TIRANË – Duke renditur emrat e përveçëm të pronarëve të shumë dyqaneve të suksesshme, kreu i një bande kaçakësh të strehuar në një banesë ku dikur argëtoheshin oficerët, la qartazi të nënkuptohet se çfarë kërkonte prej tyre.
Në ngjarjen e ndodhur para dy ditësh, kryebanditi ambicioz, i merakosur pse askush nuk e merr seriozisht, u vrenjt dhe u tha emër për emër dyqanxhinjve se do t’ua merrte erzin kur të merrte pushtetin.
Duke iu drejtuar tyxharëve, disa prej të cilëve i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë miq, kryelevendi i çetës ua bëri të qartë se pasuria e tyre do kontrollohej një më një, prandaj t’i bënin mirë hesapet.
Shumë dyqanxhinj, që i kanë bërë hesapet prej kohësh dhe u japin haraçin e tyre kaçakëve, nuk u shqetësuan nga shpërthimet emocionale, shpeshherë teatrale të kryelevendit.
Por edhe ata që u merakosën, vunë re se kokoroçi nuk arriti ta fshihte buzëqeshjen që e tradhton gjithmonë, kur mundohet të tregohet i rreptë dhe i egërsuar.
Në vijim të spektaklit të gjobëvënies në distancë (së fundi kanë filluar ta quajnë e-gjobëvënia), levendi me leshrat tërë brilantinë nxorri në mejdan një cucë të hijshme, e cila në veçanti u mor me llojin e mallrave që shisnin dyqanxhinjtë e shënjestruar, gjithnjë duke tentuar të trashë zërin, aq sa ka mundësi një vashë që lodhet më kot t’i shembëllejë Shote Galicës.
Vasha u lemeris kur bashlevendi i pëshpëriti pak më herët, që të kërcënojë dyqanxhinjtë se do t’u vërë minat dhe do t’i hedhë në erë megjithë tespihe e Tosum Baç.
“Ua qyqja, çfarë minash shef? Unë sapo kam bërë thonjtë!”, protestoi cuca.
S’ka gjë, reflektoi brilantina, “minat do t’i përmend në darkë në televizor, për teatrin”.
Në vijim, kërkesën e rafinuar të haraçit e vazhduan evlati i një aktori të shquar dhe nipi i një kryeballisti famëkeq në Myzeqe, nga ata që edhe vetë ballistët më të thekur të epokës digjitale nuk marrin përsipër ta mbrojnë.
Ndryshe nga kryelevendi buratin, folësit e fundit e ruajtën seriozitetin dhe shantazhi u mbyll me sukses.
Shënim: Gojët e Liga vërtet është rubrikë satirike, po ajo që po i bën banditi i llustruar çetës së vet, nuk ka të krahasuar.

HHAHAHAHHAHAHAHA
GJENERAL BATO ,tani i SHQUPIT ! ( Nje gjeneral kapet rob) Film vetem per BABOLET .