kurrizin e këtij populli. Sëbashku me rrogën e policit –roje, që shtohet si pjesë e gjallë e atij “monumenti në tentativë”. Monumenti që aspiroi për monument, po nuk u bë dot kurrë monument, vazhdon të hakmerret për dashurinë e mohuar me fatura 2800 euro-she plus rrogën e policit të dedikuar.
E prapë nuk bëhet dot monument!
E prapë do të lotojë nën urinimin e rradhës e do lëngojë nga dhimbja ndërsa ndjen lehtësimin fiziologjik të “përdhunuesit”.
E gjithë ky proces, që nuk ka ndërmend të ndalet, megjithë policin e dedikuar, i jep atij një simbolikë tjetër ‘de facto’, simbolikën e Refuzimit të Dhunës.
Sali Berisha u përpoq përdhuneshëm ta detyrojë popullin të pranojë këtë monument si akt i arrogancës dhe delirit të tij prej Baba-Zoti. Dhe shqiptarët refuzuan ta pranojnë. Vetëm se refuzuan paqësisht, jo përdhunshëm si ai.
Monumenti në tentativë nuk është tashmë asgjë më shumë sesa një ËC luksi.
Sepse shqiptarët në mbarë globin e kanë Monumentin e tyre të Pavarësisë, që i përmbledh brenda të gjithë 100-vjetorët që shkuan e që do të vijnë!
Monumenti i Pavarësisë në Vlorë u pranua, pa kurrfarë sforco e pllaka 400-euro-she, si Meka e Atdhetarisë sonë!
Ai zgjohet çdo mëngjes gjithnjë e më madhështor, gjithnjë e më kuptimplotë, qysh prej 1972, mes nderimit e respektit që nuk mplaket kurrë. As në vitin e çmendur ‘97.
E çdo përpjekje për ta rivalizuar thjesht nuk ngjit!
Monumenti i Vlorës do mbetet përgjithmonë pjesë e çdo albumi në shtëpitë e shqiptarëve, që patjetër e kanë një foto kujtimi me të, ndërsa përloten të përulur para tij. Ndërsa, blloku i pllakave të bronzta nuk e gjeti dot kurrë çelësin për të hyrë në ato albume, megjithë selinë luksoze në qendër të kryeqytetit. Ai do të vijojë të jetë pre e synuar e urinimit, dhunimit, refuzimit, talljes si çdo gjë tjetër që nuk ka fituar shenjtërinë e dashurisë popullore. Sepse shenjtërimi i zemrës së popullit është i vetmi imunitet që të mbron nga e keqja, siç është i vetmi autoritet që të jep statusin e monumentit.
Nuk thonë kot, fati shkruhet që në ngjizje. A ka ndonjë shqiptar që nuk e di se Monumentin e Pavarësisë e kanë gdhendur mjeshtra si Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Haderi? Nuk besoj.
Sikurse nuk do ta dijë kurrë njeri, përveç atij që ka paguar faturën, se kush janë montatorët e pllakave të bronzta 400 euro copa.
Por për një gjë do të shërbejë:
Do mbetet simbol i dështimit të dikujt që për turpin e tij, u përpoq të përçajë këtë popull edhe në ditën-simbol të bashkimit të tij!

Fix fare !
Nice shkrim. Me pelqen stili juaj gjithmon.
O sali te jepja edhe pllakat e bronxit ti shese Gita se ka nevoje per leke per pushimet e veres se eshte ngushte. kohe krize a derbardhe.
ME LEJE? EDHE UNE E KAM BER NJE HERE SH… TEK AI VENDI. U NDIEVA GOXHA MIR. AHAHAHA.
ARTIKULL KUPTIMPLOT. RESPEKTE. NE REALITET ASKUSH NUK MENDON SE DIKU NE ISH LULISHTEN E TIRANES PASKA NJE MONUMENT PAVARSIE. AI NE REALITET ESHTE MONUMENT HAJDUTERIE. PRANDAJ SHKRIMI LEXOHET ME ENDJE DHE KOMENTOHET ME DESHIRE. BRAVO Z, ILIR.
Edhe 100 vjetorin e Pavaresise e privatizoi ARMIKU I TE GJITHE SHQIPTAREVE,Sali Berisha!
Monumentin e Pavaresise ne Vlore , ne te vertete e kane realizuar , skulptoret me fame boterore ( me sakte Da Vincet e Mikelanxhelot e diteve tona ) Edver K. Rama . G. Ruci , M.Kodheli . S. Tahiri , E. Veliaj etj etj!!! Njesitet guerile te selise vjollce ,pas kesaj thirrje , jane hedhur ne aksion dhe i kane marre detyrat , per shkaterrimin e cdo vepre arti , te ngritur ne kohen e Berishes , packa se ai , eshte Monumenti i 100 Vjetorit te Pavaresise!!!