Krushqit, sherr në TV për foshnjën e mbytur

anazapta

Nuk kanë të sosur akuzat mes familjeve Lleshi dhe Radiçi për ngjarjen e ndodhur në Kuturman të Librazhdit. Një javë pas pretendimeve të çiftit Radiçi se vajza e tyre Orjola keqtrajtohej nga prindërit e burrit dhe madje dyshonin se vjehrri i saj e kishte përdhunuar dhe ishte babai i foshnjës, dje palët janë ballafaquar përsëri në televizion, në emisionin “Me zemër të hapur”. Haxhi Lleshi akuzoi drejtpërdrejt krushkun e tij për shpifje të qëllimta dhe dashakeqëse dhe këmbënguli se nëse foshnja ishte i tij ai ishte gati të vetëvarej në litar. Kurse Bajram Radiçi e akuzoi se nuk e kishin trajtuar mirë vajzën e tij Orjola, duke e detyruar që të ndërmerrte aktin ekstrem të mbytjes së foshnjës dy muajshe, Mateo, për shkak se e akuzonin se ishte ngjizur jashtë martese.  

Përballja mes dy palëve në emision solli acarime dhe fjalë ofenduese, edhe pse të dyja palët pranuan tradhtinë dhe krimin makabër të Orjola Lleshit. Pas kësaj ngjarje, për herë të parë nëpërmjet një lidhje telefonike reagoi dhe bashkëshorti i 27-vjeçares, Artan Lleshi. Ai tregoi se fëmija nuk ishte i tij dhe se bashkëshortja i kishte kërkuar ta abortonte fëmijën dhe se Orjola e kishte pranuar tradhtinë tek Artani pas ardhjes në jetë të fëmijës. Gjithashtu Artani deklaroi se Orjola nuk ka pasur presion nga ana e tij dhe familjareve, por dhunën psikologjike e ka pasur nga babai dhe nëna.
Të dyja familjet, ndërkaq, refuzojnë të tërheqin nga morgu foshnjën e mbytur nga Orjola, të cilin deklaroi se e kishte nga një lidhje jashtëmartesore. “Nusja më tha që fëmijën nuk e kam me Tanin. Por unë e luta, iu përgjërova dhe ajo ma tregoi me kë e kishte. Kur erdhi nga spitali, kishte një sjellje shumë të mirë. Po të ishte foshnja jonë, nuk e linim në morg”, tha vjehrra Dylbere Lleshi. Ndërsa babai i Orjolës, Barjam Radiçi u shpreh, “foshnja nuk ka faj, foshnja mund ta ketë varrin ku ka familjen, ku ka vëllanë. Nuk më takon mua ta marr, shteti ta nxjerrë ADN”. I menjëhershëm edhe reagimi i Haxhi Lleshit, i cili shprehu shqetësimin për prishjen e familjes së tij dhe të djalit. “Unë do e hedh në gjyq Bajram Radiçin sepse ka thënë se fëmija është i imi, se unë kam përdhunuar nusen. Orjola është sjellë mirë me ne dhe ne me të. Por ajo s’kishte pse mbyste fëmijën. Djali i tha se do i rregullonin gjërat me ligj kur të kthehej. Ne e mësuam vetëm pasi fëmija lindi. Unë pres të dalin sa më parë analizat e ADN-së sepse do bëj gjyq”, tha i moshuari. “Unë nuk doja që martesa të dështonte dhe kam folur me nënën e Orjolës. I kam thënë se nëse fëmija ishte me tjetër njeri le ta dështonte dhe martesa të vazhdonte”, tregon Dylbere Lleshi. Kurse bashkëshorti shprehet se Orjolës i kishte thënë që në fillim që nëse nuk e kishte me të fëmijën, ta dështonte dhe të tregonte të vërtetën. “Por ajo na tha vetëm pasi e lindi. Unë shkoja shumë mirë me të, madje kemi edhe një fëmijë së bashku dhe jam i lumtur për këtë”, thotë Artani.

 

Share This Article
Leave a Comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *