Gjyqi i Kadri Hazbiut. Seanca 26
“Sabotoi armatimin, uli aftësitë mbrojtëse të reparteve, u dha sekrete të ushtrisë agjenturave të huaja, shtoi represionet duke dërguar dhjetra oficerë në burgje”
(Vijon nga numri i kaluar)
Në seancën e 26-të të gjyqit të Kadri Hazbiut, nis leximi i ekspertizave për akuzën e “Tradhtisë ndaj atdheut në formën e vënies në shërbim të agjenturave të huaja dhe sabotimit” ndaj Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij. Është krye eksperti Lili Bullari që paraqet para të pandehurve dhe trupit gjykues akt ekspertizën për veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore…
Seanca e 26
Kryetari(Aranit Çela): -Kalojmë në dëgjimin e përfaqësuesve të grupit të Ekspertëve. Vazhdojmë me Lili Bullarin. Të kemi thirrur si përfaqësues i grupit të ekspertëve lidhur me veprimtarinë armiqësore në ministrinë e Mbrojtjes, përkatësisht nga Kadri Hazbiu. Cilat janë konkluzionet që ju keni bërë? E ke të qartë ti këtë?
Lili Bullari: -Të qartë.
Kryetari: -Na jep shpjegime lidhur me këto…
Lili: -Kadri Hazbiu ka punuar për të minuar e dobësuar rolin udhëheqës të Partisë në Ushtri. Armiku Kadri Hazbiu, si ish-ministër i Mbrojtjes Popullore nuk ka zbërthyer vendimet e Partisë me komunistët e kuadrot e ministrisë dhe në repartet e njësitë e ushtrisë… Ai sabotonte dhe pengonte zbatimin e tyre(mësimeve të Partisë) në fushën e mbrojtjes…
Në rrugë e forma të ndryshme, sabotoi, ashtu si dhe armiku Mehmet Shehu, marrjen e masave nga Partia në plenumet e 5-të e të 6-të të Komitetit Qendror të Partisë në vitin 1974 për zhdukjen e pasojave të veprimtarisë armiqësore të puçistëve Beqir Balluku, etj, në kundërshtim me detyrat që shtroi Partia në plenumin e 5-të dhe të 6-të për kuptimin dhe zbatimin drejt të Artit Ushtarak të Luftës Popullore.
Armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, u përpoqën në rrugë e forma të ndryshme të zhvillojnë më tej teorinë e rrëshqitjes.
Armiku Kadri Hazbiu, në kundërshtim me vijën e Partisë, duke u nisur nga qëllime armiqësore të caktuara ka nxjerrë në plan të parë masat administrative me njerëzit, dënime dhe ndëshkime, duke i injoruar masat edukative. Ai, Kadri Hazbiu është shprehur se “15 apo 20 mijë të burgosur në ushtri nuk janë gjë”. Gjatë kësaj periudhe, në vitet 1981-1982, i janë dhënë hetuesisë mbi 25 kuadro si dhe janë ndëshkuar 158 të tjerë.
Armiku Kadri Hazbiu ka penguar shqyrtimin e problemeve kryesore të mbrojtjes në mënyrë kolegjiale si për strukturën, punimet fortifikuese etj. Në organizatën bazë të Partisë dhe në Komitetin e Partisë u është vënë vendimeve të tyre si për kryerjen e stazhit të kandidatit të partisë, emërime e lëvizje kuadri në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, programet e stërvitjes, etj… Shfaqje nënvleftësimi të rolit udhëheqës të Partisë nga Hazbiu është fakti se asnjëherë nuk ka marrë pjesë në mbledhje të Komitetit të Partisë. Edhe një herë që mori pjesë në këtë mbledhje, erdhi me qëllim të kundërshtojë vendimin që kishte marrë ky Komitet për strukturën e Shkollës së Lartë të Oficerëve…
Së dyti, ka spostuar vijën e Partisë në fushën e mbrojtjes. Armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, për t’u shmangur drejtimi, kontrolli dhe udhëheqja e Partisë dhe për realizimin në vazhdimësi të planit armiqësor, kanë synuar të marrin kompetenca më shumë se sa u lejonte vendimi i Këshillit të Mbrojtjes nr. 7 datë 10.6.1976. Zgjerimi i këtyre kompetencave është konkretizuar me firmosjen e dokumentit nga armiku Mehmet Shehu me 2.5.1977 që bën fjalë mbi kompetencat për ngritjen në alarm për stërvitje pro-gatishmërie ose veprime luftarake.
