KRUSHQI TË ZEZA, VOTA TË BARDHA

editor

Të gjithë e kanë pasur nga një opinion për ta shprehur, në lidhje me krushqinë e re PS-LSI; zakonisht për ta dënuar, si moralisht të papranueshme. Kështu lloj dënimesh i dënon zakonisht të shqiptohen kur një çift ribashkohet, pasi është ndarë me gjyq të bujshëm dhe akuza të ndërsjella nga më të përbindshmet.

Natyrisht, koalicioni i ri i së majtës përbën lajm me rëndësi kritike, sidomos sa kohë që zgjedhjet e tanishme janë me rëndësi kritike për Shqipërinë. Përkundrazi, reagimet e opinionistëve, të analistëve, të komentatorëve dhe të moderatorëve televizivë, për këtë ribashkim, nuk janë as me rëndësi, as lajme. E megjithatë, sheh t’u jepet kryet e vendit, në mediat e Tiranës. Njeriu nuk mund të mos pyesë veten se që kur mori kaq peshë mendimi i filanit, ose i fistekut; aq sa të errësojë, për nga hapësira që zë, lajmet për koalicionin vetë? Pa folur pastaj për të gjitha ato raste, kur aksh analist shkon i ftuar në televizion te ky apo ai mikpritës, jep një mendim vetëshërbyes atje; dhe të nesërmen e sheh atë mendim të përcjellë nga gjithfarë mediash të tjera.

Po bëhet shumë zhurmë për këtë ribashkim; zhurmë që meriton vëmendje më vete. Le ta sqaroj menjëherë që edhe unë u neverita me çfarë ndodhi dhe me mënyrën si ndodhi. Edhe pse nuk jetoj në Shqipëri, dija për Metën dhe për qëndrimin e PS-së ndaj Metës çfarë më kishin thënë mediat e afërta me të opozitën; sikurse dija që 21 janari ndodhi edhe si pasojë e zemëratës së pakufi, në popullin e së majtës, për korrupsionin e kreut të LSI-së.

Figurën e Ilir Metës si politikanin post-modern, që e përdor pushtetin për mbivlera klienteliste, e krijoi para së gjithash opozita vetë; njëlloj siç krijoi opinionin për LSI-në, si parti pa programe, skrupuj dhe besnikëri.

Edhe proçkat e njëpasnjëshme të regjimit, këto vitet e fundit, nuk i ndan dot nga LSI-ja dhe njerëzit e saj në ekzekutiv; çka do të thotë se, me krushqinë e papritur të tanishme brenda së majtës, bie një nga kolonat e retorikës parazgjedhore të PS-së, ose kritika radikale ndaj mënyrës si e ka qeverisur vendin Berisha (the moral high ground). Prandaj jam edhe unë i neveritur, për aq sa vlen kjo, nga çifti i lumturuar sërish. Vërtet morali dhe politika duan mbajtur veç, por edhe politika e ka një moral të vetin, që në këtë rast është shkelur.

Mirëpo – dhe këtu ka një mirëpo të madhe – problemi i madh i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare, dhe i politikës shqiptare është Sali Berisha me të vetët, jo opozita dhe aleancat e saj të pambrojtshme. Dhe zgjedhjet që po afrohen janë shansi i vetëm për ta larguar Sali Berishën dhe grupin e tij, me mjete demokratike, nga monopoli që ka vendosur ndaj të gjitha pushteteve në Tiranë.

Nga kjo perspektivë, kam përshtypjen se indinjata për aleancën Rama-Meta e ka zhvendosur disi fokusin nga çfarë duhej të ishte, sidomos për të majtën, synimi kryesor i propagandës parazgjedhore: fitorja e zgjedhjeve që po afrohen.

Është e natyrshme të indinjohesh; por është e nevojshme që të ruhet një perspektivë në opinionet. Këtu vjen në vështrim edhe një propozim, që po rimerret nga shumë anë, për të votuar me fletë të bardhë këtë herë, për të shprehur refuzimin total ndaj një sistemi, i cili pjell shëmti të tilla si monopoli berishian në pushtet, ose aleanca e paparim Rama-Meta.

