Kruja, ”Kryeqyteti” i historisë dhe i turizmit shqiptar

Dita

Kruja është një nga qytetet me historinë më të ndritur, më të mirë dhe më të dokumentuar se të gjithë qytetet e tjerë shqiptarë, çka e bën atë një “kryeqytet” të vërtetë historik. Historia e këtij  qyteti të lashtë na bën të ndihemi krenarë sa herë që e vizitojmë. Në një farë mënyre Kruja është  “oda shqitare e pritjes”, ku të huajtë njihen me historinë tonë shekullore. Pa dyshim mund të quhet aktraksioni më i madh turistik në Shqipëri, si për të huajt ashtu edhe për ne. Nisur nga kjo një nga aksionet në të cilin është angazhuar qeveria shqiptare, në mënyrë të veçantë kryeministri Edi Rama, është edhe rivitalizimi i kësaj kryeqendre historike, por edhe i qendrave historike të të gjithë qyteteve tanë. Ky aksion ka filluar në shumë qytete të vendit, në Shkodër, Berat, Kavajë, Elbasan, Gjirokastër, etj.  Janë rregulluar qendrat e qyteteve, janë ndërtuar  pedonale e vepra të tjera.

RAMA--KRUJE--28_34Në këtë aksion është përfshirë edhe Kruja. Brenda një kohe të shkurtër Edi Rama e ka vizituar  dy herë këtë qytet. Herën e parë inspektoi  zonën muzeale, pazarin e Krujës, mjediset brenda e rreth kalasë, ndërsa  në vizitën e datës  2 dhjetor 2014 inspektoi aksionin për mbjelljen e pemëve në krastën e Krujës (do pyllëzohen 30 ha, me 500 mijë rrënjë pemë), punimet për zgjerimin e rrugës Krujë-vendi i shenjtë, Sarisalltëk dhe ambientet e një shkolle në rikonstruksion. Në të dy rastet Edi Rama ka shprehur ide e ka dhënë porosi për t`a ndryshuar pamjen e qytetit të Krujës, për t`i dhënë atij madhështinë e së kaluarës së tij heroike.

Kruja i ka premisat për të qenë madhështore në çdo kohë. Ka qenë  kryeqendër  në një nga periudhat më të lavdishme të historisë së shqiptarëve, në periudhën e Heroit Kombëtar, Skënderbeut. Ka qenë  zonë e njohur që në lashtësinë ilirike. Në periferi të saj, pak pa arritur në Krujë,  janë rrënojat e  Albanopolis, qytet ilir, nga  i cili vjen emri albanët. Me këtë histori dhe objektet arkeologjike që e pasqyrojnë atë, kalaja, muzeu, pazari karakteristik, rrënojat e Albanopolisit dhe monumenti i Skënderbeut, etj., Kruja është në interesin e të gjithë  shqiptarëve, sidomos të turistëve të huaj.

Veç vlerave historike  pozicioni i Krujës, mjedisi  mali, kodrat, fushat, deti krijojnë një panoramë të mrekullueshme për t`a soditur, pse jo edhe për të jetuar. Kruja mund të jetë  një rezidencë interesante për shumë vizitorë që vijnë në Shqipëri për arsye pune apo për  turizëm. Pamja që të shpërfaqet nga Kruja, në kohë të kthjellët, sidomos  natën, në dritën e hënës e të yjeve, është  shumë mbresëlënëse. Shihet fusha e gjerë, shihet aeroporti i Rinasit,  kalaja e Prezës, ajo e Petrelës dhe e Lezhës. Shihet deti Adriatik, Durrësi, Porto Romano, Patoku e më tej Lezha e Shëngjini. Është një mrekulli. Duket sikur fluturon mbi hapësira të pamata. Pak më në lindje të Krujës është pika turistike e  Qafë Shtamës që mund të kthehet në një perlë të turizmit malor. Aty është dhe instalimi i prodhimit të ujit ‘’Qafështama’’, që ka zënë një vend të veçantë në tregun shqiptar. Kruja është edhe  vend pelegrinazhi fetar. Teqeja  bektashiane, lart në mal, është një  vend i shenjtë që ka rifilluar të vizitohet nga mijëra njerëz.

Kruja, fusha e Krujës, kanë  potenciale të mëdha ekonomike, sidomos në fushën e prodhimeve bujqësore, blegtorale dhe të pemëtarisë. Mund të bëhet një serë e madhe e prodhimeve bio, shumë të kërkuara nga qytetarët, sidomos nga turistët.  

Ka vite që për Krujën është bërë shumë pak, për të mos thënë se nuk është bërë asgjë. Të vetmet vepra  që i japin këtij qyteti madhështinë e së kaluarës  janë të para viteve ‘90. Sali Berisha, gjatë viteve të pushtetit të PD, edhe pse Kruja ka votuar rregullisht këtë parti, i ka ofruar  papunësi, emigrim, varfëri,fabrika çimentoje, gropa gëlqereje  e gurore.  Edhe të majtët, në vitet e qeverisjes së tyre, nuk është se i kanë ofruar më shumë. Ndryshe nga deri tani, Edi Rama po i ofron Krujës zhvillim krejtësisht tjetër. Po kërkon t`a  bëjë edhe njëherë madhështore, si ka qenë  25 vite me radhë, në kohën e Skënderbeut. Nuk ndodh shpesh  që një kryeministër bëhet pjesë  e përpjekjeve, programeve, për të rilindur një qytet të lashtë.  Është një shans  që  nuk duhet  lënë pa shfrytëzuar nga krutanët, sidomos nga drejtuesit e pushtetit lokal, pavarësisht cilës parti politike i takojnë.