Armiku Kadri Hazbiu, duke ndjekur rrugën e armikut Mehmet Shehu, edhe pse u njoh me këto shkelje të vendimit të mësipërm dhe detyrat që ka dhënë Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura(Enver Hoxha), u përpoq të zgjeronte më shumë këto kompetenca për vete e zëvendësat e tij dhe komandat e njësive. Tradhtari Kadri Hazbiu nuk zbatoi vendimin e Byrosë Politike nr 83 datë 25.6.1982 për krijimin e Komandës së Përgjithshme të Forcave të Armatosura për kohë lufte e të Shtabit të Përgjithshëm për kohë paqe e kohë lufte…
Kadri Hazbiu: -I nderuar kryetar! Ka mundësi, ju lutem shumë, ky ekspert të japë konkluzionet, pse duhet medoemos të përdorë këtë gjuhë? Tradhtari, armiku e njërën e tjetrën. Nuk është ekspert për të cilësuar këto. Nëse jam unë armik ose jo, e tregojnë faktet.
Kryetari(Aranit Çela): -Mbi atë e eksporton ai…
Lili Bullari: -Pas krijimit të këtij organi kolegjial, Kadriut i hiqej mundësia për të marrë vendime e për të dhënë mendime vetë si person. Kjo tregon se ka sabotuar e nuk ka qenë dakord me këto vendime… Kadriu sabotoi përgatitjen luftarake në shkollat e lira ushtarake duke mos caktuar asnjë organizëm në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore për këtë akt kaq të rëndësishëm të stërvitjes në strukturat e mbrojtjes. Me këto veprime tregonte se ishte në kundërshtim me vendimin e Byrosë Politike për krijimin dhe funksionimin e shkollave të lira ushtarake… Së treti, ka sabotuar për të dobësuar fuqinë mbrojtëse të vendit.
Kadri Hazbiu pengoi me qëllim armiqësor për të mos zbatuar vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr. 2 datë 12.6.1981 për krijimin dhe vënien në gatishmëri të disa njësive e reparteve të reja që i formoheshin ushtrisë. U mundua që batalionet e këmbësorisë t’i zhvishte nga grupi i zjarrit dhe t’i linte ato me dy toga duke dobësuar fuqinë e zjarrit të tyre. Nuk lejoi daljen e postave radioteknike në Fushë-Laje në Pukë dhe ridislokimin e një poste teknike në Ishull-Lezhë…
Në vazhdim të rrugës armiqësore, tradhtari Mehmet Shehu dhe tradhtari Beqir Balluku, në kundërshtim me orientimin e Partisë për stërvitjen e vogël, synonte të zhvillonte stërvitje të mëdha taktiko-komplekse me trupa. Gjithashtu, me miratimin e dokumentit nr. 2237 datë 6.7.1981 donte të fuste në armatimin e ushtrisë një mjet ushtarak pa marrë miratimin e Këshillit të Mbrojtjes…
Detyrat e Vendimit të Këshillit të Mbrojtjes nr. 7 për forcimin e drejtimin e Mbrojtjes Kundër Ajrore(MKA) nëpërmjet vendkomandës qendrore nuk i zbatoi fare, duke rekomanduar që për drejtimin e MKA-s të ushtrisë, të përdorte linjat telefonike civile. Po kështu ka dashur të decentralizojë edhe artilerinë bregdetare duke ja dhënë në vartësi bateritë, brigadave të këmbësorisë me qëllim që të mos kishin drejtim unik të centralizuar nga një komandë e specializuar të ulej efektshmëria e zjarrit masiv në det… Kadriu ka penguar gjithashtu duke zvarritur punimet në Uzinën e riparimit të avionëve në qytetin ‘Stalin’ dhe punimet e tjera fortifikuese në repartet e aviacionit…
Armiku Kadri Hazbiu sabotoi vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr. 3 datë 15.6.1975 ku vihej detyra e rikonstruksionit të Uzinës së Autotraktorëve dhe të Tankeve të Ushtrisë, në uzinën e prodhimit të agregatëve të gatshëm… Kadri Hazbiu pengoi me qëllim armiqësor zbatimin e vendimit të Këshillit të Mbrojtjes nr. 1 datë 15.6.1976 dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 50 datë 15.5.1978 i cili trajton freskimin e rezervave të prekshme të ushtrisë… Kjo tregon se i është kundërvënë masave për mbrojtjen, e bërë me qëllim që vendi të mbetej pa rezervat e nevojshme për luftë…
Armiku Kadri Hazbiu nuk mori asnjë masë për zbatimin e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 149 datë 4.6.1982, duke sabotuar për 4 muaj rresht problemet e fortifikimit të vendit…
Armiku Kadri Hazbiu lëshoi urdhëresën nr. 9 datë 25.3.1981 duke lënë qëllimisht fushat pa fortifikim… Prioritet në fortifikim u jepte qendrave të zjarrit dhe ngadalësonte punimet fushore dhe objektet e drejtimit si vendkomandat, pikat e drejtimit, etj…
Veprimtaria sabotuese në industrinë ushtarake. Armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, kanë sabotuar pajisjen e Forcave të Armatosura me armatime dhe municione. Lejimi me cilësi të dobët i punimeve në uzinën ushtarake si dhe zvarritja e punimeve në to, ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe ushtarake, ka prekur direkt aftësitë mbrojtëse të vendit dhe e ka rënduar ekonominë tonë popullore.
Veprimtaria sabotuese në fushën e strukturës organizative dhe sekretit në ushtrinë popullore. Me urdhër të Kadri Hazbiut u organizuan konsulta e rikonjicione me pjesëmarrje të gjerë të kuadrove të rangjeve të ndryshme duke shkelur rëndë rregullat për ruajtjen e sekretit shtetëror. Dekonspirimi i strukturës organizative të ushtrisë është bërë me qëllim të paramenduar nga armiku Kadri Hazbiu për të vënë në dorë të agjenturave të huaja të dhëna për kalimin e ushtrisë tonë në një strukturë tjetër. Armiku Mehmet Shehu, por dhe armiku Kadri Hazbiu ishin kundër rajonizimit të ushtrisë e sidomos të ushtarëve aktivë të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr. 3 datë 6.12.1976, pika 1 dhe 2, me qëllim që të ulin shkallën e gatishmërisë në përgatitjen, kompletimin e specialiteteve të nevojshme të ushtrisë…
Veprimtaria sabotuese në fushën e politikës me kuadrin. Armiku Kadri Hazbiu i ka sjellë dëme Partisë dhe në drejtim të politikës së kuadrit duke synuar të kultivonte tek ata tiparet mikroborgjeze të arrogancës, të prepotencës e teknokratizmit duke fryrë organikat… Fill pas Kongresit të 8-të të Partisë, ka shtuar në organikën e Aparatit të Ministrisë së Mbrojtjes 25 vende pune, ndërsa në qershor të vitit 1982, është kërkuar prej tij të shtoheshin rreth 100 vende pune të tjera…
Kryetari(Aranit Çela): -I pandehur Kadri Hazbiu, ke ndonjë gjë?
Kadriu: -Kam.
Kryetari: -Hajde.
Kadriu: -Kam edhe pyetje, edhe përgjigje po të jetë e mundur… Pyetja është kjo: Për të tërë këto gjëra, që përmend si konkluzione të ekspertizës Lili Bullari, a hyn doemos në kompetencën e ministrisë apo brenda strukturës së ministrisë, ka drejtori, ka zëvendësministra të cilët përgjigjen për planifikimin e zbatimin e tyre?
Lili Bullari: -E kam të qartë… Ka instanca që merren, po ti Kadri Hazbiu ke qenë ministër i Mbrojtjes, organizator dhe detyrat i jepnit ju… Të tjerët i zbatonin, sigurisht… Po përgjegjësinë, firmën dhe vulën ja vinit ju…
Kadriu: -Unë po të pyes, ky ndryshimi për strukturën, ishte iniciativë nga ana ime, sipas jush si ekspertë, apo ishte me porosi dhe me miratim nga lart?
Lili Bullari: -Kur ka ardhur Kadriu tek ne për të studiuar këtë problem, na ka folur që vij me porosi të udhëheqjes së Partisë për të kryer këto detyra…
Kadriu: -Më falni kryetar i gjykatës. Jo, kështu e dua, kështu, është me urdhrin tim…
Ndihmësgjyqtari: -Ai e tha këtë që kjo porosi u dha, por kjo nuk u bë siç u dha porosia…
Kadri Hazbiu: -Unë them që konkluzionet e këtyre si ekspertë, i hedh poshtë, fund e krye si të pasakta, që me tendencë më hidhen mbi shpinë mua…
Kryetari(Aranit Çela): -I pandehur Kadri Hazbiu, këto që tha ky këtu janë një pjesë e këtij eksperimentimi, apo jo?
Kadri Hazbiu: -Janë një pjesë… Ky inspektim, për mua, është një akt fals, siç e thashë dhe më lart…
Kryetari: -Po sidoqoftë, ato pretendime gjatë pyetjes ua ka dhënë hetuesia atyre se një farë materiali u ka dhënë…
Kadriu: -Jo për çështjet që unë akoma nuk isha pyetur, që nuk e dinte dhe hetuesia vetë se cilat dokumente do të kërkoja unë…
Kryetari: -Nejse, sidoqoftë, ne kemi pretendimet e tua tani, që ti nuk je dakord me atë ekspertimin…
Kadriu: -Fund e krye nuk jam dakord…
Kryetari: -Shko në vend Kadri Hazbiu, mund të largoheni…
(Vijon nesër)
Përgatiti për botim: Kujtim Boriçi
SOM 1
“Me urdhër të Kadri Hazbiut u organizuan konsulta e rikonjicione me pjesëmarrje të gjerë të kuadrove të rangjeve të ndryshme duke shkelur rëndë rregullat për ruajtjen e sekretit shtetëror. Dekonspirimi i strukturës organizative të ushtrisë është bërë me qëllim të paramenduar nga armiku Kadri Hazbiu për të vënë në dorë të agjenturave të huaja të dhëna për kalimin e ushtrisë tonë në një strukturë tjetër. Armiku Mehmet Shehu, por dhe armiku Kadri Hazbiu ishin kundër rajonizimit të ushtrisë e sidomos të ushtarëve aktiv të përcaktuar në vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr. 3 datë 6.12.1976, pika 1 dhe 2, me qëllim që të ulin shkallën e gatishmërisë në përgatitjen, kompletimin e specialiteteve të nevojshme të ushtrisë”
SOM 2
“Kadri Hazbiu pengoi me qëllim armiqësor për të mos zbatuar vendimin e Këshillit të Mbrojtjes nr. 2 datë 12.6.1981 për krijimin dhe vënien në gatishmëri të disa njësive e reparteve të reja. U mundua që batalionet e këmbësorisë t’i zhvishte nga grupi i zjarrit duke dobësuar fuqinë e zjarrit të tyre. Nuk lejoi daljen e postave radioteknike në Fushë-Laje në Pukë dhe ridislokimin e një poste teknike në Ishull-Lezhë. Armiqtë Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu, kanë sabotuar pajisjen e Forcave të Armatosura me armatime dhe municione. Lejimi me cilësi të dobët i punimeve në uzinën ushtarake si dhe zvarritja e punimeve në to, ka shkaktuar pasoja të rënda ekonomike dhe ushtarake, ka prekur direkt aftësitë mbrojtëse të vendit dhe e ka rënduar ekonominë”
NESËR DO TË LEXONI:
-Deponimet dhe provat e ekspertit Baudin Kazani lidhur me veprimtarinë armiqësore të Kadri Hazbiut gjatë periudhës që ka punuar dhe ka drejtuar Ministrinë e Punëve të Brendshme.