Më duhet të them se ideja më pat shkuar në mendje edhe mua kohë më parë, sidomos në kontekstin e ankthit të së majtës se PD-ja do t’i vidhte zgjedhjet edhe këtë herë. Në mendjen time, PS-ja duhej të refuzonte të merrte pjesë në këto zgjedhje dhe t’i ftonte zgjedhësit e vet të votonin me fletë të bardhë, e cila do të ishte votë jo aq kundër PD-së, sesa kundër sistemit si të tillë: një lloj “demokracie” e importuar nga Perëndimi, e cila në Shqipëri nuk ka arritur të prodhojë vlera demokratike, por vetëm alibi për grykësitë e pushtetarëve. Votimi me fletë të bardhë, i ngjashëm me atë sciopero del voto (“greva e votës”) të cilën e përsiatte dikur Partia Radikale në Itali, është megjithatë gjest politik tepër i vetëdijshëm – ose i kundërt, në thelb, me votimin në kopé, që praktikohet sot anembanë Shqipërisë.

Ftesa e tanishme nga shoqëria civile dhe nga disa analistë, për të votuar me fletë të bardhë, nuk e ka fuqinë, as pretendimin, për t’u bërë masive; por veç mund të arrijë dhe të bindë ata pak njerëz të angazhuar përnjëmend në politikë, që janë neveritur nga lëvizja e tanishme PS-LSI.

Siç e shoh unë, ky publik target i nismës në fjalë përbëhet, kryesisht, nga zgjedhës të majtë, që normalisht do të votonin për PS-në.

Kjo edhe thjesht ngaqë askush nuk pret që zgjedhës të PD-së ose me bindje të djathta, të merakosen aq shumë për cirkun e së majtës në Tiranë, sa të refuzojnë normalitetin e votës.

Prandaj ftesa për të votuar me fletë të bardhë, siç po ofrohet në momentin e tanishëm, është objektivisht pjesë e fushatës elektorale të PD-së; meqë synon të pakësojë elektoratin e majtë, t’i heqë koalicionit të majtë zgjedhësit e lëkundur, ose të gjithë ata qytetarë të majtë, që ende shpresojnë se politika mund ta ruajë, të paktën, moralitetin e vet.

Me këtë nuk dua të paragjykoj nismëtarët e kësaj ideje dhe qëllimet e tyre; por vetëm t’u tregoj se çfarë pasojash do të kishte suksesi i nismës së tyre, sipas mendimit tim prej qytetari të zakonshëm.

Përndryshe, edhe pse mediat nuk kanë bërë punë të mirë, për të sqaruar arsyet e ri-krushqisë brenda së majtës (të cilat nuk duhen ngatërruar me opinionet e opinionistëve), publikut nuk i lejohet të harrojë se e gjithë kjo bëhet në një fushatë që i paraprin atij momenti kyç të jetës politike që quhet zgjedhje; dhe që quhet zgjedhje pikërisht pse qytetari ftohet të zgjedhë, mes kandidatëve A, B dhe C, më të përshtatshmin për ta përfaqësuar në pushtet; dhe zgjedhjet kërkojnë prej nesh të gjithëve që të jemi zgjedhës jo vetëm para kutisë së votimit, por edhe në përparësitë.

Dhe përparësia në këtë moment mbetet, e kotë ta shtoj, ripërmasimi i kapjes së shtetit nga PD-ja dhe grupi i Berishës, i cili nuk mund të realizohet kurrë, po të vazhdohet me këtë demonizim të një gjesti taktik, kushedi të dëshpëruar, të Ramës; të cilit nuk ia njohim as premisat, as shkaqet.

Prandaj, në rrethanat kur sistemi nuk mund të refuzohet me grevën e votës, as me ndonjë formë tjetër të mosbindjes civile – meqë asnjë forcë politike madhore nuk e kërkon këtë – atëherë zgjedhja duhet bërë midis konsakrimit të grupit Berisha edhe katër vjet të tjera në pushtet dhe alternativës për të sjellë në pushtet dikë tjetër; qoftë edhe çiftin e shumëpërfolur Rema, në krye të një koalicioni që, për fat të keq të moralitetit politik si të tillë, mbetet i vetmi që mund të largojë, nga institucionet, shkaktarët e dështimeve të shtetit shqiptar në këto tetë vjet.  – Peizazhe të Fjalës

 

Share This Article
7 Comments
  • Zemerata popullore, e papare ndonjehere me pare ndaj imoralitetit te politikes qe u misherua me paktin PS-LSI, ka alarmuar shume nga entuziastet por edhe gjoja jo-entuziastet e kesaj aleance!
    Analistet dhe gazetaret me te njohur(pothuaj te gjithe nga e majta) u ndane me dysh,sa i perket qendrimit ndaj kesaj aleance. Kush e njeh mjedisin gazetaresk ne Shqiperi e kupton fare mire qe analistet ,opinionistet dhe gazetaret qe jane kritike ndaj kesaj aleance kuterbuese,e dominojne debatin me ata entuziastet qe , te themi te drejten kane rene ne nivelin e propaganduesve te rendomte.
    Ardian Vehbiu si nje vezhgues i holle i situateve te tilla e kupton mjaft mire kete,prandaj, edhe ai do te jape mendimin e tij ,argumentat e tija,te cilat ,ne kete rast,duhet ,pervecse te ruajne elegancen e njohur, edhe te ndihmojne sadopak argumentet e kolegeve te tij si M.Nano,E.Zaloshnja,L.Vangjeli…
    Ardian Vehbiu e nuhat shume mire se keta analiste jane ne disavantazh ,ne te gjitha pikpamjet, perballe analisteve kritike si Andi Bushati ,keshtuqe Xhaxhai e ka vleresuar te nevojshme t’u jape nje ndihme sado modeste shokeve te tij te llogores se ideve !
    Eshte nje situate sa komike aq edhe dramatike,sepse, rrethanat politike,zgjedhjet qe afrohen, i kane katandisur shume intelektuale opinioniste te bien ne llumin e propagandisteve te rendomte! Te njejten gje po ben edhe Vehbiu! Kryeargumenti i tere ketyre rrufjaneve analiste eshte: “e keqja me e madhe eshte Berisha! Cdo gje mund te te justifikohet per largimin e tij nga pushteti aq me shume aleanca PS-LSI!”- ky eshte argumenti,kryeargumenti,argumenti i vetem ne fakt,qe ju ka mbetur si dopiogjashta ne dore ketyre rrufjaneve,dhe qe po i ben qesharake ne syte e opinionit publik;sepse, eshte nje argument qe nuk thote asgje;sepse,sapo fillojne ta zberthejne ate,vetvetiu shfaqet Ilir Meta,djalli me i zi i korrupsionit(sipas vete opozites se djeshme);shfaqet LSI-ja si pjesa me e korruptuar e qeverise Berisha(edhe kjo sipas vete opozites,vete Edi Rames!); shfaqen ata mijera e mijera shqiptare qe iu pergjigjen thirrjes se Edi Rames me 21 janar 20011, per te protestuar kunder korrupsionit te Ilir Metes, e qe sot u kerkohet po nga Edi Rama qe te votojne Ilir Meten…pra,shfaqen te gjitha keto e shume te tjera,qe e bejne nul kryeargumentin e entuziasteve te aleances PS-LSI!
    Edhe ndihma e Ardian Vehbiut,por edhe e shume Vehbinjeve te tjere,nuk mund t’i beje derman kesaj situate kaq te sikletshme per moralistet e djeshem – pragmatiste te sotshem!

  • Vehbiu kete fjali e ke qe ” problemi i madh i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare, dhe i politikës shqiptare është Sali Berisha me të vetët” – vetem se po te sqaroj (meqe jeton jashtetit dhe ndoshta nuk e di) se Ilir Meta hyn te te Sales, nuk eshte as i te majteve dhe as i qytetareve, por eshte Sales, prandaj kjo aleance eshte e papranueshme sepse do te thote qe berishizmi do vazhdoj vetem se sdo pasurohet Argita, por Monika.