Çfarë i duhet në urgjencë Krujës?

Rikthim i qytetit në origjinalitet. Me që  nuk është dëmtuar në mënyrë të pariparueshme nga ndërtimet e reja, me pak punë Castle_Krija_Albania_2004-07-08 (2)mund të kthehet  në origjinalitet. Kryesore është ruajtja e ndërtimeve karakteristike dhe lidhja e lagjeve me rrugë, kalldrëme apo forma të tjera. Këto i mungojnë shumë Krujës.

Ripërtëritja e ullishtave, që janë karakteristikë e veçantë e këtij qyteti,  është e domosdoshme. Një rrugë e re Tiranë-Mukje-Krujë do të ishte mrekulli, do t`a afronte Krujën me metropolin e Shqipërisë, Tiranen. Edhe rrugët ekzistuese Tiranë-Fushëkrujë-Krujë dhe Durrës-Fushëkrujë- Krujë  duhet të kthehen në parametra të  nivelit ndërkombëtar. Edhe rrugët për në vendin e shenjtë, për në Qafë Shtamë duhet të jenë në këto parametra. Realizimi i një programi të tillë do t`a kthente Krujën në një qytet elitar të turizmit, gjë që do të zgjidhte  shumë probleme ekonomike, do të shtonte punësimin, do të rriste të ardhurat ekonomike të familjeve krutane e do zgjidhte  shumë probleme sociale. Do të krijonte hapësira punësimi  edhe për ata qytetarë që janë të detyruar të mbyllin aktivitetin e prodhimit të gëlqeres.

Topi tani në fushën e krutanëve

Kryeministri  tregoi se e ka dëshirën të preokupohet për Krujën. Tani topi është në fushën  e krutanëve. A do të jenë të aftë ata që të materializojnë idetë, qoftë edhe ekstravagante të një kryeministri piktor, për të rregulluar qytetin e tyre, për t`a bërë perlë të turizmit historik, kulturor, fetar e agrokulturor. Për këtë do të mjaftonte një  grup i vogël me historianë, arkitektë, urbanistë, ekonomistë për të bërë një program të studiuar. Kruja ka shumë bijë e bija të saj, të aftë t`a marrin përsipër këtë detyrë, pavarësisht në se jetojnë apo jo në atë qytet.

Shpresojmë!…

Histori

Monumenti_i_Skënderbeut_në_KrujëZona e Krujës u përfshi në zotërimet e Kastriotasve nga i ati i Skënderbeut, Gjon Kastrioti. Gjergj Kastrioti, (Skënderbeu-emër që e mori në perandorinë Osmane), do të rikthehet nga Andolli në Krujë pas betejës së Nishit (nëntor 1443) dhe pas Kuvendit të Lezhës (mars 1444), Kruja do shërbejë sërish si qendër e Arbrit. Gjatë gjithë shekullit XV Kruja do jetë në qendrën e vëmendjes të të gjithë kombeve europiane që kërcënoheshin nga rreziku osman. Tri herë e rrethuan osmanët Krujën (1450,1466,1467) me ushtri të mëdha, në Krujë kanë ardhur dhe dy nga sulltanët më të fuqishëm të perandorisë osmane (sulltan Murati II dhe i biri i tij Mehmeti II). Megjithatë kalaja e Krujës rezistoi. Ra nën sundimin osman vetëm në vitin 1478 (10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut). Në shekujt e mëvonshëm do kemi një rënie të rëndësisë së zonës së Krujës, që u pasua dhe me një shpërngulje të madhe të popullsisë.

Guidë

“Rruga që duket, nuk do kallauz”, kështu thotë një fjalë e popullit, që me të vërtet në këtë rast zë vend, pasi, dihet, që Kruja “njihet” nga të gjithë shqiptarët edhe pa shkelur atje asnjë herë. Ajo njihet që nga abetarja e hershme e deri në librat voluminozë të historisë, përmendet në çdo festë e bisedë. Domosdo, është pjesë e memorjes historike shqiptare, një pjesë krenarie dhe motivuese për të ecur përpara. Kruja është magjepsëse për të gjithë, shqiptarë apo të huaj, sepse është mbretëresha e historisë shqiptare, e sepse fiset që kanë jetuar në të, na kanë dhënë emrin që ne sot mbajmë në botë, Albanë. Kruja, ky qytet, i cili pavarësisht vuajtjeve ambientale, vazhdon të tërheqë mbi vete vëmendje, mund të jetë një nga qytetet turistike më të vizituar në Shqipëri, jo thjesht për faktin se ndodhet pranë kryeqytetit (vetëm 37 km larg), por edhe sepse ka aftësinë të zhvendosë në kohë, e të bën të ndihesh banor i një epoke tjetër.

Share This Article
1 Comment
  • Kruja me rastin e kremtimeve te 500 vjetorit te vdekjes se Heroit tone Kombetar, Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, eshte shpallur Qytet Hero, me Dekret te Presidiumit te Kuvendit Popullor, nr. 4357, me 13.I.1968.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *