Letër e nënshkruar,
Përparim Shullazi
Kruja prej kohësh është shpallur qytet muze. Kjo do të thotë që është i hapur dhe pret vizitorë vendas e të huaj kurdoherë, të cilët janë të shumtëe sidomos tani në stinën e verës. Qyteti është mjaft tërheqës për vetë pozicionin e tij gjeografik, relievin befasues dhe objektet dhe vendet që evokojnë historinë e vet të lavdishme. Por, krahas tyre, në qytet vihet re një praktikë anormaliteti që ka të bëjë me zënien e trotuareve, fragmenteve pedonale dhe mjediseve publike nga tavolinat dhe karriget e lokaleve. Askush nga organet përgjegjëse për jetën urbane dhe marrëdhëniet me publikun nuk bëzan për këtë gjë. Interesat klienteliste dhe qëndrimet indiferente cënojnë civilizimin urban dhe pse jo edhe imazhin e kulturuar të qytetarëve të Krujës.