    Dhe nje ide tjerer e ke dhene bukur, ne dijeni se Sali Berisha do manipulonte zgjedhjet (mese e pritshme prandaj i ra goja popullit qe te hidhej ne protesta por Edi Rama perbetohej se manipulime sdo ket) atehere PS te bojkotonte zgjedhjet dhe te majten vote te bardhe. Bente jehone ne tere boten per revoltim te popullit per mungese demokracie, dhe mund te nderhynte dhe bota. Perse ky skenar nuk u be? Perse zgjidhja u gjet tek Ilir Meta she askush tjeter, asnje aleance tjeter, as perkrahja mbarepopullore nepermjet votes e protestes nuk mjaftonte???? PERSE? PERSE? PERSE? Pergjigja eshte shume e thjeshte: “problemi i madh i Shqipërisë, i shoqërisë shqiptare, dhe i politikës shqiptare është Sali Berisha me të vetët (Meta, Rama etj etj etj)!!!!

  • Lexues te nderuar,vini re me kujdes,sesi zoti Ardian Vehbiu i ka nxirosur fjalet “pjese e fushates elektorale te PD-se”…!! Qellim eshte i qarte dhe,kate beje me ate qe po e perserit zoti Rama shpesh keto dite,dmth, me ate shprehjen ” ose me ne ose kunder nesh” . Sipas Ardian Vehbiut edhe kjo ide e nje grupi te rinje idealiste dhe e mbeshtetur nga prof.Shenasi Rama( ka shume mundesi qe nje iniciative e tille ta kete trazuar nga “neutraliteti” i tij) ,vota e bardhe,shkon, ne te te dyja rastet ,si ne ate te mirin dhe ne te keqin ,per Sali Berishen!
    Prandaj,kete akt shume fisnik, zoti Vehbiu na e shikon jo vetem te pavlershem por edhe te rrezikshem dhe ata qe do ta praktikojne nje gje te tille …i sherbejne Sali Berishes….!!!
    Ketu ,Ardian Vehbiu,flet sikur te ishte nje deputet i PS-se,nga ata me aktivet, qe nxiton te hedhe poshte cdo mundesi qe do te cenonte aleancen me LSI-ne !
    Lexues te nderuar, te gjithe entuziasto-analistet e aleances me LSI-ne si Vangjeli,Stefani,Nano,Zaloshjna dhe tanise fundmi edhe i perkori Vehbiu ,perdorin te ashtuquajturin “Argumentum Ad Hitlerum”…
    Argumentum Ad Hitlerum i tyre eshte “Berisha=e keqja me e madhe”- me kete duan t’ua mbyllin gojen te gjithe te indinjuarve nga kjo qenef-aleance qe ka mbytur perfundimisht cdo shprese per nje rilindje te vertete ashtu sic e predikonte para ca kohesh Edi Rama; qe ka vrare perfundimisht cdo shprese per nje politike te moralshme,te cilen,me aq mjeshteri dhe pathos na e pat ushqyer Edi Rama ,dora vete …!
    Argumentum Ad Hitlerum i tyre synon te fashite kete indinjate te pergjithme fisnike,vetem e vetem nga frika se mos humbasin vota ,vetem e vetem per nje grusht votash me shume!
    Nese politikanet qe nga Berisha,Nano ,Meta e deri tek i paparashkueshmi Rama,mund te justifikohen fundja me ate shprehjen e ndyre “politika eshte lavire,politika keshtu e ka ” ,nuk mund te justifikohen keta palo intelektuale si Vehbiu,Nano,Zaloshnja,Vangjeli etj qe perpiqen, paturpesisht, te justifikojne felliqesite e ketyre politikaneve te paturpshem!

    • Perpara se te besh ndonje koment duhet te mesosh qe ne fund te nje fjalie deftore vendoset pike dhe jo pikecuditese.
      Kam pershtypje qe ti duhet te jesh ndonje nga ato gjysmaket qe meren me kete punene votes se bardhe.