-Rastet e goditjes së personave të pafajshëm me materiale të falsifikuara dhe praktika e Kadri Hazbiut e bashkëpunëtorëve të tij për goditjen e kosovarëve.
-Si i pajisi Kadri Hazbiu me pasaporta dhe i nisi jashtë shtetit Klara Nanon, Vera Tariatin, Veliq Kakulin, Aristidh Kristidhin, Nafije Kerrinin, Liri Saramën, Gjylizare Grazën, Emine Halilin, Nasibe Çaushin, Murat Gjoshin, etj, për të cilët kishte materiale që zhvillonin veprimtari armiqësore kundër vendit tonë.
po krietari i mafias , si nuk doli tradhetar por vetem antaret ose me shqip zagaret e tije, si nuk keni turp qe akoma vazhdoni te rreni kte popull, me kto brockulla ,edhe llogjika me infantile s’do i pranonte kto pseudofakte
Lili Bullarin e kam njohur nga afer.Ate kohe e kam jetuar dhe nuk e kam ditur se ky paska raaportuar ne emer te eksperteve ushtarak ne gjyqin e Kadri Azbiut.Interesant. e them me kopetnce se nga ana ushtarake Lili Bullari ka qene nul .I dha dore dhe e ngriti ne pergjegjesi deri ne Komisar divizioni e antar i Komitetit qendror si coban Simon Stefani .Ne rast se edhe ekspertet e tjere kane qene si puna e Lilit, i them Kadri Hazbiut “rahmet pac”.Persa i perket denimit te disa oficereve ne kohen kur Kadriu ishte Minister i Mbrojtjes, e them perseri me kopetence se nuk ka patur asnje influence.Se si jane denuar , perse e nga kush e di mire .Nje pjese e m ire tyre ishin nga Tepelena , si Neim Muho, Emnver Selami nje djal tjeter i mrekullueshem shef i xhenjos se ishullit, ja kam harruar emrin.Denimi i tyre ka qene veper e Zyylftar Ramizit dhe vartesve te tij ne ushtri .Ata mund te kishin rezerva per Mehmet Shehun por qe te sabotonin fortifikimin kurr. E mbaj mende mire Neim Muhon dhe shefin e xhenjos se ishullit si rropateshin tuneleve.Ata e bene Sazanin me tre kate. Jan probleme te vjetra.Mund te ket nga ata qe sot i vret ndergjegja.Por nuk di ne se e ka vrare ndergjegja nje nga persekutoret kryesor qe beri karier ne kurriz te patrioteve te tij.
Shume mire qe po rishfaqen keto ceshtje… Po tregohet hapur se populli nuk vuajti prej sistemin socialist por prej ca maskarenjve te cilet shperdoruan detyrat . Po tregohen qarte sesi njerez te padrejte beheshin ministra , drejtora , sekretare si pune saliut dhe ismail kadarese …vrane e prene njerez te pafajshem , kryeni pune te pista dhe ja hodhen te gjitha enver hoxhes. Por faji qe i enverit qe i kapi me vones keta funderrina . Shkaterruan gjithe veprimtarin Socialiste. Njollosen sistemin socialiste. Njerez te poshter qe serviloseshin , benin tipa te egerr , si besnik te partise. Ne nje video ,e gjen dhe ne Youtube , ne nje pjese ku gjykohet Kardi azbiu Enveri i thote : “Kete dekret ty ta ka dhene Postidiumi” , dhe ti ke ke vrare e ke ke prere me kete dekret” …