Trafikantët gjejnë mënyra të reja për të transportuar drogën. Policia e Durrësit ka zbuluar një rast të përdorimit të furgonëve që transportojnë nxënësit në shkolla, me të cilin bëhej trafiku i lëndës narkotike. Tre persona janë arrestuar në finalizim të operacionit të koduar “Speed” dhe u bllokuan 20 kilogramë kanabis sativa. Gjithashtu u sekuestruan edhe 2 automjete të përfshirë në transportimin e lëndës narkotike, nga të cilat një i transportit të nxënësve të shkollës. U arrestuan të dyshuarit Dritan Barashima, 33 vjeç, banues në Tapizë të Krujës. Imer Brama, 54 vjeç, banues në Boranë dhe Bajram Çangu, 53 vjeç, banues në Nikël.
Nga hetimi një mujor, rezultoi se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë siguruar sasinë e lëndës narkotike të cilën më pas do ta shpërndanin në tregun e brendshëm Krujë-Durrës. Pranë mbikalimit të Fushë-Krujës, dy automjeteve fuoristradë “Rexton”, me targa AA710JB, drejtuar nga Bajram Çangu dhe furgon për transportin e nxënësve, me targa TR8849D, drejtuar nga Dritan Barashima, iu është bërë shenjë nga punonjësit e Policisë për ndalim. Drejtuesi i mjetit fuoristradë nuk i është bindur urdhrit dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Ishmit, ku edhe është kapur gjatë ndjekjes, ndërkohë që mjeti tjetër është ndaluar në vend. Në mjetin furgon, i cili shoqërohej nga fuoristrada, është sekuestruar edhe sasia e lëndës narkotike, e cila dyshohet të jetë siguruar nga kultivimi në zonën e Niklës.
Nga hetimet e kryera rezulton se të dyshuarit kanë mbledhur lëndën narkotike në zonat e thella të Krujës, ku edhe është kultivuar dhe më pas kanë përfunduar pazarin e blerjes me qëllim trafikimin. Për të mos rënë shumë në sy, kanë përdorur edhe mjetet e transportit të nxënësve. Burime nga policia thanë se kishin siguruar informacione prej disa javësh se ky trafik bëhej edhe me furgonë nxënësish, ndaj edhe i mbajtën nën vëzhgim. U sekuestruan për llogari të hetimit edhe 6 telefona celularë. Materialet iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Krujë, për veprën penale “prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