      Injorante nga Hasi !

      • Nje nga kritikat dashamirese qe do te doja t’i beja A.Vehbiut ,ka te beje me faktin se blogu i tija gelon nga filogreket(ne kuptimin e keq te fjales,me te keqin) ,te cilet, duke shfrytezuar ca vecori te Vehbiut si intelektual i majte dhe kozmopolit (qe si te tilla sherbejne edhe si fryme ne blog) shfryjne gjithe dufin e tyre prej zuzaresh janullatiste ndaj cdo gjeje shqiptare,gjoja ne emer te se majtes dhe kozmopolitizmit!!
        Eshte nje urrejtje e trasheguar nder breza,tipike per kete soj argatesh te dikurshem .Eshte urrjejta e hyzmeqarit ndaj agait apo beut;eshte urrjetja e sherbetorit ndaj zoterise,karakteristika kryesore e se ciles,eshte se zgjat ne kohe ,ne gjenerata…
        Jane pikerishte keta zuzare sterniper e niper argatesh te dikurshem qe ishin te paret ,ne blogjet dhe forumet shqiptare, qe akuzoni Aleancen Kuq e Zi si krijese te Berishes!
        Aq te zellshem ishin zuzaret ne kete pike,sa kjo u duk edhe ne ftesen-kercenim te Edi Rames ndaj AK-se,ku aludonte ,pikerisht,per kete qe e villnin e stervillnin per nje kohe te gjate e gjithe lukunia janullatiste e filogreqerve te blogjeve…
        Shkaku i vertete i vrerit ndaj AK-se eshte Autoqefalia e munguar e kishes,te cilen,AK-ja e ka si pike te rendesishme te programit te saj.
        Prandaj,edhe sjellja rrugacerore, ne blogje dhe forume, e ketyre zuzareve janullatiste eshte e kuptueshme.

        • Nje nga kritikat dashamirese qe do te doja t’i beja A.Vehbiut ,ka te beje me faktin se blogu i tija gelon nga filogreket(ne kuptimin e keq te fjales,me te keqin) ,te cilet, duke shfrytezuar ca vecori te Vehbiut si intelektual i majte dhe kozmopolit (qe si te tilla sherbejne edhe si fryme ne blog) shfryjne gjithe dufin e tyre prej zuzaresh janullatiste ndaj cdo gjeje shqiptare,gjoja ne emer te se majtes dhe kozmopolitizmit!!
          Eshte nje urrejtje e trasheguar nder breza,tipike per kete soj argatesh te dikurshem .Eshte urrjejta e hyzmeqarit ndaj agait apo beut;eshte urrjetja e sherbetorit ndaj zoterise,karakteristika kryesore e se ciles,eshte se zgjat ne kohe ,ne gjenerata…
          Jane pikerishte keta zuzare sterniper e niper argatesh te dikurshem qe ishin te paret ,ne blogjet dhe forumet shqiptare, qe akuzoni Aleancen Kuq e Zi si krijese te Berishes!
          Aq te zellshem ishin zuzaret ne kete pike,sa kjo u duk edhe ne ftesen-kercenim te Edi Rames ndaj AK-se,ku aludonte ,pikerisht,per kete qe e villnin e stervillnin per nje kohe te gjate e gjithe lukunia janullatiste e filogreqerve te blogjeve…
          Shkaku i vertete i vrerit ndaj AK-se eshte Autoqefalia e munguar e kishes,te cilen,AK-ja e ka si pike te rendesishme te programit te saj.
          Prandaj,edhe sjellja rrugacerore, ne blogje dhe forume, e ketyre zuzareve janullatiste eshte e kuptueshme.

  • Atehere duhet te ndrojme nje bande hajdutesh me nje bande tjeter.Mos haroni ate qe me siper e cituat;njerezit u vrane nga ky bandit,Ali Baba me dyzet hajdute,ju i shtoni dhe Ramen.Bukur.Kush quan popullin e tij,te pa moralshem,e kush e injoron e i thote “Koke pa lare”
    duhet te ndeshkohet,me VOTEN E BARDHE.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *