Asfalti elektoral për këtë vit do të financohet nga rritja e borxhit tonë publik. Kjo është mëse e qartë, duke parë ritmin e të ardhurave nga taksat dhe dogana. Rritja e kufirit të borxhit nga qeveria shqiptare sjell natyrshëm pyetjen: a do të arrijmë ta përballojmë këtë borxh publik? Një qeveri që nuk ka shumë sovranitet dhe eksperiencë të mirëfilltë në politikën ekonomike për të rritur masën monetare e për të luftuar inflacionin, rrezikon që të mos jetë më në gjendje të paguajë borxhet e akumuluara. Dhe mospagimi i borxheve të çon në faliment. Në vitin 2011 borxhi publik ka qenë rreth 8 përqind më i lartë se sa një vit më parë. Në vitin 2012 rreth 13 përqind më i lartë(shifër ende e pakonfirmuar). Një përshkallëzim i frikshëm. Borxhi publik ka kosto, e cila financohet nga Buxheti i Shtetit. Kjo kosto në 8 vitet e fundit është rritur mbi 36 përqind. Rritja e borxhit publik e vret rritjen ekonomike, ndryshe nga sa pretendon qeveria. Borxhi publik i rritur mund të blejë vota për zgjedhje, por jo zhvillim, rritje ekonomike. Nga ana tjetër, ai deformon përdorimin e taksave nga sektorët parësorë si arsimi dhe shëndetësia, duke bllokuar fondet që do të shkonin për këta sektorë tek pagimi i kësteve të rritura të borxhit dhe interesit të tij. Rekomandimet e FMN, Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian janë të qarta dhe profesionale për domosdoshmërinë e mbajtjes nën kontroll të borxhit publik. Pse është në diskutim aftësia paguese e shtetit tonë. Një ndër treguesit më të rëndësishëm, i cili ndihmon në gjykimin e aftësisë paguese së një shteti për të shlyer borxhin e tij është shuma e borxhit për frymë. Ai llogaritet si raport i borxhit total publik të emëtuar dhe ende të pashlyer me popullsinë në një vit të caktuar dhe është një ndër elementët kryesor që përcakton riskun dhe normën e interesit të letrave me vlerë. Borxhi ynë për frymë ka përjetuar edhe ai një rritje me ritme realisht shumë të forta, gati befasuese. Rritjen më të madhe e ka pasur në vitin 2011, krahasuar me vitin 2010, me rreth 22.3 përqind. Në vitin 2012, borxhi për frymë u rrit sërish. Ende nuk i kemi shifrat e plota për vitin e kaluar. Në vitin 2013, stoku i borxhit është parashikuar të shkojë në rreth 895.7 miliardë lekë(mbi 6 miliarde euro). Nëse do të supozohej një rritje mesatare të popullsisë nga viti në vit me rreth 0.5 perqind, atëherë, borxhi për frymë në 2013-n do të jetë rreth 314.271 lekë apo rreth 10 perqind më shumë se në 2012-n. Në këto kushte, një familje shqiptare mesatare prej 4 personash, për vitin 2013 mbart një borxh publik prej afro 9 mijë euro. Një barrë jo e vogël për brezin e sotëm dhe të nesërm. Aktualisht interesat për borxhin publik janë mesatarisht 6 për qind. Rreth 15 për qind e të gjithë të ardhurave të Buxhetit te Shtetit shkojnë për pagesat e interesave të borxhit. Kjo përqindje është e destinuar të rritet, pse ekonomia jonë nuk rritet më me 4-6 për qind në terma realë. Do ta kemi shumë, shumë të vështirë për ta paguar këtë borxh që veç rritet. Qeveria nuk dëgjon që të paktën ta mbajë të pandryshuar borxhin. Po e rrit edhe më. Ethet e zgjedhjeve ja kanë errur gjykimin. Kjo, në një kohë kur Shqipëria ka borxhin publik më të lartë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit. Një problem tjetër i borxhit publik shqiptar është se pjesa më e madhe është borxh afatshkurtër, pra qeveria ka nevoja të vazhdueshme për likuiditet. Mjafton të përmendim faktin që për të dhënë këstin e parë të borxhit të marrë për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, qeveria u detyrua të marrë borxh 30 milionë dollarë për të paguar këtë këst. Pra jemi në një gjendje që marrim borxhe për të paguar këste borxhesh të tjera. Në këto kushte, rritja e kufirit të borxhit publik në 62.6 përqind gjatë këtij viti elektoral, tregon keqmenaxhim të borxhit publik në Shqipëri. Rritja e stokut të borxhit publik, e shoqëruar me rritjen e kostove të borxhit publik në një situate kur rritja ekonomike e vendit është e ulët, vë në rrezik pagesat e ardhshme të kësteve. Ajo ngjan mirëfilli e frikshme, kur kemi parasysh opinionin tejet mase negativ për vende me borxh publik të rritur në të gjitha tregjet botërore financiare.
